Gati dy vjet më parë Shoqata kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schwartz" shpalli konkursin "Shqipëria tregon"; para një viti u bënë të njohur fituesit, shkrimtarë të rinj. Në vazhdim të kësaj pune morëm në shqyrtim së bashku me Elsa Demon vëllimet kryesore në prozën e shkurtër që janë botuar në dy dhjetëvjeçarët e fundit si dhe revistat kryesore letrare që botohen tek ne; veç kësaj u jemi drejtuar personalisht një numri shkrimtarësh që të na dërgojnë gjëra pak të njohura ose të pabotuara. Në krye të kësaj pune i paraqesim publikut antologjinë "Shqipëria tregon. 1991-2010", ku janë përmbledhur disa nga prozat më të mira që janë shkruar në gjuhën shqipe gjatë kësaj periudhe prej 26 autorësh.
Ky libër vijon antologjinë e botuar vjet "Shqipëria kujton. 1944-1991" në dy pikëpamje, si pasqyrë realitetesh që enden rreth një vendi aty përpara, këtu pas shembjes së komunizmit dhe, kryesorja, si prurje tregimtarësh që i bëjnë nder kulturës dhe gjuhës shqipe. Në ndryshim nga antologjia e parë ku një pjesë e mirë e teksteve ishin letërsi dokumentare, në këtë libër jemi krejtësisht te fiksioni.
Kundërthënia ndihet menjëherë: tregimtarët më të mirë, që i bëjnë nder gjuhës shqipe... Po ku janë këta tregimtarë, pse nuk i shohim, sa ndihet pesha e fjalës së tyre në shoqërinë tonë?
Për të kuptuar atë që ndodh sot me qerthullin e tronditur: shkrimtar - opinion publik - lexues, le të kujtojmë shkurt atë që ndodhi në Shqipëri para e pas vitit 1991 në vështrim të marrëdhënies së librit me publikun lexues. Përpara 1991shit dalja e një libri (roman, vëllim me tregime, vë¬llim me poezi) ishte thuajse ngjarje, zyrtare ose reale, në varësi të vlerave të autorit.
Për çudi këta libra që i botonte e vetmja shtëpi botuese letrare, "Naim Frashëri", ishin në numër për secilën gjini të ngjashëm me numrin e filmave që duhej të prodhonte kinostudio "Shqipëria e Re", të themi 12-14 në vit. Jehona dhe ndikimi në publik nuk mund të krahasohej, pasi filmi kishte epërsi të padiskutuar, mirëpo edhe vëllimet me tregime e sidomos romanet arrinin tirazhe që sot janë utopike për botuesit: 5.000, 10.000, 15.000 nganjëherë edhe 30.000 kopje. Prozatorët, ata të lejuarit nga pushteti, nxiteshin me mënyra të ndryshme, me leje krijuese, botime falas, popullarizim në sistemin arsimor.
Ata gëzonin njëkohësisht njëfarë klasifikimi në A, B, C, me kategori të parë e të dytë, për të cilin kujdeseshin kritikët zyrtarë dhe protokollet e gazetës „Drita". Mjerisht letërsia që prodhuan këta shkrimtarë ishte në pjesën e saj më të madhe propagandistike, naive dhe skematike. Ndaj dhe qerthulli, më shumë i diktuar sesa i natyrshëm që lidhte këtë krijimtari me masën e lexuesve, u prish menjëherë sapo ra edhe diktatura - në ndryshim bie fjala nga qarku letërsi e huaj (për fat të mirë e përkthyer shpesh me mjeshtëri) - publik, i cili nuk e ka humbur as sot vitalitetin e tij, së paku në brezat e mesëm dhe të moshuar të lexuesve.
Për këtë publiku nuk u shqetësua shumë, pasi në vorbullën e luftës për mbijetesë që përfshiu gjithë vitet 90 dhe vazhdon edhe sot, nuk ia ndjente më nevojën letërsisë së njeriut të mirë, idileve të provincës ose romantikës së punës dhe të historisë - çka karakterizonte prozën e viteve 70, 80 - aq më shumë që letërsia skematike ishte bërë diçka e urryer si pjesë e propagandës komuniste. Pastaj shpërthyen mediat e reja, kryesisht vizive, më së pari kanalet e shumta tele¬vizive, më vonë interneti që ua rrëmbyen njerëzve krejt kohën që ata e quajnë të lirë.
Përjashtimet, prozatorë që mund të jenë lexuar në tirazhe qindrash ose mijërash këta 20 vjetët e fundit, janë fare të pakta, ndonjë emër i madh që vinte nga e kaluara ose dukuri të papritura si dy romanet e Ben Blushit "Të jetosh në ishull" dhe "Otello, arapi i Vlorës". Po ç'bënë atëherë prozatorët shqiptarë pas vitit 1991? Kjo pyetje në të vërtetë i ngjan asaj pyetjes sonë kur ishim të vegjël: ç'bëjnë kinezët kur bie shi?
Ata hapin çadrat. Ose: E lënë të bjerë. Edhe prozatorët shqiptarë kur u erdhi të shkruanin, hapën kompjuterin dhe shkruan. Shtytja për të shkruar është nganjëherë aq e madhe, saqë ajo nuk pyet për mungesë publiku, për indiferencë të shtëpive botuese, për buxhet personal që duhet harxhuar për të nxjerrë një libër.
Kjo në kushtet kur instancat shtetërore ose bashkiake që do duhej ta kishin ndihmuar përhapjen e letërsisë shqiptare në këta 20 vjet, e shpërfillën atë krejt dhe me fantazinë e tyre të varfër e kanë vendosur ndoshta në vendin e 20 të listës së aktiviteteve kulturore, të cilat fillojnë me festivale të sajuara dhe mbarojnë me konferenca patetike.
Të vetmet vatra që në njëfarë mënyre e kanë përkrahur botimin e letërsisë shqipe në gjithë këta vjet, kanë qenë 2-3 shtëpi botuese (që meritoj¬në falënderim të veçantë) dhe 2-3 organe letrare, si Mehr Licht, Përpjekja, Aleph, të cilat vërtet nuk shiten dhe pak shpërndahen, por kanë së paku meritën që nuk e lënë të humbasë kujtesën letrare. Nuk janë kushte të mira, më e saktë: janë kushte të kë¬qija për zhvillimin e letrave tona. Thuajse të gjithë shkrim¬tarët shqiptarë jetojnë me aktivitete që nuk janë krijimtaria e mirëfilltë.
Por këto kushte të këqija, për çudi kanë edhe anën e tyre të mirë: Sot shkruan ai ose ajo që duhet të shkruajë medoemos, ai ose ajo që s'mund ta lërë të heshtë dhuntinë e vet të brendshme dhe që s'mund ta lërë jetën të rrjedhë ashtu irracionale siç rrjedh ajo, përderisa ka aftësinë që të meditojë mbi këtë jetë e të na bëjë edhe ne me këtë rast më të mençur.
Kështu ndodhi që është skartuar në masë ish-regjimenti i tregimtarëve shqiptarë siç i mblidhte dikur rreth vetes LSHA dhe kanë mbijetuar ato pena që duhet të mbijetojnë. Është ulur ndjeshëm numri i prozatorëve - flas për ata të vërtetët, që janë dhe protagonistë në revista e antologji, që rëndom edhe përkthehen, që mund të flasin me lexuesin, qoftë dhe të paktë, qoftë dhe jashtë Shqipërie a në forume interneti - por është rritur ndjeshëm cilësia e tyre.
Po të hidhni edhe vetëm një vështrim të shpejtë në librin që keni në duar, do gjeni aty një larmi stilesh e tematikash për të cilat shkrimtarët shqiptarë të shekullit të kaluar - jo vetëm ata të periudhës së diktaturës - as që do të kishin ëndërruar. Për ne që u morën me kërkimin e tregimeve, ishte një kënaqësi e veçantë gjetja e prozave të shkurtra në periodikë letrarë a në vëllime shpesh me pamje modeste, të harruar nga vitet e tranzicionit, që nuk i takoje as në librari.
Kështu u njohëm me prozën psikologjike, të ngarkuar me atmosferë të Albri Brahushës, të cilit për rrëfimet parabolike nuk i mbetet mbas as bashkëqytetari i tij Ridvan Dibra; me kapër¬cimet fantastike në mendim që shquajnë Ardian Kyçykun ose Ervin Hatibin daç kur ky kërkon të shpjegojë ngjyrat, daç të gjejë pse nuk u shkreh kundër Musolinit arma që ndodhet në Muzeun tonë Kombëtar; me ironinë therëse të Ardian Vehbiut që ka dalë te dritarja e banjës së Kështjellës së tij krejt i pafuqishëm përballë tradhtisë së tanëve dhe avancimit të pomakëve; me kthjelltësinë pak të marrë të Luljeta Danos kur shkon prapa në histori për të kuptuar veten dhe të vetët; me prozën e rëndë gati tragjike të Ramiz Gjinit e Lazër Stanit etj. etj.
Natyrisht zbulimi është dhe më i bukur kur ti s'kishe dëgjuar fare për të si prozator/e, kështu më ndodhi mua të paktën me Luljeta Danon, Mimoza Hysën dhe Edvin Schwartzin, Alket Xhakollarin e Dorian Isain.
Edhe më shumë se në stile është e pasur kjo antologji në temat që zhbiron. Ato shkojnë nga arat e pakorrura te vrasja e bukëpjekësit, nga buka që thonë se i solli vdekjen Emineskut te përsiatjet e Cezarit para se të pësojë thikën e Brutit, nga xhaketa e blertë e një irlandezi në SHBA te një grup i shitur muzikor në Bahia të Brazilit, nga një azil pleqsh në Gjermani në fshatrat gjysmë të braktisura të Shqipërisë.
Por sidomos kërkojnë të depërtojnë shkrimtarët e kësaj antologjie në botën e njerëzve që zbulojnë jetën ose që ndahen nga jeta, në viset e harruara të fëmi¬nisë, e kuptuar si fëmini vetjake (Brahusha, Hysa) ose fëmini njerëzimi (Dano, Dibra).
Po aq mirë dinë disa autorë të kësaj përmbledhje (Vehbiu, Hatibi, Tufa), të kthejnë në farsë me armët e satirës disa nga klishetë e mëdha të komunikimit tonë të shkuar ose të tashëm, letrar ose mediatik. Ja pra si është krijuar një mozaik që natyrisht nuk e shpikëm ne, vetëm se donte ca mundim sa të mblidhej.
Kuptohet dhe nuk është habi pasuria e stileve, ideve, temave, sepse kemi të bëjmë me një letërsi që e ka flakur tej tanimë këmishën e hekurt, që s'ka kohë të merret as me skemat e djeshme dhe as me tabutë e sotme, por do të hyjë drejt e në temë e t'u bjerë të vërtetave drejt e në kokë.
Për këtë letërsi edhe vetë vendi Shqipëria, ose Kosova, ose Maqedonia janë treva ngushtimi, përderisa letërsia sot nuk njeh kufij gjeografikë dhe kohorë dhe përderisa shqiptarët në këta 20 vjetët e fundit duhet të kenë qenë kombi që është derdhur drejt botës së zhvilluar më tepër nga çdo komb tjetër.
Pasuria dhe ëndja e leximit që të dhuron kjo përmbledhje, pra¬pë¬seprapë nuk mund të na gënjejë që qerthulli është i ngecur, që gjendja është e keqe dhe që me të nuk mund të pajtohemi. Një shkrimtar të cilin shoqëria e vlerëson dhe i krijon kushte pune, do të japë shumë më tepër kështu sesa kur është në luftë të përhershme për mbijetesë dhe kur i gjen lexuesit me qiri.
Të mos harrojmë se shumë shkrimtarë tanët, edhe nga ata që përfshin kjo antologji, gati gjysma, nuk jetojnë dot në vendin e gjuhës që shkruajnë, në radhë të parë prej mungesës së komunikimit dhe vlerësimit të personalitetit të tyre, por pëlqejnë t'i rrinë atij larg; kështu ndodh me Elvira Donesin, Bashkim Shehun, Ervin Hatibin, Ardian Vehbiun, Ardian Kyçykun, Albri Brahushën, Romeo Çollakun, Alket Xhakollarin etj. Të mos harrojmë që të tjerë si Adhurim Lako ose Sabaheta Peposhi kanë ikur nga kjo jetë pa arritur fare të bëhen të njohur në publik si prozatorë.
Dëshira më e mirë që mund të shprehim për këtë antologji është që ajo të ndihmojë, veç të tjerash, për t'i kujtuar shoqërisë sonë se vlerat më të mëdha të gjuhës e kulturës shqiptare janë pikësëpari ato të gjallat. Dhe ndër ato veprimtari që na ndihmojnë të kuptojmë vetveten, natyrën njerëzore, botën përreth nesh, letërsia nuk e ka dhe nuk ka se si ta ketë humbur vendin e kreut.