Kazino, lojëra fati apo qendra ku vihen baste mbi ndeshje futbolli, basketbolli, volejbolli, së fundmi edhe për gara kuajsh, të zë syri kudo. Një pamje e tillë të bën të mendosh se shqiptarët janë me të vërtetë të interesuar për të “luajtur” me xhepat e tyre. Aktualisht, në vendin tonë regjistrohet një numër i vogël lojtarësh që i zgjedhin këto ambiente për të kaluar kohën e lirë, pasi pjesa më e madhe e tyre i frekuenton ato nga lakmia për t’i fituar paratë në mënyrë të shpejtë. Këta kategorizohen tek personat që me apo pa dashje e lejojnë veten të zhyten në kthetrat e varësisë, nga e cila është vështirë të dalësh, në mos thuhet, është e pamundur.
Qendra të tilla në Tiranë të krijojnë përshtypjen e “kërpudhave” pas shiut, shtohen dita-ditës. Kazinotë ndodhen kryesisht në zonat e qendrës, apo e thënë ndryshe në lagjet e rrugët më zë të kryeqytetit, ndërsa bastet sportive janë përhapur aq shumë, sa është e pamundur që t’i numërosh, qoftë edhe brenda një lagjeje të caktuar.
Përfaqësuesit e këtyre aktiviteteve në Tiranë pohojnë se zonat më të preferuara për të punuar me bastet janë lagjet apo rrugët dytësore dhe zonat periferike, kryesisht jashtë asaj që quhet “vija e verdhë”.
Arsyet pse këto qendra frekuentohen në masë janë nga më të ndryshmet. Ka nga ata që thonë se luajnë thjesht për qejf, por ka edhe nga ata që për shkak të ekonomisë së dobët, rrezikojnë edhe paratë e fundit që i kanë mbetur në xhep me shpresën se do të fitojnë edhe një herë më shumë nga ç’kishin në fillim.
Këtu fillon dilema më e madhe me veten dhe pasojat që përjetojnë bixhozxhinjtë. “Kur bëhet fjalë për të fituar para, dëshira për të luajtur është e madhe, sidomos kur shijon për herë të parë paratë e fituara nga lojërat e ndryshme që ofrohen në këto qendra”, thotë Meti nga Tirana, që për ndeshje të forta, e ka për zakon të vendos loto, sidomos kur bëhet fjalë për kombinime me koeficient të lartë.
Por, ajo që të pret pas kësaj është e dhimbshme…
Vartësia ndaj lojërave të fatit dhe lojërat me zare apo letra në mënyrë legale apo ilegale, sjellin pasoja të rënda financiare, konflikt në marrëdhënie familjare e shoqërore, por edhe çrregullim mendor, neuroza, ankthe e paqendrueshmëri emocionale.
Këtë e vërteton pamja e një numri njerëzish që aktualisht enden rrugëve të kryeqytetit që shpesh flasin me vete apo reagojnë në mënyrë agresive për vogëlsinë e parë të diskutimit në komunitet. Shpesh na ka rastisur të dëgjojmë që shkak për gjendjen e një personi që sot ka mbetur pa shtëpi, fëmijë, grua apo para, por mbi të gjitha që vuan si pasojë e problemeve mendore, ka qenë bixhozi.
Sicc tregohet edhe nga menaxherët e pikave të basteve, filozofia e një “bixhozxhiu” është: Edhe pse pa asnjë lekë, ti rikthehem lojës për të fituar paratë e “flijuara” apo të marra borxh tek ndonjë mik i tiji. Kështu, i zhytur në borxhe, ai "lufton" për të siguruar paratë e humbura, pa e kuptuar që po fundoset edhe më tepër në këtë rrugë të errët. Teksa pasuria familjare “shkrihet”, miqësia humbet, realiteti ka treguar se zgjidhja e vetme për këta persona mbetet mashtrimi, vjedhja dhe për të arritur në një vendim fatal, siç është vetëvrasja.