Shqipja standarde perballe kompleksit te Rozafes

Shqipja standarde përballë kompleksit të Rozafës
Naimit u gjend në kryqëzimin e dy traditave poetike
Kam rënë në gjurmë të gramatikës të gjuhës të Luigj Gurakuqit
Kozmo Serembe,  ka lënë në dorëshkrim poemën "Kënkat e Krujës"
Bejtexhinjt janë autorë që e shkruan shqipen me alfabet arab
Shqipja është tipari themelor identitar i kombit, pasuria e tij më e madhe shpirtërore
Gjuha e standardizuar është një nga arritjet më të mëdha të njësimit shpirtëror të shqiptarëve
Kongresi i Drejtshkrimit si të thuash "certifikoi" standartin
Vendimet e Kongresit të Manastirit ishin baza e normës letrare të shqipes
Të flasësh sot për krijimin e një standardi të ri do të thotë të kthehesh prapa
Dy dialektet e shqipes nuk kanë ndryshime të thella midis tyre
Toskërishtja ishte më homogjene se gegërishtja
Abuzohet kur thuhet se toskërishtja "i ka hyrë në hak" gegërishtes
Tri janë dallimet mes dy dialekteve: rotacizmi, hundorësia dhe paskajorja
Instituti i Gjuhësisë, ka ndërprerë punën për një fjalor të madh, të shqipes
Nuk po bëhen më ekspedita dialektologjike
Eshtë ndërprerë botimi i kolanës "Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar"
Në Kushtetutë ka një nen që e detyron shtetin të mbrojë gjuhën shqipe
Shqipja është një gjuhë që ballafaqohet me veprën e Homerit, të Virgjilit
I Kadareja dhe Qosja i përmbahen pikëpamjes se krijimi i shqipes standarde është një arritje e kulturës kombëtare

 

Krijimtaria juaj e fundit, ç'jeni duke punuar?
            Fusha ime e punës është historia e letërsisë shqipe, kryesisht letërsia e Rilindjes Kombëtare. Pas botimit të monografisë "Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit" punoj për një punim më tërësor që ka për objekt  tërë krijimtarinë e Poetit tonë kombëtar, edhe epikën, edhe prozën, edhe veprën diturore, të vështruar në kontekstin kulturor e historik të kohës, si dhe në një kontekst më të gjerë që ka të bëjë me formimin intelektual të Naimit dhe me faktin se ai u gjend në kryqëzimin e dy traditave poetike, lindore e perëndimore, duke marrë prej tyre elemente që përputheshin me frymën dhe me programin kulturor të lëvizjes mendore dhe politike të Rilindjes Kombëtare, së cilës ai iu kushtua. Njëkohësisht, krahas kësaj pune, drejtoj një projekt ambicioz për botimin e klasikëve të letërsisë shqipe, në kuadrin e kolonës "Visare të letërsisë shqiptare", ndërmarrë dhe financuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit "Toena". Kjo kolanë mëton të vërë në qarkullim, në mënyrë sa më të plotë, trashëgimin letrar të klasikëve tanë, duke siguruar botimin integral të veprës së tyre, me tekst të stabilizuar, të pastruar nga gabimet, nga ndërhyrjet e censurës ose ndërhyrjet redaksionale, me fjalë të tjera synon t'i japë lexuesit tekstin autentik, që shpreh vullnetin e shkrimtarit, një tekst të stabilizuar me kritere shkencore. Shpresoj që me këtë kolanë lexuesit të kenë në bibliotekën e tyre veprën e klasikëve tanë. Deri tani si pjesë e këtij projekti ka dalë nga shtypi vepra e N. Frashërit në 6 vëllime, vepra e Çajupit në 5 vëllime, vepra e J. Varibobës, dhe vepra e Shirokës, ndërsa janë në shtyp vepra e P. Vasës në 5 vëllime si dhe vepra e Gavril Darës (të Riut).

            Gjithashtu jam duke përgatitur për shtyp një përmbledhje me studime. Pjesa e parë e librit do të përmbajë artikuj e studime për autorë dhe probleme kryesisht të letërsisë së Rilindjes, të botuara dhe të pabotuara; pjesa e dytë do të ketë portrete e medaljone të njerëzve të shquar të kulturës dhe të shkencës shqiptare, ndërsa pjesa e tretë tekste të autorëve të shek. XVIII-XIX të panjohura, ose të pabotuara deri më sot.

  Ju folët për tekste të panjohura. Lexuesi mund ta dijë paksa se kush fshihet pas këtyre emrave dhe teksteve të panjohur? Më tepër për kureshtje..
            Fjala vjen, është pohuar se Luigj Gurakuqi ka shkruar një gramatikë të gjuhës shqipe e cila mendohet e humbur dhe ka mbetur e panjohur. Unë kam rënë në gjurmë të kësaj vepre dhe dëshiroj që t'ia bëj të njohur publikut duke e vënë në qarkullim shkencor.
            Po ashtu, një poet arbëresh i gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, Kozmo Serembe, nipi i Zef Serembes, ka lënë në dorëshkrim një poemë të gjatë me titull "Kënkat e Krujës" me temë nga epopeja shqiptare e shek. XV kundër pushtimit osman, me figurë qendrore Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Këtë poemë kam pasur rastin ta konsultoj në dorëshkrim më 1967, kam botuar disa fragmente dhe kam shënime përkatëse, por teksti integral i dorëshkrimit nuk është botuar. Mendoj të botoj fragmentet e regjistruara prej meje, në kushtet kur në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, nuk e gjej më dorëshkrimin në fjalë. Shpresoj të mos ketë humbur, në të kundërt këto fragmente do të jenë e vetmja dëshmi e mbetur prej kësaj poeme, me interes për historinë e zhvillimit të eposit arbëresh për Skënderbenë.

            Së fundi në këtë ndarje të librit do të përfshij edhe disa variante tekstesh të ndonjë autori të ashtuquajtur bejtexhi, variante të regjistruara në shekullin që shkoi, por të panjohura si variante. Dëshiroj të theksoj se emërtimi bejtexhi për këta autorë që e shkruan shqipen me alfabet arab, nuk ka asnjë ngjyresë përkeqësuese, pra nuk përdoret në funksion aksiologjik, vlerësues, por në funksion tipologjik. Këta autorë, që ndoqën modelet poetike të letërsive orientale, u quajtën bejtexhi, prej termit bejt, që është dyvargëshi (distiku), një formë strofike e poezisë orientale. Edhe pse ishte produkt i ndikimit të kulturës së pushtuesit, poezia e bejtexhinjve, që u zhvillua kryesisht gjatë shek. XVIII, ka meritën se autorët e saj, duke shkruar shqip (edhe pse me alfabet arab) dëshmonin një vetëdije kombësie që e dallonin veten nga etnitë e tjera të Perandorisë Osmane ku bënin pjesë edhe shqiptarët, por ka edhe meritën se trajtoi në mënyrë të gjerë temën laike dhe se shënoi një shkëputje nga letërsia e shek. XVI-XVII e cila plotësonte kryesisht funksione didaktike, utilitare, kurse poezia e bejtexhinjve është shprehje e një frymëzimi krijues subjektiv. Ky është një moment me rëndësi i zhvillimit të brendshëm të një letërsie si akt krijimi, dhe në këtë vështrim njohja e kësaj krijimtarie ka rëndësi për njohjen e historisë së procesit letrar në Shqipëri.

 Për njësimin e gjuhës shqipe, për standardizimin e saj, ka zëra që flasin për rishikim. Cili është mendimi juaj për këtë diskutim?
            Kjo është një temë mjaft e gjerë, një çështje mjaft e ndjeshme për shoqërinë shqiptare, një debat që herë fashitet e herë gjallërohet, një diskutim që e kam përshtypjen se më shumë nxitet nga motive jashtëshkencore se sa shkencore. Interesimi për shqipen, për zhvillimin dhe pasurimin e saj, është krejt i natyrshëm, sepse shqipja është tipari themelor identitar i kombit, pasuria e tij më e madhe shpirtërore. Shqipja standarde, siç quhet sot në terminologjinë moderne, është element themelor i mjedisit jetësor  të shqiptarëve, ajo është mjet, i pazëvendësueshëm i komunikimit midis shqiptarëve, jo vetëm të Shqipërisë politike por të Shqipërisë gjuhësore (ose natyrore), pra të shqiptarëve që jetojnë  në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, dhe në diasporë. Kjo gjuhë e standardizuar është jo vetëm gjuha moderne e kulturës moderne të shqiptarëve, por dhe një nga arritjet më të mëdha të njësimit shpirtëror të shqiptarëve. Zërat që flasin për rishikim të standardit, siç thoni ju, ose për krijimin e një neostandardi, e trajtojnë kodifikimin e normës gjuhësore të shqipes që miratoi Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, si një akt administrativ, të imponuar nga politika.

            Në të vërtetë Kongresi i Drejtshkrimit me vendimet e tij kurorëzoi një proces të gjatë të zhvillimit të shqipes, prirjen e saj të natyrshme që është karakterizuar nga konvergjenca, afrimi, përqasja e dialekteve. Gjuha letrare e njësuar ka qenë një kërkesë e brendshme e zhvillimit dhe e emancipimit kombëtar e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk mund të hynin në rrjedhat e jetës moderne, pa një gjuhë letrare moderne. Ajo është vepër e gjithë brezave të lëvruesve të shqipes, të cilët i kanë dhënë asaj njësinë, forcën dhe hijeshinë e një gjuhe të përpunuar, të normëzuar e të aftë për të shprehur shpirtin e folësve të saj, konceptet e jetës, të mendësisë e të dijes bashkëkohore. Kongresi i Drejtshkrimit si të thuash "certifikoi" një proces që ishte në përfundim e sipër, e që kish nisur shumë më herët. Akti i parë madhor kombëtar i unifikimit të saj ishte Kongresi i Manastirit, mbajtur më 1908, i cili, me miratimin e alfabetit që kemi sot me 36 shkronja, (duke e thjeshtuar në 36 shkronja sistemin fonologjik me regjistër shumë të gjerë të dialekteve të shqipes) shënoi a piketoi udhën në të cilën duhet të ecte ky proces. Në këtë kuptim vendimet e Kongresit të Manastirit ishin baza e konsolidimit të normës drejtshkrimore dhe, për pasojë, të normës letrare të shqipes. Kongresi i Drejtshkrimit nuk bëri tjetër veçse sanksionoi këtë proces konvergjence gjuhësore të shqipes.

 Po si qëndron puna me dy dialektet?
            Ekzistenca e dy dialekteve është një realitet i shqipes, i pasurisë së saj, por për fat të mirë vetëm i dy dialekteve, se ka gjuhë me dy e dymbëdhjetë a më shumë dialekte, dhe aq më tepër për fatin e mirë se këto dy dialekte nuk kanë ndryshime të thella midis tyre, përkundrazi ndryshimet janë fare të vogla, gati të papërfillshme, po të krahasohen me ndryshimet që paraqesin midis tyre dialektet e shumta të gjuhëve të mëdha, fjala vjen italishtes, por dhe të frëngjishtes, gjermanishtes, spanjishtes, etj., të cilat, megjithatë, shekuj më parë e kanë zgjidhur problemin e standardit të tyre, duke vënë në bazë gjuhën e një të folmeje; ( në rastin e italishtes të së folmes së Toskanës në të cilën krijoi poeti i madh Dante Aligeri). Në këto kushte ekzistenca e dy dialekteve të shqipes, me dallime aq të vogla nuk ishte një pengesë e pakapërcyeshme. Siç pohon gjuhëtari danez, një autoritet në albanologji, H. Pedersen, "nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi".
            Çdo dialekt në parim si mundësi mund të vihet në bazë të gjuhës standarde.

Po në rastin tonë pse u zgjodh toskërishtja?
            Thashë në parim ekziston kjo mundësi dhe kjo vlen edhe për gegërishten. Por në procesin e kristalizimit të njërit ose tjetrit dialekt veprojnë faktorë të ndryshëm kulturorë, historikë, disa herë dhe politikë, që favorizojnë njërin ose tjetrin dialekt. Në rastin konkret toskërishtja pati përparësi, jo për arsye politike kryesisht, por për arsye të brendshme të zhvillimit të saj në krahasim me gegërishten. Gjuhëtarë të njohur, midis tyre prof. Sh. Demiraj dhe prof. I. Ajeti, kanë vënë në dukje se toskërishtja ishte më homogjene se gegërishtja, d.m.th. se zhvillimi i të folmeve brenda toskërishtes kishte një prirje më konvergjente, në dallim nga gegërishtja, të folmet e së cilës, nga sa njihet prej Buzukut, janë diferencuar gjithnjë e më shumë nga njëra tjetra, për arsye të ndryshme historiko-kulturore, ndoshta edhe gjeografike. Kurse të folmet jugore kanë pasur një zhvillim më konvergjent, çka pasqyrohet dhe në krijimtarinë e shkrimtarëve që kanë përdorur një toskërishte letrare gjithnjë e më të njësuar. Sidomos nga Rilindja e këtej u krijua si të thuash një koine e toskërishtes letrare, ndërsa nga ana tjetër kemi një të folme të Shkodrës, fjala vjen, të folmet e arealit gjuhësor veri-lindor, por nuk kemi një gegërishte homogjene në shkallën që pat arritur toskërishtja, sidomos me veprën e Naimit, të F. Konicës, F. Nolit e të tjerëve. Kjo ishte një nga arsyet pse pati një farë përparësie toskërishtja në këtë proces. Aq e vërtetë është kjo sa një gjuhëtar tjetër, i emigracionit shqiptar, Namik Resuli, ka shkruar në gramatikën e tij të shqipes se "kur erdhi çasti për të vendosur për zgjedhjen e dialektit bazë të gjuhës së përbashkët, studiuesit e Tiranës, përkrahës të dialektit jugor, e gjetën atë pothuaj të gatshme, të njësuar në vijat e saj kryesore, ashtu siç e kishte përgatitur dhe ofruar Konica". Gjuha e Naimit, e Konicës, e Nolit, e Kutelit, e Poradecit, e J. Xoxes, I. Kadaresë e të tjerëve kishin krijuar pikërisht atë bërthamë homogjene të toskërishtes që shërbeu si bazë e shqipes standarde. Por kjo nuk do të thotë se është përjashtuar, ose nuk janë integruar në të elemente të të folmeve të dialektit tjetër, sidomos pasuria e tij leksikore, frazeologjike, por edhe elemente nga fusha e fjalëformimit, e trajtave morfologjike, ose e pasurisë dhe larmisë së strukturave sintaksore. Vetëm dy shembuj për ilustrim: Në fushën e fjalëformimit: sa qindra fjalë janë krijuar me emrin krye të gegërishtes, që janë pjesë e normës leksikore e fjalëformuese të standardit (kryetar, kryesi, kryeqytet, kryengritje, kryesor, kryeneç, etj. etj.) Sa mijëra fjalë janë formuar e pranuar nga norma e standardit me prapashtesën ues të gegërishtes, dhe jo onjës të toskërishtes? (mësues, punues, botues, mashtrues, vëzhgues, hetues, përçmues etj. etj.)

            Në këtë kuptim dua të them se abuzohet kur thuhet se toskërishtja "i ka hyrë në hak" gegërishtes. Si rregull i përgjithshëm, jo vetëm për rastin e shqipes, nga krijimi i gjuhëve standarde ka vetëm të fituar, sepse çdo dialekt humbet diçka dhe fiton diçka tjetër. Dëshiroj të kujtoj këtu një vëzhgim të mprehtë të I. Kadaresë i cili në një intervistë të dhënë, në mos gaboj, revistës "Hylli i dritës" ka vënë re se po të lexoni veprën e shkrimtares gjirokastrite Musine Kokalari "Si  më thotë nënua plakë" do të kuptoni se e folmja e Gjirokastrës me standardin e sotëm, ka humbur më shumë nga çka humbur e folmja e Shkodrës.

            Prandaj them se pohime të tilla, që e paraqesin një dialekt si "viktimë" dhe një tjetër si "fitimtar" bëhen me papërgjegjshmëri edhe profesionale, edhe qytetare e pse jo edhe politike, sepse ngjallin mëri dhe me dashje a pa dashje mbajnë gjallë demonët e përçarjes. Këto mendësi regjionaliste janë primitive dhe tingëllojnë anakronike në këto kohë integrimesh. Ne jetojmë në epokën e integrimeve dhe para se të integrohemi me të tjerët duhet të integrohemi mes vedi, dhe gjuha është një faktor themelor integrues, sepse ajo është mjeti i komunikimit, i shprehjes së kulturës së një kombi dhe i identitetit të tij të papërsëritshëm.

            Të flasësh sot për krijimin e një standardi të ri do të thotë të kthehesh prapa dhe të rrënosh atë që është ndërtuar me vite e me shekuj. Kjo sindromë e prishjes, çuditërisht mjaft e pranishme në ditët tona, të kujton kompleksin e kalasë së Rozafës, siç u shpreh një studiues arbëresh në konferencën "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot", organizuar më 1992 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave. Kompleksi i Rozafës do të thotë të prishësh natën atë që ke ndërtuar ditën, dhe nga ky kompleks duhet të ishim çliruar.

 Po cilat janë në të vërtetë dallimet kryesore midis dy dialekteve?

            Tri dallime janë të tilla: rotacizmi, hundorësia dhe paskajorja. Për dy të parat nuk do të flas, duke i konsideruar jo aq të qenësishme, për paskajoren po, sepse rreth kësaj çështjeje ka mjaft diskutime. është e vërtetë se mënyra paskajore e gegërishtes "ka mbetur jashtë standardit", por është e vërtetë gjithashtu se paskajorja është një pasuri e shqipes, me mundësi të mëdha shprehjeje, me rezonancë të gjerë semantike, dhe, si të thuash edhe "ekonomike" në përdorim, pra një nga vlerat dhe tiparet origjinale të gegërishtes. Por atëherë pse të mbetej "jashtë", do të pyesni ju.

            Nuk do të kishte asnjë paragjykim që paskajorja të ishte integruar, por puna është se përfshirja e saj do të sillte çrregullime në sistem, dhe kjo e ka bërë të pamundur integrimin e saj, vlerat e së cilës shprehen përmes lidhores. Zgjerimi i funksioneve të lidhores është karakteristike edhe për shumicën e gjuhëve të Ballkanit, të cilat gjithashtu e kanë humbur trajtën e pashtjelluar të paskajores. Kjo prirje e shprehjes së funksioneve të paskajores përmes lidhores është e hershme edhe në gjuhën shqipe. Që te Buzuku, në pasthënien e "Mesharit" fjala vjen, në 20 raste lidhorja është përdorur 14 herë, kurse paskajorja 6 herë. Në këtë kuptim ky përdorim nuk bie në kundërshtim me prirjen e zhvillimit historik të sistemit foljor të shqipes.

Po me leksikun si qëndron puna?
            Integrimin e pasurisë leksikore të dialekteve të shqipes, përfshirë edhe gegërishten, pa dyshim e larmishme në leksik dhe e pasur në frazeologji, nuk e pengon dhe nuk e kufizon aspak standardi. Kritikat se standardi pengon integrimin e pasurisë leksikore të gegërishtes, nuk i qëndrojnë së vërtetës. Standardi nuk paraqet asnjë kufizim për aktivizimin dhe rigjallërimin e leksikut të të gjitha të folmeve. Por është detyrë e lëvruesve të gjuhës, e shkrimtarëve, e gazetarëve, e përdoruesve publikë të shqipes, të riaktivizojnë gjithë pasurinë leksikore edhe të gegërishtes, të ngjallin fjalët "plaka" e të "harruara" dhe t'u japin jetë të re atyre. Detyra e gjuhëtarëve është ta mbledhin këtë leksik dhe ta pasqyrojnë në fjalorë. Por kur flasim për fjalorët duhet të kemi parasysh tipin e tyre, një fjalor i tipit të vogël, ose të mesëm, pasqyron vetëm një pjesë të leksikut të shqipes. Fjalori i vitit 1984 është një fjalor i tipit të mesëm me 40 e ca mijë fjalë, kurse shqipja ka shumë më tepër. Megjithatë në këtë fjalor, siç ka vënë re gjuhëtari shkodran D. Luka, kritik ndaj vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit, gjendet 80% e leksikut të Fishtës. Ju do të thoni pse 80% dhe jo 100%? Sepse kjo është prerja e fjalorit. Edhe nga leksiku i Naimit, i Kutelit, a i J. Xoxes, ju siguroj se po aq përqind ka mbetur jashtë.

            Nëse ka vend për kritikë duhet thënë me keqardhje pse Instituti i sotëm i Gjuhësisë, siç dëgjojmë, ka ndërprerë punën për një fjalor të madh, në disa vëllime të shqipes, punë e filluar prej kohësh, që do të pasqyronte gjithë pasurinë leksikore të shqipes. Pra nuk e pengon pasurimin e shqipes standardi, aq më pak nuk është e vërtetë se standardi nuk e pranon këtë pasuri. Në këtë kuptim më ka çuditur shprehja e një poeti shkodran, (emri i të cilit nuk më kujtohet) në një emision të datës 29 shtator, në televizionin Vizion Plus, kur tha, pak a shumë se është njësoj të thuash se mund të integrohen në standard elemente të pasurisë së gegërishtes, siç të thuash se mund të transplantohen organe të një të vdekuri në trupin e një të gjalli. Kjo më duket një deklaratë makabre. Po në atë emision dëgjuam të thuhej se në sistemin politik që lamë pas "gegërishtja konsiderohej reaksionare" (?!) Pohime të tilla vënë në dyshim ndershmërinë shkencore, të kujtdo që ka të drejtë të jetë kritik ndaj zgjidhjeve që dha Kongresi i Drejtshkrimit, por jo të thotë të pavërteta. Po të ishte "reaksionare" gegërishtja për atë sistem, si shpjegohet që në të gjitha botimet dhe ribotimet, në tekstet dhe në antologjitë shkollore, nuk është prekur në asnjë rast gjuha e Buzukut, as e Migjenit, as e Mjedës, as e Shirokës, as e L. Gurakuqit. Mund të jetë censuruar teksti për shkak të përmbajtjes (siç janë censuruar dhe tekste nga Naimi, ose Çajupi, kur përmendin fjala vjen perëndinë) por nuk është prekur gjuha e autorëve dhe nuk është vënë ajo në shqipen e sotme. është tjetër gjë anatemimi i figurës dhe i veprës së Gj. Fishtës, të Koliqit e të tjerëve, por kjo nuk u bë për shkak të gjuhës, por për shkak të kërkesave ideologjike ndaj përmbajtjes dhe të kritereve politike në vlerësimin e këtyre figurave. Dëgjuam gjithashtu të flitet për "gjuhë në shërbim të diktaturës"dhe për "gjuhë totalitare", sa s'u fol dhe për "gjuhë demokratike" a "kapitaliste". Po ç'është kjo gjuhë totalitare, gjuha e J. Xoxes, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e M. Kutelit, e T. Laços, e F. Arapit, e P. Markos e S. Andonit, apo gjuha e përkthyesve të klasikëve të letërsisë botërore, e S. Luarasit, e V. Kokonës, e R. Shvarcit, e S. Cacit, e P. Zhejit, e M. Treskës, e J. Bllacit dhe e sa e sa përkthyesve të tjerë që e pasuruan shqipen si kurrë ndonjëherë me përkthimet e tyre mjeshtërore?

            E përsëris se pasuria leksikore e dialekteve dhe e të folmeve të ndryshme është pasuri e gjithë shqipes dhe mund të integrohet mirë në shqipen standarde. Dialektet janë si përrenjtë që ushqejnë lumin e madh të gjuhës së shkruar e të lëvruar nga mjeshtrit e saj. Shqipja jeton në radhë të parë te folësit e saj, jeton dhe mbijeton në folklorin gojor dhe, në radhë të tretë verbi shqip është ngulitur në trajtën e tij të lëvruar në letërsi, sidomos në letërsinë artistike. Detyra jonë është që ta mbledhim fjalën e rrallë në popull, aty ku jeton e gjallon kjo fjalë. Ta mbledhim pasurinë e shqipes duke vazhduar të mbledhim folklorin, dhe ta dokumentojmë fjalën shqipe përmes botimit të klasikëve të letërsisë sonë me kritere shkencore filologjike. Mendoj se për këtë duhet të shqetësohemi. Duhet të shqetësohemi që nuk bëhen më ekspedita dialektologjike pas botimit të një vepre themelore siç është "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe" përfunduar që në vitin 1990. Duhet të na shqetësojë fakti që jo vetëm që nuk ka më kërkime për mbledhjen e leksikut, që është ndërprerë puna për pasurimin e kartotekës së leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë, por aq më keq që pasuria e madhe që ruhet në atë kartotekë prej 3-4 milionë skedash, është kyçur me katër katinarë dhe është lënë në mëshirën e brejtësve e rrezikon të shkatërrohet. Duhet të shqetësohemi që është ndërprerë botimi i kolanës "Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar" ku përfshiheshin dhe klasikët e letërsisë shqipe, duke mos pasur asnjë projekt nga institucionet përkatëse dhe asnjë strategji për botimin kritik-shkencor të tyre. Prej këtyre botimeve mund të krijohet dhe tradita e hartimit të fjalorëve të shkrimtarëve që do t'i shërbenin si praktikës letrare dhe pasurimit të gjuhës artistike, dhe studime leksikologjike.

            Këto duhet të ishin disa nga çështjet që duhet të shqetësonin institucionet dhe kërkuesit shkencorë, më shumë sesa kërkesat për ndryshimet në standard.

 
Zh. Mendoni se nuk është koha për këto ndryshime?

            Gjuha, si një organizëm i gjallë zhvillohet e pasurohet dhe ndryshime e përmirësime normës mund t'i bëhen, por këto ndryshime duhen bërë me kujdes e maturi, sepse njihet dhe nga përvoja botërore karakteri konservator i normës. Ndryshimet në standard bëhen kur standardi nuk funksionon, kurse në këta 30-40 vjet shqipja standarde e ka kaluar provën e kohës dhe funksionon, si u tha, si një mjet i komunikimit të bashkësisë që e flet dhe i zhvillimit të kulturës së saj të shkruar. Prandaj alarmi mendoj se nuk duhet dhënë për ato ndryshime të pjesshme, që mund të kenë karakter kryesisht konvencional, por për gjendjen e përdorimeve publike të shqipes, me fjalë të tjera nuk është koha e alarmit për ndryshime, por është koha e alarmit për të zbatuar normën gjuhësore në kuptimin e gjerë të fjalës dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore.

Zh. Ju mendoni se ka probleme shqetësuese në këtë vështrim.

            Po, mendoj se ka probleme shumë shqetësuese. Vihet re në përdorimet publike të shqipes një moskujdesje e madhe e shoqëruar me shkelje të normës drejtshkrimore, të normës drejtshkrimore, të normës gramatikore, të normës leksikore e sidomos të kulturës gjuhësore në përgjithësi, shprehje e një mungese respekti dhe kulture për të zbatuar të ashtuquajturën "disiplinë" gjuhësore. Kultura e gjuhës është pasqyrë e qytetërimit të një shoqërie.

            Në përgjithësi mund të thuhet se "disiplina" gjuhësore, në kuptimin e zbatimit të rregullave të drejtshkrimit, të drejtshqiptimit, të gramatikës e të pikësimit dhe në përdorimin e drejtë dhe të saktë të fjalive, ende nuk është bërë pjesë e disiplinës së punës të institucioneve, të shkollës e të medies, se në përdorimet publike të shqipes nga njerëzit publikë dhe nga politikanët ka një mungesë kulture gjuhësore, për të mos thënë një mjerim kulturor.

            Me hapjen e shoqërisë shqiptare do të vijnë fjalë të huaja ose terma të teknologjisë moderne që shqipja duhet t'i pranojë, kur nuk ka mundësi t'i shprehë me mjetet e veta. Por, kur ka mundësi t'i shprehë me mjetet e veta, përse duhet të përdorë fjalën e huaj që "ngjan si dhia në mes të dhënëve", siç shprehej Naimi. Janë rikthyer një tip fjalësh të huaja që dikur ishin mënjanuar nga shqipja, si abandonoj, adoptim, angazhim, mortalitet, nuklear, influencë, etj. Madje fjalës së huaj influencë, e zëvendësuar fare mirë me fjalën shqipe ndikim, i shtohet  dhe fjala impakt  e cila, edhe në anglisht nuk ka si kuptim të parë ndikim. Po këtij orteku huazimesh "të ringjallura", i shtohet dhe një prurje e re fjalësh të huaja me denduri të madhe përdorimi ndër të cilat mund të përmendim: agravim, agjendë, akses, akomodim, anunçoj, bord, impas, donacion, draft, ekces, ekskluzivitet, evazion fiskal, mazhorancë, fizibilitet, grant, minorancë, ëorkshop, implementim dhe e famshmja performancë e performoj etj. etj. Kjo gjendje dëshpëruese e "invadimit" të shqipes nga lënda e huaj, shtoi kësaj dhe varfërinë e kulturës gjuhësore, të kujton situatën gjuhësore në vitet 30 të shekullit që shkoi, kur L. Poradeci shkruante:

            Pa zë çbëhet ç'u pat bërë, ç'u godit zë shkatërrohet,
            Ç'u ndërtua brez pas brezi, bje greminë me një çast,
            Ku këndoi bilbil i Kombit, grifsh e huaj çirret pas.         

            Duke mos ndaluar në shkeljet e normës drejtshkrimore e të drejtshqiptimit, se janë aq të shumta sa nuk do t'ia vlente t'i rendisnim, duhet të themi se edhe më të rënda janë shkeljet e normës gramatikore e të sintaksës së shqipes. Të vjen keq kur shkelje të tilla vijnë nga institucione universitare a institucione qendrore të shtetit. Dhjetëra herë në ditë mund të shihni në ekran reklamën e një universitetit që shkruan pak a shumë "idetë i përkasin elitave" duke përdorur gabimisht trajtën e shkurtër të njëjësit (i)në vend të trajtës së shkurtër të shumësit u. Para disa ditësh në disa televizione u shfaq një reklamë për universitetin e Beratit. Një lajm i gëzuar, por emri i gdhendur në fasadën e universitetit lexon Universiteti Beratit në vend të Universiteti i Beratit. Te të gjithë shikuesit e televizioneve dhe sidomos te beratasit që e lexojnë përditë ose disa herë në ditë, kjo reklamë bën trysni në formimin gjuhësor të tyre, duke i mësuar "ta hanë" nyjën e përparme i që shqipja e ka. Por ka edhe më keq, Ministria e Turizmit, e Kulturës, e Rinisë dhe Sporteve, "ha" jo një, por tri nyje sepse quhet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo mungesë kujdesi për respektimin e normës gjuhësore është një mungesë kulturore për respektimin e ligjit, të normave elementare të shkrimit të gjuhës amtare. Nuk po flas pastaj për emrat e huaj që nuk lakohen në përputhje me sistemin rasor të shqipes, kur thuhet e shkruhet, fjala vjen "Klinton takon Bush" ( në vend të Klintoni takon Bushin) etj. etj.

            Të gjitha këto dëshmojnë se ka një pakujdesi të madhe në përdorimet publike të shqipes dhe për fat të keq ka një mungesë vëmendjeje e kujdesi nga institucionet që duhet të jenë përgjegjëse për këtë. Kuptohet se shkolla ka përgjegjësinë kryesore për mësimin e shqipes brezave që vijnë dhe kjo është e lidhur sa me programet dhe punën e përgatitjen e mësuesve të gjuhës e të letërsisë shqipe, aq dhe me gjuhën e teksteve të gjuhës dhe të gjithë teksteve shkollore, që do të kërkonte një trajtim më vete.

            Me sa parashtruam dëshirova të provoj se këto e probleme të tjera në fushën e kulturës gjuhësore janë përparsore dhe për të dhënë alarmin dhe jo çështje të tilla të ndryshimeve në rregullat e drejtshkrimit në se fjala bej, te Faik bej Konica do të shkruhet me b të vogël a me B të madhe, që është në fund të fundit diçka konvencionale.

 Po cila do të ishte rrugëdalja nga kjo gjendje?
            Në Kushtetutë ka një nen që e detyron shtetin të mbrojë gjuhën shqipe; shteti duhet ta plotësojë këtë detyrim kushtetues përmes miratimit të një ligji të posaçëm dhe përmes institucioneve përkatëse.

            Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave, në vitin 2004 ka përgatitur një projektligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ligj që u miratua  nga Këshilli i Ministrave, dhe në fillim të vitit 2005 iu përcoll Kuvendit të Shqipërisë. Ka ardhur koha që ky ligj të nxirret nga sirtarët.

            Shqiptarët janë për fort të lidhur me gjuhën e tyre. Gjuha, kujtimi i Skënderbeut dhe tradita e tyre historike ka vënë vulën në identitetin e tyre dhe i ka mbajtur ata gjallë si komb.

Desha t'ju pyes në se shqipja, në kuadrin e gjithë gjuhëve evropiane, në përbërjen dhe pasurinë e saj është një gjuhë e pasur dhe konkurrente për nga pasuria e saj?

            Shqipja është një gjuhë e vjetër, e veçantë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, dhe nga kjo pikëpamje është një gjuhë e rëndësishme dhe një pikë referimi për gjuhësinë e përgjithshme. Por nga ana tjetër ajo është një gjuhë e pasur, me mundësi të mëdha shprehëse. Ajo ka qenë në gjendje të ballafaqohet me veprën e Homerit, të Virgjilit, të Eskilit, të Dantes, të Shekspirit, të Gëtes, të Tolstoit e të sa kolosëve të tjerë të letërsisë botërore. Ajo i ka mundësitë dhe mjetet të shprehë kulturën dhe dijen botërore, duke qenë e hapur, duke shfrytëzuar në maksimum burimet e brendshme dhe duke marrë nga gjuhët e tjera e duke i bërë pronë të saj fjalë e terma të shkencës bashkëkohore. Si u tha, në këtë gjysmë shekulli që shkoi shqipja u pasurua mjaft dhe si gjuhë e shkencës dhe e dijes. Mjafton të kujtojmë se ajo ka përballuar edhe përkthimin e veprave të tilla nga fusha e filozofisë ose e shkencave politike e ekonomike si "Kapitali" i Karl Marksit, falë punës së një përkthyesi të talentuar, Sami Lekës, dhe të një grupi përkthyesish më të rinj, midis tyre dhe të mikut tim të ndjerë Mina Qirici.

Kohët e fundit ka ngjallur interes në medja debati mes Qosjes dhe Kadaresë. A ka pasur lidhje ky debat me çështjet e standardit?

            Jo, aspak. Ai debat ka pasur në qendër kuptime të ndryshme për identitetin kombëtar të shqiptarëve, për rolin e faktorëve historikë, kulturorë e fetare në formimin e këtij identiteti. I Kadareja dhe Qosja i përmbahen pikëpamjes se krijimi i shqipes standarde është një arritje e kulturës kombëtare. Dihet gjithashtu se Qosja është nga intelektualët e Kosovës që respekton si pakkush normën gjuhësore të standardit, kurse Kadareja është nga të paktët krijues që riaktivizon me sukses pasurinë leksikore të gegërishtes duke krijuar dhe fjalë a kompozita të reja të goditura nga fjalë-rrënjë të të folmeve veriore. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama