E përditshmja “Informer” kërkoi ndjesë sot për titullin kryesor në gazetën e 16 tetorit, ku ajo iu drejtohej shqiptarëve me termin 'Shqiptarët e ligë'. Gazeta e Malit të Zi botoi në edicionin e sotëm një falje për të gjithë lexuesit dhe qytetarët shqiptarë që banojnë atje, pas titullit fyes që kishte paraqitur në faqe të parë. Ajo tha se në shtatë muajt e parë të punës së saj, gazeta nuk ka pasur kurrë një qëllim për të fyer ndonjë person.
“Redaksia e “Informer” nuk ka ndërmend të fyejë qytetarët me origjinë shqiptare, të cilët jetojnë në këtë zonë për shekuj me radhë, sepse ne e dimë me siguri që ata janë lexuesit tanë besnikë”, shkruhej në gazetë.
Ajo vuri në dukje se pjesëtarët e redaksisë së gazetës i përkisnin kombësive dhe feve të ndryshme dhe “në këtë mënyrë, politika editoriale nuk ka pasur kurrsesi qëllimin për të nxitur urrejtje, ashtu si akuzat që janë parashtruar”. Gazeta njoftoi se gjatë javës së ardhshme do të nisë takime me përfaqësues të të gjitha partive politike shqiptare, të shoqërisë civile dhe “të gjithë përfaqësuesve të këtij kombi”, në mënyrë që të bëjë një bisedë të drejtpërdrejtë, për të vërtetuar se gazeta nuk kërkon të rritë urrejtjen, sidomos atë kombëtare.
“Ne ju garantojmë që stafi ynë i vogël editorial dhe njerëzit që punojnë në të, nuk mund të jenë një kërcënim për stabilitetin dhe harmoninë kombëtare në Mal të Zi”, thotë teksti.