Shqiptaret e famshem ne bote se bashku ne Tirane (Foto)

Shqiptaret e famshem ne bote, se bashku ne Tirane (Foto)
Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Dorian Xhoxhi e Vlorent Xhafaj, për herë të parë bashkë për publikun shqiptar. Prej vitesh mungojnë në Shqipëri, ndërkohë që janë instrumentistë të parë në orkestra të rëndësishme ndërkombëtare.

Për herë të parë, instrumentistët shqiptarë, të cilët janë solistë në disa prej orkestrave të njohura ndërkombëtare, bëhen bashkë në Tiranë. Në datat 7, 9 dhe 10 dhjetor, festivali muzikor “Different Trains” do të sjellë në skenat e kryeqytetit artistët e njohur shqiptarë Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Dorian Xhoxhi e Vlorent Xhafaj, së bashku me instrumentistë të huaj të shquar si pianisti italian Andrea Rebaudengo, pianisti francez Francois- Frederic Guy, apo violinisti spanjoll Joaquin Riquelme Garcia. Këta instrumentistë janë nga koncertistët më në zë dhe kanë karrierë solistike apo orkestrore në institucione të tilla si Tonhalle Orchestra (Zyrih), Sydney Symphony, Orchestra apo Berliner Philarmoniker.

“Different Trains Festival” do të rikthejë në Tiranë disa nga instrumentistët shqiptarë që kanë shënuar sukses në botë. Si lindi kjo ide?

Është një ide për të krijuar një event muzikor paksa special, me disa muzikantë shqiptarë dhe kolegë tanët të huaj që luajnë në skenat botërore. Një axhendë e ngjeshur dhe një program mjaft i variuar do të krijojnë një atmosferë të veçantë midis artistëve në skenë dhe publikut shqiptar. Programimi në formacione duo, trio, kuartet dhe kuintet vjen nga një vullnet i yni për të ndarë skenën së bashku. Muzika të jep mundësinë të kalosh disa pengesa të personalitetit në njohjen e njerëzve dhe të shkosh në thelbin e tij, në ndjeshmërinë e natyrës njerëzore. Dhe nuk ka gjë më të bukur se sa ta ndash këtë me artistë të tjerë të mëdhenj.

Cili është programi i përzgjedhur për këto koncerte?

Për koncerte të veçanta, siç janë ato në vendin tënd, kemi menduar një program me kryevepra të repertorit instrumental. Në të njëjtën kohë, artistët kanë bërë edhe zgjedhje të veprave që ata kanë më të afërta, në të cilat mund të shprehen plotësisht. Nga Mozart të Shostakovic, duke kaluar te Mahler e Debussy, përfshihen dy shekuj muzike dhe stile muzikore të ndryshme. Vepra të mëdha si kuarteti n.2 Brahms, apo kuinteti op.81 Dvorzhak, do të luhen premierë në skenat shqiptare. Jam i bindur se publiku do ta gjejë veten në një apo disa nga këto vepra.

Keni munguar për një kohë të gjatë në skenën shqiptare. Zgjedhje personale apo çështje mundësish?

Dëshira ime, dhe jam i sigurt dhe e artistëve të tjerë, ka qenë gjithmonë që të kem një jetë të ngjashme artistike në Shqipëri, ashtu si jashtë saj. Mundësitë e organizimit të një festivali të tillë nuk kanë qenë të mundura më parë. Por disponibiliteti dhe vullneti i menjëhershëm që kanë dëshmuar të gjithë artistët, tregon se sa e rëndësishme është për ta të sjellin një mesazh bashkimi dhe një energji të përbashkët me anë të muzikës.

Do ta mendonit kthimin?

Këto koncerte janë në të vërtetë një kthim. Tedi Papavrami ka qenë pak i pranishëm, Klajdi Sahatçi ka 20 vjet pa interpretuar në vend, ndërsa unë dhe Dorian Xhoxhi 12 vjet… Pastaj mendoj se jemi gjithmonë duke ikur prej diku dhe duke zbuluar një horizont të ri diku tjetër, pra midis nostalgjisë së largimit dhe kuriozitetit të së resë. Por, nuk mendoj për asnjë gjë si diçka definitive.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama