"Ne mendojmë se rrethana të ngjashme kanë sunduar edhe në të gjithë Ballkanin, pra që njerëzit kanë përdorur më shumë se një gjuhë brenda një dite për të komunikuar me të tjerët", thotë Shumaher në një intervistë me Deutsche Wellen. Për të mësuar më shumë se si shqipja ka ndikuar ndaj gjuhëve tjera të Ballkanit doktori i shkencave linguistike ka filluar në vitin 2006 një studim tre vjeçar për shqipen e vjetër, së bashku me kolegun e tij, albanologun Joachim Matzinger. "Joachim Matzinger dhe unë jemi marrë me shqipen prej shumë kohësh. Shumë shpejt kuptuam se kushdo që merret me këtë i bazon gjykimet për shqipen dhe historinë e saj tek gjuha e sotme moderne. Ne e dinim se qysh nga shekulli i 16-të e këtej ekziston një korpus i madh letrar, i cili duhet studiuar me themel", thotë Shumaher më tej.
Si bazë për këtë studim, shërbejnë kryesisht, shkrimet e shekullit të 15 dhe 16, studimi i të cilave në periudhën e komunizmit nuk arriti të bëhej i plotë, edhe për faktin se ato kishin përmbajtje fetare. Shumaher ka analizuar deri tani afro 60 për qind të Pjetër Bogdanit, ndërsa Matzinger po merret me Budin. Bartja e ndikimeve gjuhësore mendohet të ketë ndodhur përmes barinjve shtegtarë si dhe përmes latinishtes.
Ndikimi i shqipes i konsiderueshëm
Qysh tani ata kanë vënë re, se shqipja e vjetër, e cila mendohet të jetë të paktën 2500 vjeçare, ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhëve ballkanike. "Kjo vihet re qartë tek rumanishtja, e cila është shumë më ndryshe nga gjuhët e tjera romane dhe megjithatë ka disa veçori që janë tipike edhe për shqipen e sotme. Kështu për shembull që nyja bashkangjitet në fund të foljes, ndërkohë që të gjitha gjuhët e tjera romane e vënë atë në fillim, sqaron Shumaher.
Bardhyl Demiraj, profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut, ka qenë referenti i parë i projektit dhe është i gëzuar që ky projekt po mbështetet edhe nga Fondi për Shkencën, institucioni qendror i Austrisë për financimin e studimeve bazë. "Shtefan Shumaher është një indoeuropianist i njohur, por ndërkohë po bën emër edhe në albanologji si edhe në disa fusha të tjera të shkencave historike e gjuhësore. Ai është një njohës shumë i mirë edhe i gjuhëve rrënoja të Evropës Qendrore dhe në veri të Ballkanit. Ndërkohë që Matzinger është më i ri, është një albanolog i mirëfilltë, i cili ka botuar mbi 25 artikuj", vlerëson Profesor Demiraj.
Studiuesit po përdorin jo vetëm një bazë të re materiale, por edhe metodat më të reja të indoevropianistikës, vlerëson Demiraj. Një rezultat i këtij projekti pritet të jetë një fjalor me foljet e shqipes së vjetër. Dy studiuesit austriakë pritet të japin një ndihmesë të çmuar në studimet albanologjike, duke i qendruar kështu besnikë traditës austriake në këtë lëmi, gurin e parë të së cilës e vuri po në Vjenë, profesor Norbert Jokl, rreth 100 vjet më parë.
Anila Shuka : DW