Përuruese e ekspozitës “Portrete dhe peizazhe të Shqipërisë”, është një foto e Antonio Baldacci-t, “Ura e Mesit mbi lumin Kir” (1897). Një njeri i vetmuar mbi urë, në sfond vargmalet mbuluar me dëborë.
Imazhi i dytë është një banesë guri. Para saj qëndrojnë dy burra, një grua dhe një fëmijë. Burrat kanë veshur shajakë e këmishë të bardhë me jelekë të zi përmbi të, kësula po e bardhë mbi krye.
Nga lartësitë e veriut Baldacci na çon në lartësitë e jugut: kalaja e Beratit me shtëpitë e radhitura në faqe të kodrës.
Prej Antonio Baldacci-t kemi në shqip kujtimet “Rrugëtime shqiptare” i botuar së pari në Romë në vitin 1917, kur ai ishte anëtar korrespondent i Shoqatës Mbretërore Gjeografike Italiane. Aty na shpjegon rrugëtimet e vështira për shkak të terrenit, mungesës së përgatitjes së nevojshme po edhe të parave. Përshkruan territorin shqiptar në të djathë të pellgut ujëmbledhës të Vjosës së Sipërme, me zonat e gjera në toka gëlqerore rrepshore dhe serpentinoze, vendkalime të rralla në lartësi të mëdha, të vështira për t’i kapërcyer. “Qafat, nëpër të cilat rrjedhin ujërat, kanë faqe shkëmbore të thepisura. Kullotat janë mesatare dhe shumë të varfra. Jeta e banorëve është e vetmuar, në kushtet e një banditizmi të madh.”
Kur vjen puna te veshjet, gjejmë në ekspozitë fotografi të cilave u korrespondojnë parashkrimet e të detajuara në kujtimet e Baldacci-t si më poshtë: “... veshja e grave e fiseve malësore do të tregonte drejtpërdrejtë një orgjinë mikene. Palat e poshtme të veshjes së gruas të disa fshatarëve të Zadrimës duhet të vlerësoheshin të njëjta me ato të origjinës së lashtë heleniko-lindore.” Ai vëren se kësula është një element që e gjen si në viset e gegërisë dhe në ato të toskërisë; pantallonat e ngushta të malësorëve janë pjesë e fondit të veshjes së të gjithë popujve që banonin ndërmjet Karpateve dhe Adriatikut; fustanellën e shqiptarëve toskë e cilëson “të zakonshme”; ndërsa zakoni i malësorëve për të mbajtur thesin mbi shpinë, i kujton çantën e shpinës së banorëve të alpeve. Tregjeve dhe qendrave të qyteteve ne gjejmë këto elemente të etnosit shqiptar, të cilat Baldacci, një shekull përpara përpiqet t’i vendos në një rrafsh krahasues rajonal e më gjerë.
Gjeografi Roberto Almagia na jep një “Pamje rruge me njerëz”, foto e vitit (1913). Duhet të jemi në jug: në fokus kemi një burrë me fustanellë. Në Vlorë, po atë vit, Almagia ka kapur përpjekjet e vendasve për të ndërtuar një skelë prej druri. Sigurisht ky imazh nuk ka asgjë të përbashkët me pamjen që ofron Skela sot.
Ferdinando Milone na hedh në një periudhë kur qytetet e mëdha të Shqipërisë kanë kryer tanimë një cikël zhvillimi, vitet 1939-’40. Fotot për këtë kohë rrokin një pjesë të mirë të ekspozitës.
Ndryshe nga kolegët paraardhës, Milone duket ka qenë më tepër i interesuar tek njerëzit sesa te peizazhet panoramike, por këtë nuk mund ta themi me siguri, përderisa ekspozita në MHK është vetëm një copëz e asaj që ruhet në Arkivin Fotografik të Shoqërisë së Gjeografëve Italianë.
Bruno Castiglioni prezantohet me një fotografi shumë interesante nga Kukësi (1939). Një vajzë e vogël, e ulur përdhe, me këmbët e zbathura, mban në prehër një djep me foshnjën lidhur. Në kokë një shall, në trup një xhaketë të madhe. Castiglioni ka arritur të kapë lëkundjen e djepit dhe përkujdesjen e vogëlushes ndaj një foshnjeje. Është kaq i ndjeshëm këndvështrimi i Castiglionit: sikur të jetë duke evidentuar brazdat në tokë dhe natyrën e saj, ai na përcjell në një foto portretet e skalitura të banorëve të Kukësit në një ditë pazari. E paharrueshme është nga ky gjeograf fotografia e një familje mirditore e kapur në zgrip të varfërisë. Tre foshnja në djepe, prindërit dhe një e moshuar që u bëjnë roje. Një kompozim i trishtueshëm para një shtëpie të vjetër me baltë.
Ekspozita është kuruar nga Nadia Fusco. Zgjedhja e saj merr për bazë jo vetëm kontributin shkencor të gjeografëve por edhe aftësinë e tyre në përfaqësimin e realitetit në një nivel të lartë për njohjen e territoreve shqiptare. Në përputhje me qëllimet shkencore të misioneve, shumë fotografi janë kryer për qëllime didaktike, për shembull, për të ilustruar përshkrimet morfologjike të tokës ose kostumet tradicionale tipike të një rajoni të caktuar. “Të shumta janë rastet e fotografive jo të menduara, të krijuara thjesht për shije estetike, në mënyrë që të fiksohen bukuri peizazhi jo të menduara, ose ato ku protagonistët nuk kanë marrë poza dhe prania e fotografit perceptohet pak nga subjektet e fiksuara, si në rastin e pamjeve nga pazaret ose nga sheshet”. Ekspozita mbyllet më 14 dhjetor.