Shqiptaret e suksesshem ne diaspore

Shqiptarët e suksesshëm në diasporë
Avni Hafuzi është një prej atyre shqiptarëve, që me jetën dhe veprën e tij i bën shqiptarët që jetojnë e punojnë në Hungari të ndihen krenarë që janë shqiptarë. Me një qetësi prej xhentëlmeni dhe papërtueshmëri në punë, ai ka arritur majat e suksesit në Hungari, duke krijuar emër dhe famë, që pasqyrohet jo vetëm në shtypin hungarez, por edhe në artin bashkëkohorë hungarez.

Kryetar i bordit konsultativ në distriktin e Soroksarit (Budapest) që prej 8 vitesh, nënkryetar i ruajtjes qytetare të Soroksarit, nënkryetar i mbrojtjes civile nga katastrofat për filialin e Soroksarit, zëvendëspresident i Shoqatës Hungareze të Karatesë (në stilin IJKA), si dhe dekoruar nga kryetarët e bashkive të distriktit XX dhe XXIII, nga rajone të ndryshme të Hungarisë për ndihmat e dhëna në raste katastrofash natyrore, si dhe për familjet në nevojë dhe disa herë i shpërblyer me dekorata të larta nga Drejtoria e Doganave dhe e Rojës së Financave, Avni Hafuzi ka tërhequr tashmë vëmendjen e opinionit hungarez për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të shoqërisë hungareze.

CD me këngë për të dhe për veprat e mira të tij, gjenden në gjithë Budapestin. Ky kontribut nuk mbetet pas dore, as në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve shqiptaro-hungareze. Ai shpërblehet me certifikatë mirënjohjeje nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest për ndihmën që i ka dhënë asaj, si dhe për përpjekjet që ai ka bërë për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë.

Avni Hasip Hafuzi lindi në vitin 1958 në Preshevë. Familja e tij në atë kohë ndante fatin e gati gjithë popullatës së Komunës së Preshevës. Ishin kohëra të vështira për ta. Presheva radhitej në komunat më të pazhvilluara të ish-Jugosllavisë, me të ardhura nën mesataren e komunave të tjera. Popullata jetonte kryesisht nga të ardhurat bujqësore, që mezi siguronte mbijetesën, sepse toka e punës e llogaritur për kokë të banorëve ishte e paktë. Situata politike jostabile e bënte jetesën e banorëve të kësaj komune akoma më të vështirë.

Të ardhur në qendër të Preshevës fillimisht si mysafirë te dajat e të atit, familja Hafuzi ishte pa strehë mbi kokë. Ishte familje tipike patriarkale shqiptare ku jetohej së bashku me xhaxhallarët. Pas shumë mundimeve, i ati i Avniut arriti të ndërtojë një shtëpi të vogël, ku ai u rrit e jetoi së bashku me tre vëllezër dhe dy motra. Duke qenë më i madhi ndër vëllezër dhe motra, Avniu e përjetoi më shumë se të gjithë fëmijët e tjerë varfërinë, skamjen familjare dhe problemet që bart ajo. Ajo varfëri la gjurmë kaq të thella në jetën e Avniut, saqë edhe sot e kësaj dite kur bisedon me të ai shprehet: "Frigohem se mos kthehet fukarallëku. Vështir asht mos me pasë bukën e gojës".

Në atë kohë shkollimi ishte në plan të dytë, sepse të gjithë mendonin si të fitonin bukën e gojës. I ati i Avniut ishte nga të rrallët që e donte arsimimin e fëmijëve dhe e dinte se shkolla do të hapte horizonte të reja për një jetë më të mirë për ta. Më 1964-ën, ai e regjistroi Avniun në shkollën fillore të detyrueshme. Në atë kohë ishte e vështirë të shkolloheshe, sepse përveç të tjerave mungonin edhe tekstet shkollore. Prindi e kishte të vështirë të plotësonte edhe ato pak kërkesa të fëmijës. Për këtë shkak u detyrua që qysh fëmijë të merrte vetë përsipër sigurimin e minimumit të nevojave personale. Punë kishte pak, por Avniu me natyrën e tij prej punëtori, që ia siguron punën vetes në çdo kohë, shkonte nëpër dyqanet e pakta të Preshevës fillimisht për të ndihmuar. Si fëmijë që ishte mbante arkat e zbrazëta, fshinte dyqanet dhe ndonjëherë bënte edhe shitësin. Me kalimin e kohës fitoi besimin te shitësit, të cilët ia linin të gjitha punët e dyqanit. Në një moshë tepër të vogël, filloi që të fitonte vetë para për veten e madje në raste të veçanta edhe për familjen.

Kështu lindi dhe dashuria e tij për tregti, dashuri kjo që e përcolli gjatë gjithë jetës. Sapo mbaroi shkollën fillore, u regjistrua në gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë. Shkollimi ishte dëshira e prindërve të tij, ndërsa tregtia dëshira e zemrës së tij. Avniu gjente kohë për të dyja, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e prindërve, edhe pasionin e tij. Kishte raste kur tërë natën ruante bostanin, apo shkonte në Shkup për të blerë mall, ndërsa të nesërmen shkonte në shkollë. E gjitha kjo bëhej me një entuziazëm që mund ta ketë vetëm i riu. Meqë tregtinë e kishte në zemër, pas shkollës së mesme në Preshevë, i ati e regjistroi në shkollën e lartë komerciale në Shkup. Edhe pse obligimet e studimit rriten, atij nuk iu shua dëshira për të vazhduar me tregtinë.

Që prej ditës së parë, kur i ati e la në Shkup, Avniu filloi të mendonte për të filluar "biznesin" e tij të vogël. Nga biseda me të atin mori vesh që ai ia kishte paguar për një vit banesën modeste në një lagje të qytetit të madh të Shkupit. Sapo u nda me të atin, shkoi te plaka që i kishte dhënë banesën dhe duke i kërkuar falje në emër të të atit, se gjoja pa dashje ai kishte bërë gabim në llogaritje duke e parapaguar banesën për një vit, i kërkoi asaj që të mbante qiranë mujore dhe t‘i kthente paratë e paguara paraprakisht për muajt e tjerë. Ai ishte i vetëdijshëm se për momentin po bënte gabim, por mendonte që ato para mund t‘i shumëfishonte, po t‘i vinte në punë. Plaka i besoi Avniut dhe i ktheu tepricën e parave, me të cilat filloi një epokë e re për Avniun.

Në atë kohë, familjet e punëtorëve të hekurudhave favorizoheshin duke iu mundësuar udhëtimi pa pagesë disa herë në vit. Avniu e shfrytëzoi këtë benefit, duke udhëtuar me kartën e tij për në Trieste të Italisë. Moda italiane në atë kohë kishte pushtuar të gjithë Ballkanin, kështu që tregtia me Italinë ishte me shumë interes. Xhinset italiane ishin jashtëzakonisht të kërkuara, por jo vetëm ato. Për disa ditë, Avniu bëri studimin e tregut dhe pasi kishte nxjerrë konkluzionet e veta, iu fut tregtisë vetëm për të parën herë në jetë. Suksesi ia shtoi oreksin dhe udhëtimi e tregtia me Italinë u bënë pasioni i jetës së tij. Edhe pse i ri në moshë, Avniu i gjeti shpejt të gjitha kanalet e favorshme për t‘u bërë konkurrent i fortë në tregun e "Bit Pazarit" në Shkup, i cili edhe sot e kësaj dite është një treg i fortë. Tregtarët e vjetër mezi prisnin ta "hiqnin qafe." Meqë kartat e udhëtimit kishin numër të kufizuar udhëtimesh, filloi të shfrytëzonte edhe kartat e vëllezërve, të cilët në atë kohë nuk dinin gjë për udhëtimet e Avniut. Që prej kësaj kohe, ai filloi ta ndihmonte rregullisht të gjithë familjen e tij.

Nga periudha e studimit, Avniu veçon momentin e ushqimit në një gjellëtore, ku abonoheshin gati të gjithë studentët shqiptare. Avniu e pyeti punëtorin e gjellëtores nëse ushqimin mujor mund ta kompensonte me xhinse italiane. Punëtori ishte dakord, kështu që i siguroi vetes edhe ushqimin mujor. Familja mirëpriste çdo lloj ndihme që ai i ofronte, duke qenë se rrethanat socio-ekonomike dhe politike ishin shumë të vështira.

Në Preshevë puna sigurohej shumë vështirë. Duke i pasur të gjitha këto parasysh, Avniu vendosi ta zgjeronte tregtinë e tij. Kapitalin fillestar e kishte siguruar, dijen dhe guximin e kishte, kështu që mund të arrinte gjithçka me këtë bazë të fortë. Vendosi të fillonte një jetë të re diku larg ku mund të punohet dhe fitohet. Dilema ishte ku dhe si. Rrugët ishin të pakta dhe mundësitë e vogla. U nis për në Austri, pa ditur gjuhën dhe pa pasur asnjë lloj përkrahje. Iu fut ujërave të reja të jetës dhe filloi një punë të re. Falë talentit për tregti, filloi, edhe pse me mundime në fillim. Prindërit nuk e dinin që ai e kishte braktisur shkollën dhe ishte nisur drejt një jete krejt të panjohur. Avniu tani ishte diku në botë. Të paktë ishin ata që donin ta ndihmonin djaloshin nga Presheva, që tani ishte i vetmuar. Nuk i pëlqente të kërkonte ndihmë, sepse siç thotë edhe vetë, "ma së miri asht kur njeriu i ban punët vet".

Filloi të mësojë gjuhën gjermane dhe pas pak kohe kaloi në Hungari, në Budapest, ku gjeti dhe dashurinë e tij të madhe. Budapesti i pëlqeu shumë dhe në këtë qytet të bukur po kalon pjesën më të madhe të jetës së tij i integruar mjaft mirë në shoqërinë hungareze dhe pa iu dashur të humbë për asnjë moment identitetin e tij. Gjuhën hungareze e mësoi për një kohë rekord, edhe pse kjo gjuhë nuk kishte asnjë afërsi me gjuhët që njihte, duke mos qenë gjuhë indoevropiane. Me Ajlekën e bukur hungareze, për të cilën thotë që "për të gjitha që kam arritur, i detyrohem Ajlekës", krijoi një familje të madhe që ai është shumë krenar. Tri vajzat dhe dy djemtë janë rritur tashmë, por ai vazhdon t‘i dojë dhe t‘u dedikohet ashtu si kur ishin fëmijë. Fëmijët tani i ka ndihmës në punët e tij, sepse ata jo vetëm kryejnë studimet, por edhe e ndihmojnë atë në punët e jetës dhe të biznesit. Sot, Avniu ka kompaninë e tij të licencuar, "A&M," ku drejton shumë punëtorë për të bërë spedicionet me të cilat merret kjo kompani. Mundi dhe sakrificat e shumta për të ardhur deri në këtë pikë, ia kanë vlejtur barra qiranë. Tregtia mbart edhe rrezikun e dështimit, por kjo nuk e tremb Avniun. Për të fituar për vete dhe për të ruajtur dhe ushqyer familjen i është dashur shumë herë të fillojë nga zeroja, sepse tregtia e ka edhe këtë risk: mundesh të fitosh po aq sa edhe të humbësh. Ky realitet e ka përcjellë gjithmonë Avniun e Preshevës siç ka dëshirë ta quajë veten.

Malli për vendlindjen nuk i hiqet edhe sot e kësaj dite dhe është pikërisht ky mall që e shtyn të ketë jo vetëm interes dhe dëshirë për të takuar shqiptarët që vijnë në Budapest, por edhe për të organizuar festa për fitoret e Kosovës (për pavarësinë e saj, për Kushtetutën etj.) dhe për festat e Shqipërisë. Ai interesohet sidomos për gjendjen ekonomiko-politike të Preshevës, por edhe më gjerë, sepse është i vetëdijshëm për kohët e vështira që kanë kaluar. Nuk ka ditë që të mos fillojë me një telefonatë në Preshevë, nga ku informohet për gjithçka atje. Largësia nga Presheva nuk ia ka dobësuar as edhe për një moment lidhjet me familjen dhe me rrethin shoqëror të Preshevës. Me humanizmin e tij ai ka ndihmuar jo vetëm të njohurit, por shpesh edhe të panjohurit e shumtë që kanë qenë në nevojë. Të gjitha këto i justifikon me modestinë më të madhe kur thotë "E dij unë se çka asht të jesh në zor për ndihmë".

Atdhedashuria e tij shpesh është ekstravagante, siç mund të shihet edhe nga rasti i aktorit të madh Nimon Mucaj. I gjendur pa rrugëdalje në Budapest në vitet e vështira për shqiptarët e Kosovës, shokët e drejtuan tek Avniu, i cili e ndihmoi atë në mënyrë mjaft vëllazërore. Kur ai kërkoi që t‘ia kthente ndihmën e marrë, Avniu i tha: "Ti mua nuk më detyrohesh për asgjë, sepse të gjitha që bëra i bëra për Preshevën time". Sigurisht që Nimoni nuk hezitoi të flasë për këtë, madje edhe në gazeta dhe shkroi që modestia e tij është shumë e madhe, sepse ai nuk ka dëshirë të flasë për ato që bën për të tjerët. Shumë gjëra nuk do të merreshin vesh, nëse të tjerët nuk do të flisnin për Avniun.

Avniun e karakterizon modestia, që shpeshherë është e tepruar. Jeta e tij ka qenë e vështirë, sepse i është dashur që në shumicën e rasteve të veprojë i vetëm pa ndihmën e askujt. Kjo është arsyeja se përse ai dëshiron të ndihmojë të gjithë ata që janë në nevojë, por jo vetëm ata. Ai ka dëshirë të sponsorizojë edhe vepra intelektuale, siç ishte ndihma për botimin e librave të ndryshëm. Ai ka ndihmuar Agron Boricin e Skënder Latifin për botimin e librave të tyre. Ka sponsorizuar edhe shumë manifestime sportive e kulturore si në Preshevë edhe në Hungari etj. Përveç ndihmave materiale që u ka shpërndarë skamnorëve, ka financuar qëndrimin në Hungari të sportistëve, si p.sh. të boksierëve dhe të karateistëve e shumë të tjerëve që i janë drejtuar për ndihmë. Në fillim të tranzicionit shumë shpejt është radhitur ndër biznesmenët e parë që ditën ta shfrytëzojnë kapitalin privat për të bërë punë të mëdha, si p.sh. hapjen në qendër të Budapestit të marketit me teknikë të bardhë dhe elektronike, hap ky të cilin e përshëndetën edhe vetë hungarezët, duke qenë që atij iu bë reklamë e madhe në televizionin hungarez, nëpërmjet të cilit promovoi edhe identitetin e tij si shqiptar.

Për Avni Hafuzin mund të thuhet lirisht se më tepër dinë në Hungari se në vendin e tij. Kjo, sepse Avniu ngurron të flasë për sukseset e veta. Në Hungari ai sot është një person tepër i respektuar, madje edhe në qarqet e larta shtetërore. Duke qenë nënkryetar i Federatës së Karatesë, si dhe njëri ndër organizatorët kryesorë të turneut tradicional të karatesë që organizohet në Hungari, ai është i mirënjohur edhe në mes të shoqatave sportive. Në zyrën e Avniut ka diploma mirënjohjeje të panumërta, që më shumë se fjalët e Avniut tregojnë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm social. Këto diploma i janë dhënë nga shumë organizata qeveritare dhe joqeveritare, asociacione sportive, kulturore e humanitare dhe është nderuar edhe me dekorata të shumta.

"Ndoshta nuk kam ba aq sa duhet, por kam ba aq sa kam mund", thotë Avniu, i cili nuk e fsheh dëshirën për të ndihmuar më tej. Tani është radha e shqiptarëve të dëgjojnë për njeriun që i bëri të gjitha vetë, por që të gjitha i ndau me të tjerët. Në zemrën e Avniut ka akoma vend për shumë gjëra të mëdha, por ka edhe dëshira që po realizohen ngadalë, si p.sh. shkollimi i fëmijëve të tij, të cilët janë shumë të talentuar dhe punëtorë. Ajo që e karakterizon Avni Hafuzin është se nuk ka turp të flasë për kohërat e vështira që ka kaluar, edhe pse uron që ato kohëra të mos kthehen kurrë më.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama