“Shqipëria merr sot dritën jeshile për statusin kandidat në BE”. Këtë ka paralajmëruar agjencia e lajmeve ANSA ditën e djeshme, sa i përket statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Komisioni Evropian do t’i japë zyrtarisht ftesën Shqipërisë për të qenë vend kandidat për në Bashkimin Evropian, por do të jetë një “PO” e kushtëzuar. Sipas ANSA-s, Shqipëria mund të marrë statusin, por vetëm mbi bazën e një numri kushtesh, që lidhen me procesin e reformave politike, që po zhvillohen në vend. Tani për tani fillimi i negociatave për anëtarësim nuk është përfshirë në propozimin e Komisionit Evropian.
Kushtet që do të shoqërojnë Shqipërinë, e cila ka aplikuar për anëtarësim më 27 prill të vitit 2009, duhen plotësuar para se të mbyllet muajit dhjetor, kur vendet anëtare do të marrin në shqyrtim rekomandimin e Komisionit, për të vendosur nëse vendi e meriton apo jo statusin kandidat.
Për sa i përket Kosovës, sipas ANSA-s, nuk ka asgjë të re tek raporti i BE-së për Serbinë dhe asnjë sinjal konkret të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Nga ana tjetër, portali “Euobersver.com” paralajmëroi dje se Britania e Madhe dhe Holanda janë dy vendet që mund të bllokojnë sot vendimin për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.
Një delegacion gjerman përfundoi të premten e kaluar një vizitë zyrtare në Shqipëri. Delegacioni kryesohej nga deputeti i Unionit Kristiandemokrat(CDU), Gero Storjohann, i cili në një intervistë të dhënë për “Deutsche Welle-n”, ka theksuar se Gjermania do të jetë e kujdesshme në marrjen e vendimit për Shqipërinë, për sa i takon dhënies ose jo të statusit të vendit kandidat në BE.