Sigurisht që si autorja ashtu edhe rrathët sqimatarë të lexuesve albanologë e sllavistë janë më se të ndërgjegjshëm që kemi të bëjmë në rastin konkret me pasqyrimin gjuhësor të bashkëjetesës ndëretnike midis bartësve të shqipes me ata popuj sllavë të jugut, të cilët erdhën, kërkuan dhe gjetën qysh herët fqinjësi në këto vise të Ballkanit Perëndimor dhe Qendror, duke ndikuar reciprokisht e në vazhdimësi, për më se 15 shekuj me radhë, fazat vendimtare në zhvillimin të etnogjenezës shqiptare, përkatësisht të asaj serbe/ma¬lazeze.
Omari udhon kështu në hullinë farëmirë që hapën atëbotë themeluesit e paradigmës moderne të albanologjisë (shek. XIX) si Fr. Miklosich e G. Meyer, që u thellua më pas në shek. XX në traditën e studimeve të mirëfillta të kontakteve ndërgjuhësore me emra të tillë të njohur si A. M. Seliš?ev, N. Jokl, M. Vasmer, I. Popovi?, A. Desnickaja, E. Çabej etj., e për të vijuar në kohën tonë me punimet serioze të G. Svane-s, Xh. Yllit etj.
Kur dhe ku u përftua kjo fqinjësi dhe në ç’rrethana historike u zhvilluan kontaktet gjuhësore ndërmjet sllavëve të jugut dhe shqiptarëve? Janë këto disa ndër çështjet themelore që preokupojnë autoren në kreun I të punimit. Sigurisht që vështirësitë e hulumtimit vijnë e shtohen, sa më shumë shtyhemi në kohë, kur edhe dëshmitë historike jesin në proporcion të zhdrejtë, pasi vijnë e rrudhen gjithnjë e më shumë si në numër ashtu edhe në domethënie.
Pa dyshim që një pikë të mirëfilltë orientimi kumtojnë edhe për autoren kronikat e Prokopit të Cezaresë, biografit të Justinianit, mbi inkursionet sllave në këto vise që datohen prej gjysmës së shek. VI. Bash në këtë periudhë, kur jemi në gjendje të izolojmë me metoda të mirëfillta gjuhësore vendbanimet e bashkësisë etnike shqipfolëse në hapësirën e sotme jetike (“Hylli i Dritës” 1 [2010] 39vv.), arrijmë të datojmë tash me po atë siguri edhe fiksimin e lashtë në mendësinë popullore shqiptare të kontakteve të para me sllavët e jugut. Domethënës në këtë drejtim është kronologjia (shek. V/VI) dhe historia e brendshme e emrit etnik shqa (shka, shkja, shkla) ~ shum. shqe (shkíe, shkje, shkle) prej lat. sclavus ~ sclavi (pranë gr. bizant. sklavos ~ sklavoi – shek. V/VI e.j.)
Autorja nuk mungon të përditësojë fillimisht lexuesin me vështirësitë e hulumtimit në fazën e parë të këtyre kontakteve, sidomos në periudhën midis shek. VI/VII – XI, duke iu bashkuar gjithsesi mendimit mbizotërues në albanologji, që marrëdhëniet shqiptaro-sllavojugore e më pas -serbe/malazeze erdhën e u intensifikuan dukshëm me ngjizjen dhe formëzimin e shkallëshkallshëm të etnogjenezës serbe (e malazeze) në mijëvjeçarin e dytë të erës sonë, bash me shtrirjen e perandorisë serbe të Nemanjidëve në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë në shek.
XII, përkatësisht shek. XIII, duke arritur një pikë kulmore gjatë sundimit të Stefan Dushanit në shek. XIV. Periudha e mëvonshme, sidomos ajo e shek. XIV-XV, shënon një fazë të re në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, pasi nuk kushtëzohet më në binomin pushtues-vendas, por përftohet në kushtet e marrëdhënieve të ndërsjella të fqinjësisë ndëretnike. Këto marrëdhënie pa dyshim janë të pranishme sot e gjithë ditën në zonat kufitare të hapësirës kompakte shqipfolëse.
Në kreun ndjekës autorja përqendrohet në historikun e studimeve të derisotme, duke krehur në vijimësi e në mënyrë kritike pikëpamjet kryesore të shprehura deri sot në debatin albanologjik dhe ballkanologjik lidhur me ndikimet e serbishtes në nivelet e ndryshme të sistemit gjuhësor të shqipes, si në fonetikë, morfologji, sintaksë dhe fjalëformim. Të befason këtu nga njëra anë erudicioni që përcjell autorja në vepër e nga ana tjetër përzgjedhja e kritereve metodike dhe e aparatit shkencor në analizën empirike të fakteve gjuhësore, që do t’i japin asaj më pas siguri qoftë në izolimin e secilit huazim në veçanti si pjesë e fondit leksikor me burim serb, përkatësisht malazez (dhe jo bullgaro-maqedon), ashtu edhe në përcaktimin e kronologjisë së huazimit. Autorja ndjek në këtë drejtim hullinë e hapur më parë në punimet e disa studiuesve vendas e të huaj, ku feks sidomos metodika e punës së albanologes ruse A.
Desnickaja dhe studimet e mirëfillta etimologjike të E. Çabejt që i kushtojnë një rëndësi të veçantë përhapjes dialektore të huazimit, çka parakupton një punë intensive kërkimore në terren. Përndryshe autorja e saktëson me tej këtë metodikë, duke i dhënë impulse të reja përcaktimit të kronologjisë relative e absolute të huazimit përkatës. E në këtë kuadër një ndihmë të konsiderueshme jep padyshim prania ase mungesa e huazimeve në kulturën e shkrimit shqip të autorëve të vjetër të Veriut.
Kreu III: Ndikimet nga serbishtja në leksikun e shqipes përbën korpusin monumental të studimit, që është produkt përfundimtar i analizave të kombinuara gjuhësore-përshkruese dhe etimologjike, të cilave i nënshtrohet i gjithë materiali i vëllimshëm gjuhësor a) i mbledhur personalisht në terren (15 pika); b) i vjelë në fjalorë, glosarë e doracakë të ndryshëm të botuar deri sot, e jo gjithherë c) i hetuar e trajtuar më parë në studimet simotra. Ky rezultat bëhet sa i dukshëm aq edhe i numërueshëm në një glosar etimologjik prej 586 njësish leksikore, për të cilat autorja saktëson origjinën serbe e malazeze. Gjurmimi i përhapjes së tyre dialektore i mundëson asaj edhe hetimin e valës së intensitetit të këtij ndikimi, i cili është shumë më i fuqishëm në zonat kufitare të hapësirës kompakte shqipfolëse (p.sh. lugina e Valbonës me rreth 300 njësi, apo zona e Malësisë së Madhe me 220 syresh) e që vjen e humbet në forcë sa më shumë afrohemi drejt Jugut (zona e Lezhës dhe e Malësisë së Tiranës me 130 njësi). Por jo vetëm kaq. Interes të veçantë fiton në këtë rast edhe saktësimi i kronologjisë së sllavizmave në shqipe.
Një punë e parë që jep dorë në këtë drejtim është krehja e materialit gjuhësor që ofrojnë përmendoret e hershme të autorëve të Veriut, me të cilët autorja ka fituar ndërkohë një përvojë të veçantë. Rezultat i punës së akribitë filologjike në këtë drejtim janë plot 116 njësi leksikore që rezultojnë të kenë hyrë me siguri në shqipe para shek. XVI – XVII. Depërtimi i sllavizmave në gjuhën e sotme standarde, shndërrimet fonologjike të kryera në huazimet serbe të shqipes e sidomos kronologjia e depërtimit të tyre në shqipe, janë çështjet që përmbyllin angazhimin kryesor të autores në punim.
Sigurisht që gjithë kjo ndërmarrje do të ishte e paplotë, sikur të trajtohej vetëm një kah i marrëdhënieve gjuhësore në kontakt midis shqipes dhe serbishtes. Kahut tjetër i kushtohet kreu IV me karakter kryesisht informativ për rezultatet e arritura deri sot në këtë drejtim, si edhe për orientimin që mund dhe duhet të marrin studimet e marrëdhënieve gjuhësore shqiptare-serbe në të ardhmen. Përfundimet bindëse, të përmbledhura në fund të punimit, sikurse edhe bibliografia me mbi 200 tituj e studimeve të marra në analizë përmbyllin këtë vepër që është një studim model i kontakteve historike të shqipes me gjuhët fqinjë.
Libri:
Anila Omari: Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe, Qendra e Studimeve Albanolo¬gjike – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Botimet Albanologjike, Tiranë 2012, 420 f.
Prof. Bardhyl Demiraj