Shqiperia vendi i puneve te pista diplomatike te SHBA

Shqiperia, vendi i puneve te pista diplomatike te SHBA

'LA Times' mbi shkaterrimin e arsenalit kimik sirian.

DASH: Nuk janë marrë vendime! Zyrtari
europian: Nga Shqipëria, sinjale pozitive.

Për vite të tëra, kur Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për të dorëzuar një punë të pistë diplomatike, një vend i turbullt ka ngritur me besnikëri dorën: Shqipëria. Si një vend i varfër dhe i thyer që po kapet në buzë të Europës, Shqipëria mori të burgosurit e etnisë ujgure nga burgu i Guantanamos, kur Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i riatdhesonin ata në Kinë. Ajo ofroi azil për 210 anëtarët e muxhahedinëve Khalq, grupi disident iranian i mbyllur gjatë në një kamp në Irak. Tani Shtetet e Bashkuara janë kthyer sërish nga Shqipëria, duke shpresuar se ajo do të lejojë që armët kimike të Sirisë të shkatërrohen në tokën e saj.

Kërkesa e administratës së Obamës për Shqipërinë, e konfirmuar nga zyrtarë të qeverisë në Tiranë javën e kaluar, synon të zgjidhë një nga pyetjet më të mprehta përreth planit të sponsorizuar nga SHBA për të çarmatosur arsenalin vdekjeprurës të Sirisë: sarin, VX dhe gaz mustardë. Me një luftë civile që po luftohet në Siri, Presidenti Bashar Al Asad dëshiron që armët e tij, përfshirë 1300 tonë agjentë kimikë dhe prekursorë, si dhe 1200 tonë municione të paplotësuara, të shkatërrohen jashtë vendit. Kreu i agjencisë mbikëqyrëse ndërkombëtare, që mbikëqyr çarmatimin, ka thënë se heqja e materialeve nga Siria “mbetet opsioni më i zbatueshëm”. Shtetet e Bashkuara po drejtojnë kërkimin për një vend që do të marrë rezervat toksike. Por kombet nuk janë shumë të etur të dalin vullnetarë për një detyrë që mund të provokojë edhe kundërshtimin brenda vendit, të krijojë sfida sigurie dhe mjedisore dhe me kosto dhjetëra miliona dollarë.

Një tjetër vend që zyrtarët amerikanë i kërkuan për të trajtuar këtë çështje, Norvegjia, ka refuzuar. Dhe zyrtarët danezë thanë të premten se vendi i tyre ishte i gatshëm për të ndihmuar transportimin e armëve nga Siria në rrugë detare, por jo t’i shkatërronin ata. Zyrtarët shqiptarë thanë se ata ishin duke e shqyrtuar kërkesën. Departamenti i Shtetit tha se nuk janë marrë vendime dhe nuk pranoi për të diskutuar çështjen më tej. “Ka pasur disa sinjale pozitive nga Shqipëria, por kjo është një çështje shumë e ndjeshme atje”, tha një zyrtar europian që kishte njohuri për bisedimet, i cili nuk ishte i autorizuar të flasë publikisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Shqipëria ka përvojë me armët kimike. Në vitin 2007, me ndihmën e gjerë teknike dhe financiare të SHBA, kombi bregdetar ballkanik u bë vendi i parë që shkatërroi arsenalin e saj, sipas Konventës së Armëve Kimike, traktati ndërkombëtar për ndalimin e prodhimit dhe përdorimit të armëve. Por, pas viteve të importimit të mbeturinave jo të rrezikshme nga fqinjët më të pasur: të tilla si Italia, një skemë që prodhoi mijëra vende pune dhe miliona të ardhura, shqiptarët vendosën se ata nuk duan të jenë koshi i plehrave të Europës. Qeveria e re socialiste në Tiranë kohët e fundit vendosi ndalimin e importit të mbetjeve, pas një fushate dyvjeçare nga aktivistët e mjedisit që çoi në një referendum mbi çështjen. “Shqipëria ka qenë shpesh përgjigjja ‘Po’ drejt Uashingtonit, por marrja e rezervave kimike të Asadit me gjasa do të përballet me më shumë rezistencë”, tha me telefon nga Tirana Besar Likmeta, redaktor i lajmeve për faqen e internetit “Balkan Insight”.

“Marrja e armëve për shkatërrim tani, pas imponimit të një ndalimi të mbeturinave jo të rrezikshme, është shitje e vështirë”. Gjithashtu ekzistojnë pyetje serioze në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të siguruar materialet e rrezikshme. Në vitin 2008, në një shpërthim në një depo municioni jashtë kryeqytetit, ku po shkatërroheshin predha artilerie të vjetra, u vranë 26 persona dhe plagosën 300 të tjerë. Pjesa më e madhe e mbeturinave të gazit të saj mustardë (sinapit) nga programi mbetet e ruajtur në kontejnerë të mëdhenj në një strukturë ushtarake pranë Tiranës.

Likmeta tha se kur ai e vizitoi bazën javën e kaluar, nuk kishte asnjë roje në horizont. Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, tha të premten se vendi i tij nuk ka “mjetet e nevojshme” për të shkatërruar stokun e Sirisë. Megjithatë, disa shqiptarë besojnë se duke e bërë këtë, Shqipëria mund të forcojë pozitën e saj në mesin e fuqive perëndimore dhe të ndihmojë synimin e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Në vitet 2000, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 45 milionë dollarë për të ndihmuar në shkatërrimin e 18 tonëve gazi mustardë të Shqipërisë. Eliminimi i programit shumë më të madh të Sirisë do të nxiste një fluks të ri parash dhe pajisjesh nga Perëndimi.

“Duhet të ketë disa para, natyrisht, edhe pse ne nuk e dimë se sa shumë”, tha Adrian Neritani, ish-ambasador shqiptar në Kombet e Bashkuara, i cili praktikon ligjin në Nju Jork. “Por, në qoftë se kjo është një mënyrë që Shqipëria mund të ofrojë ndihmën dhe asistencën e saj dhe të tregojë se ajo është një anëtare e mirë e komunitetit ndërkombëtar, pse jo?” Sondazhet e rendisin Shqipërinë, me një shumicë dërrmuese myslimane, në mesin e kombeve më pro-amerikane. Këto ndjenja datojnë që nga Presidenti Woodroë Wilson, i cili mbështeti pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe u forcuan gjatë fushatës ushtarake të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë, rajon me shumica etnike shqiptare, që më vonë shpalli pavarësinë nga Serbia. Shqipëria dërgoi një kontingjent të vogël trupash në Afganistan dhe ishte mes vendeve të para që dërgoi ushtarë në Irak. Në vitin 2007, kur presidenti i atëhershëm George W. Bush ishte duke u turpëruar nëpër Europë, ai mori mirëpritjen e një heroi në Tiranë. Qeveria këtë vit i paraqiti ish-sekretarit të Mbrojtjes së Bushit, Donald Ramsfeld, një medalje si falënderim për mbështetjen në vitin 2009 me hyrjen e Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Në një vizitë zyrtare muajin e kaluar, Hoyt Yee, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, thuhet se ka vizituar disa poste kufitare. Në vërejtjet publike, Yee vlerësoi “marrëdhëniet e forta të miqësisë dhe partneritetit” mes dy kombeve. Me më pak delikatese, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u citua nga Radio Europa e Lirë të enjten, duke thënë se “të gjithë partnerët përgjegjës të NATO-s duhet të gjejnë një mënyrë për të kontribuar” për t’i hequr Sirisë armët kimike.Ishte një kujtesë, tha Likmeta, se “të gjitha qeveritë shqiptare janë të prekshme nga presioni i SHBA”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama