Ndodh shpesh që njëri xhep i pantallonave nuk është kurrë i mbushur me para, por në tjetrin ndodhet një paketë cigaresh. Sigurisht vartësia ndaj kësaj substance të dëmshme është tepër e madhe për dikë që ka vite që e konsumon, por gjithsesi, në jetë ka gjëra të tjera të cilat vlejnë më shumë se një cigare dhe nëse bën bilance nuk ka si të ndodhë ndryshe. Të paktën 130 lekë në ditë, harxhon dikush i cili konsumon një paketë cigare në ditë. Kjo për shkak se paketa e cigareve më e lirë në treg kushton 120 lekë. Pa menduar për ata që duan një cigare kontraband me 300 deri në 500 lekë për një paketë.
Por nëse ai konsumon vetëm një cigare në dit paguan 10 lekë. E kujt i kushton 10 lekë për një cigare?! Sigurisht po të njëjtit person që të nesërmen do të paguaj 100 lekë për 10 cigare dhe mbas disa ditësh 200 lekë për paketën që do të kërkoj të konsumoj në një ditë. Megjithatë dikush mundet të thotë që 200 lekë në ditë, nuk janë një shumë e madhe, por kur mendon se personat me asistencë sociale paguhen 7 200 lekë në muaj, atëherë ai merre 240 lekë në dit, nga ku harxhimi për paketën do ti bënte që në xhep ti mbesnin vetë 40 lekë ose 120 lekë për paketën më të lirë. Ditët e fundit Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar një studim në të cilin theksohet, kostoja ekonomike që ka për një person duhanpirja. Sipas ISHP-së, një duan pirës i rregullt, për 40 vjet që ka paguar për paketat e cigares mundet të kishte blerë një shtëpi. Ja çfarë shkruhet në raport:
Një shqiptar në 40 vite jetë si duhanpirës cigarja i kushton sa vlera e një shtëpie mbi mesataren. Shifra të frikshme janë evidentuar në raportin e Institutit të Shëndeti Publik ku renditemi si një nga popullsitë që harxhojmë më shumë para për duhanin. Me një përllogaritje ekspertët kanë nxjerrë si konkluzion se ky ves i shqiptarëve në 40 vjet u kushton plot 87 milion lekë. Të dhënat janë vërtet interesante por shqetësuese pasi edhe ai që konsumon më pak duhan në një muaj harxhon të paktën 31 mije lekë. Po sipas këtij raport, një person që konsumon rreth 3 paketa në ditë, në vit i duhet të paguaj mbi 2 milionë lekë vetëm për duhanin. Të dhënat tregojnë se për 10 vjet, një duhanpirës që konsumon vetëm gjysmën e paketës harxhon 3 milion e 62 mijë lekë, ndërsa ai që pi rregullisht duhan dhe konsumon rreth 3 paketa në ditë paguan nga xhepi 21 milionë e 96 mijë lekë.
Duhan për tu dukur i rritur
Por kush konsumon duhan në Shqipëri? Sigurisht, eksluziviteti nuk është më për burrat dhe për të rriturit, por edhe për gratë dhe adoleshentët. Një cigare në dorë dhe mund të duket vetja si i rritur, për adoleshentët të cilët nuk ia kanë idenë dëmeve që shkakton. Këta janë nxënës të nëntëvjeçareve apo shkollave të mesme. të mjafton të shikosh lokalet përreth shkollave të mesme apo nëntëvjeçareve të kuptosh këtë problem alarmant. Gjithashtu edhe femrat që konsumojnë duhan janë shtuar së tepërmi. Por këtë nuk mundet ta citojmë si alarm duke qenë se janë të barabarta më burrat. Por megjithatë rritje e duhanpirëseve është alarmante, duke parë që tek adoleshentët janë edhe femrat ato që të shtojnë alarmin. Ku qëndron e bukura njëkohësisht edhe e hidhur tek këta adoleshent? “Unë nuk mundet ta lej duhanin, pasi më është bërë ves”, djali i cili e ka thënë këtë është vetëm 15 vjeç dhe konsumon të paktën 10 cigare në ditë. Ai sigurisht e konsumon fshehtas prindërve, por me koshiencën e plotë që ky konsum shkakton dëmtime të shëndetin, ai deklaron se nuk mundet ta lë dot duhanin.
Cigaret e hapura apo paketat dhjetëshe
Dyqanet e vogla dhe shitësit ambulant, shesin cigare më vete nga paketa. Për atë që dëshiron të konsumojë vetëm një cigare nuk ka nevojë të paguaj një paketë të tërë, por paguan thjesht 10 lekë apo 15 lekë për një cigare. Por kompanitë e cigareve, kohët e fundit, kanë gjetur një zgjidhje tjetër, ofrojnë paketa cigaresh dhjetëshe, të cilat janë të barazvlefshme me cigaret e hapura. Sigurisht po të shohësh markat e paketave të cigareve që e ofrojnë janë po ato paketa që shiten me copë. Për shembull njëra nga paketat paguhet e plotë 180 lekë, por e hapur ajo kushton 200 lekë, pasi një cigare e kësaj pakete kushton 10 lekë. Por nëse këtë paketë e paguan dhjetëshe atë do ta marrësh me 90 lekë. Lëvizje e bukur e kompanisë për të fituar diçka më shumë dhe e tregtarëve të vegjël, për të fituar një 20 lekësh më shumë me ata që duan cigare të hapura.
Shqiptarët: 1.4 milion dollarë për cigare dhe ankohemi….
Edhe për cigaren vendi ynë mban kampion. Shqiptarët janë ndër duhanpirësit më të mëdhenj në Europë. Dhe një pjesë të madhe të buxhetit familjar e shpenzojnë pikërisht për të blerë cigare. Sipas përllogaritjeve të INSTAT dhe të Institutit të Shëndetit Publik, shqiptarët shpenzojnë plot 1.4 milionë dollarë në ditë vetëm për cigare. Po sipas të dhënave zyrtare, çdo shqiptar, konsumin mesatarisht 17.5 cigare, ndërsa numri i atyre që tymosin rregullisht një cigare shkon në 870 mijë persona, një numër ky mjaft i lartë në krahasim me popullsinë. Po sipas studimeve të ndryshme, në raport me popullsinë, shqiptarët kanë arritur nivelin e turqve, një ndër vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve në Europë. Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është rritur numri i duhanpirësve femra. Tendenca nuk është më risi, por shqetësim për specialistët e Shëndetit Publik mbetet cigarja e parë, pra koha kur një person fillon ta pijë cigaren, mosha e konsumit e së cilës në mjaft raste është ulur edhe nën 10 vjeç. Pavarësisht numrit të madh të duhanpirësve, vihet re një ndërgjegjësim i tyre për konsumimin e cigares. Ata kanë filluar të jenë gjithmonë e më të kujdesshëm dhe shumë prej tyre nuk e pinë cigaren në shtëpi, apo në makinë, veçanërisht kur në këto dy ambiente ka fëmijë.
Ndër terapitë e ndryshme që ofrohen: Në lidhje me duhanin mund te përmendim:
Terapia vetëndihmuese: nëpërmjet librave, cd-ve, kurseve me korrespondencë, video dhe programe kompjuteristike që ndihmojnë në lënien e duhanit.
Metoda në grup: Nëpërmjet pjesëmarrjes në kurset që ndihmojnë në lënien e duhanit me praninë e një grupi personash të seleksionuar në mënyrë të posaçme.
Terapi farmakologjike: ku përfshihen të gjitha format alternative/zëvendësuese të furnizimit me nikotine(si psh. çumcakizat me nikotinë dhe likoplastet me nikotine)
Hipnoza: Me limitin që nuk mund të përshtatet në një numër të gjerë duhan pirësish nga momenti që efekti i saj është i varur nga shkalla e sugjestionimi subjektiv.