Emri shqip i "pagëzimit", gjë që ka ndodhur edhe me kolege më të vjetra të Çen Fenhuasë, në Kinë përfaqëson një lule tjetër që gjithsesi është një simbol që bart gëzim. Mësimin e shqipes ajo e ka nisur nga zero. Nuk dinte asgjë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe as ka parë filma të Kinostudios. E studioi katër vjet në nivel universitar, pastaj ndoqi dy vjet e gjysmë studimet pasuniversitare, vazhdoi 3 vjet punë në Zyrën e Punëve të Jashtme të Universitetit dhe para një viti u vendos në departamentin e gjuhës shqipe.
Çen, e takuam në Akademinë e Shkencave, po punon aktualisht për mbledhjen e të dhënave më të reja për gjuhën shqipe dhe për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Kinë. Fjala vjen: nga materialet shqip që ajo ka shqyrtuar ka nxjerrë probleme që kanë të bëjnë me pastërtinë e standardit. Në median tonë ajo gjen jo pak materiale për mësim, por që s'mund t'i përdorë për shkak të problemeve. "Me ndikimin e globalizimit, gjuha shqipe ashtu si gjuhët e tjera ka pësuar shumë nga gjuhët më dominuese, sidomos nga gjuha angleze dhe gjuha italiane. Kjo tendencë në një farë mënyre prish pastërtinë e gjuhës shqipe dhe njëkohësisht ngatërron dhe të huajt që merren me gjuhën shqipe. Në këto aspekte, dëshirojmë t'i bëjmë një thirrje medias, të gjithë shkrimtarëve, gazetarëve, studiuesve jo vetëm shqiptarë, por dhe të huaj që merren me gjuhën shqipe, të distancohen sa më shpejt nga kjo tendencë dëmtuese në gjuhën shqipe", thotë Çen me një farë pragmatizmi.
Këtë moment mes gjuhës së saj, kinezçes dhe shqipes ajo e fut tek karakteristikat që ka pasur marrëdhënia e tyre që nga viti 1961 kur në universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit u themelua departamenti i Gjuhës Shqipe. Gjatë kësaj gjysme shekulli shqipja në Kinë "ka pësuar ngritje e rënie, ngrohje e ftohje" dhe se "tani është koha e duhur për të nxitur me forcë zhvillimin e mësimdhënies dhe të studimeve të gjuhës shqipe".
Nga viti 1992 deri vitin 2008 departamenti ka përgatitur 4 breza me 71 studentë kinezë në nivel universitar. Në vitin 2000 filloi programi i kualifikimit pasuniversitar 2.5 vjet. Deri tani janë kualifikuar 3 studentë pasuniversitarë. Së fundi pritet që të diplomohen 22 studentë dhe do të hyjnë në auditorë 16 të tjerë. Duken pak në numër, por Çen na thotë se duhet të mbajmë parasysh që shqipja është një nga 15 gjuhët si polonishtja apo çekishtja që jepen në Universitet. Veç kësaj ka probleme që nuk kapërcehen pa vullnetin e institucioneve të larta shtetërore midis dy vendeve. Departamentit të shqipes në Universitetin e Pekinit i mungojnë të dhënat mësimore të reja, duke përfshirë libra, gazeta, materiale dëgjimi. Materialet mësimore janë të viteve '80-'90, janë vjetruar së tepërmi, "nuk përputhen me zhvillimin e shpejtë të mësimdhënies dhe me kërkesat e studentëve të sotëm".
Problem tjetër sipas Çen Fenhuasë është numri i pamjaftueshëm i pedagogëve. Me mësimdhënien dhe punën kërkimore merren vetëm dy pedagogë kinezë Kë Xhin, vetë Çen Fenhua dhe një ekspert shqiptar, Ruzhdi Stringa. "Kemi edhe disa pedagogë pensionistë si In Çanljan, Gji Bin, Sja Çën, Çang Linhuei dhe Sjao Kueifen të cilët ndonëse në pension, vazhdojnë të japin kontribut në punën kërkimore, p.sh. në hartimin e teksteve që përdoren për mësim dhe në përpilimin e Fjalorit shqip-kinezisht". Çen shton se diçka është përmirësuar në programin mësimor. Vazhdon të jepen lëndët tradicionale, si lexim intensiv, lexim shtypi, praktikumi i gjuhës, historia dhe gjeografia shqiptare, historia e letërsisë shqiptare, ushtrime në të shkruar, përkthim me shkrim, përkthim me gojë, por kanë hyrë disa lëndë me zgjedhje, si Shoqëria dhe kultura e Evropës së Qendrore dhe Lindore, Historia e përgjithshme botërore etj.
Çfarë bëhet me studentët që mbarojnë gjuhën shqipe, ku shkojnë? "Natyrisht jo të gjithë studentët kanë mundësi të merren me gjuhën shqipe pas diplomimit. Në qoftë se kanë interes, punësohen në Ministrinë e Jashtme të Kinës, në Agjencinë Sinhua, në Radion e Jashtme të Kinës...", sqaron pedagogia e re e shqipes.
Studentët e fundit të shqipes, më shumë se gjysma, u specializuan për një vit shkollor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndodhi falë marrëveshjes midis MASH dhe Ministrisë së Arsimit të Kinës.
Vitin e shkuar Çen Fehua botoi në shqip "Analizë e prejardhjes së simbolit "shqiponjë" të shqiptarëve". Na tha se ky është një vështrim krahasues që ajo ka bërë mbi simbolin që e gjejmë shpesh në flamujt e vendeve evropiane. "Mendoj që për shqiptarët ky simbol është më i veçantë, sepse është i lidhur më ngushtë me historinë, me gjuhën vetë. Nëse në vendet e tjera paraqet fuqinë e shteteve, për shqiptarët është më shumë një shenjë identiteti."
Pas kthimit në Kinë e pret puna për mbylljen e fjalorit shqip-kinezçe, që do të ketë mbi 20 mijë fjalë, një fjalor i mesëm me destinacion studentët dhe njerëzit që u intereson të mësojnë gjuhën shqipe.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli