Shqiptaret festojne Krishtlindjet Papa uron ne shqip

Shqiptaret festojne Krishtlindjet, Papa uron ne shqip
Ashtu siç u ka hije shqiptarëve bashkëjetues mes tri besimeve fetare, festa e shenjtë e Krishtlindjes i ka mbledhur besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë, nëpër katedralet dhe kishat e mbarë vendit.

Besimtarët e krishterë festuan në mesnatë lindjen e Jezu Krishtit. Siç është bërë tashmë traditë, mijëra besimtarë katolikë përkujtuan me madhështi lindjen e Krishtit në çdo kishë në mbarë vendin. Me qirinj në duar dhe duke u lutur për paqe dhe qetësi, dashuri dhe gëzim besimtarët kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Edhe gjatë ditës së djeshme kishte të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit dhe të politikës kanë zhvilluar vizita në Katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse për të përcjellë urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolike dhe ortodokse.  Mesazhet në këtë ditë të shënuar vijnë nga të gjithë njerëzit. Ato janë paqesjelljëse dhe lutjet për ditë të bardha dhe mbarësi.

Mesha në përkujtim të lindjes së Jezu Krishtit nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla nga klerikët më të lartë, të cilët urojnë besimtarët. Edhe në Kishën Ortodokse, është kremtuar lindja e Krishtit, në meshën e mbajtur, besimtarët ortodoks janë lutur në emër të Krishtit. Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.

Për të krishterët e tij lindja e Krishtit është parathënë nga profetësi të ndryshme sipas të cilave Mesia do të lindte nga shtëpia e Davidit për të shpëtuar botën nga mëkati.

Krishtlindjet në Shqipëri

 25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën, në Shqipëri, mbas viteve ‘90 kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit. Darka e Krishtlindjeve e cila është e bollshme, paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës. Ashtu siç i ka hije shqiptarëve bashkëjetues mes tre besimeve fetare, festa e shenjtë e Krishtlindjes i ka mbledhur besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë nëpër katedralet dhe kishat e mbarë vendit ku të gjithë janë lutur për më shumë begati, dashuri e mirësi në ditën e lindjes së Jezu Krishtit

Papa uron në gjuhën shqipe: Për shumë vjet Krishtlindjen!

Papa Benedikti XVI u ka uruar besimtarëve katolike në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë sot mesazhin e urimeve ne 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!”, ndërkohë që sheshi u përfshi nga pasthirrma gëzimi dhe duartrokitje. Në meshën e njohur si “‘Urbi et orbi” të zhvilluar në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin. Mijëra persona u mblodhën sot në Vatikan për të dëgjuar fjalimin, që u mbajt pas meshës se Krishtlindjes. Papa Benedikti XVI kritikoi në fillim të mesazhit të tij të njohur të Krishtlindjes "Urbi e orbi" ("për qytetin dhe për botën") dëshirën e njeriut për të zënë vendin e Zotit, për të vendosur se çfarë është e mirë dhe e keqe dhe për të besuar krijuesin e jetës dhe të vdekjes. Jezu Krishti, deklaroi ai që nga ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit përpara mijëra besimtarëve, u dërgua në tokë "për të na shpëtuar sidomos nga e keqja e thellë, e ngulur tek njeriu dhe në histori që është ndarja nga Zoti, krenaria dhe vetëbesimi i tepruar se po veprojmë vetë".

"Kjo e keqe ka të bëjë me të vënit në konkurrencë me Zotin dhe zëvendësimin e Tij, për të vendosur se çfarë është mirë dhe çfarë keq, për të qenë zoti i jetës dhe i vdekjes. Kjo është e keqja e madhe, mëkati i madh", - deklaroi ai.

Benedikti XVI kritikon vazhdimisht vullnetin e shoqërive perëndimore që nuk janë të krishtera për miratimin e ligjeve rreth temave që, sipas Vatikanit, cenojnë vlerat më të shenjta të jetës, si aborti dhe eutanazia. Kisha katolike sheh në to një formë eugjenizmit (shën. i përkth. - shkencë dhe metodë për përmirësimin e qenies njerëzore nëpërmjet manipulimeve gjenetike) të ulët dhe i kritikon këto shoqëri për vendosjen e këtyre normave në vendet në zhvillim, duke kushtëzuar ndihmën e tyre për miratimin e ligjeve të ngjashme, me një lloj neokolonializmi.

Krishtlindjet në botë

Një mesazh të çuditshëm Krishtlindjesh përcolli një kishë në Indonezi, e cila inkurajoi anëtarët e famullisë të riciklojnë mbeturinat e ta mbajnë ambientin pastër e madje dha shembullin e para duke përdorur plehrat për përgatitjen e objekteve dekorative të skenës së lindjes së Krishtit. Australianët kjo festë i gjen si përherë në breg të detit. Asgjë nuk i mungonte festimeve, as kapelet apo bluzat me figurën e Babagjyshit të Vitit të Ri dhe as ai vetë, që në mungesë të oxhakut, ka zgjedhur mënyrën më origjinale të mbërritjes që kushtet në plazhin Bondi mund të ofronin: mbi një dërrasë sërfi. Por, peizazhin e këndshëm të festimeve nëpër botë e zymton sulmi mbi një kishë katolike në afërsi të kryeqytetit Nigerian, Abuja. Shpërthimi shkatërroi kishën e Shën Terezës në Madalla ku besimtarët ishin mbledhur për meshën e Krishtlindjeve. Autoritetet flasin për 10 të vdekur, por raportet në media lënë të kuptohet se bilanci mund të jetë dy herë më i lartë se kaq. Një shpërthim i dytë u regjistrua brenda një harku të shkurtër kohor në një kishë të qytetit të Xhosit. Frika për sigurinë, e ripërtërirë nga vala e fundit e sulmeve në Bagdad nuk i ka frenuar të krishterët irakianë nga pjesëmarrja në shërbesat kishtare. Sa për tërheqjen e trupave amerikane dhe fundin zyrtar të konfliktit në vend, shumë të krishterë thonë se amerikanët nuk bënin dallim mes tyre dhe myslimanëve, e nuk kanë ndier ndonjë mbrojtje të veçantë.

Krishtlindjet

Krishti lindi në një ambient shumë të varfër. Gjatë gjithë kohës një yll shndriste në qiell, i cili u tregonte disa dijetarëve rrugën që duhet të ndiqnin për t'i bërë homazhe "Mbretit të Izraelit". Pas kësaj, Herodi mbreti i Izraelit (ai i organizimit shtetëror, politik i Izraelit, jo mbreti shpirtëror), vendosi të përndiqte këtë "Mbret të ri"...

Këto pjesë të një historie që vazhdon të tregohet sa herë që vjen koha e Krishtlindjeve në festa, koncerte apo filma, dhe shfaqje të tjera, kanë në vetvete secila një mesazh. Ambienti i varfër: tregon thjeshtësinë e Jezu Krishtit, i cili edhe pse Zot, preferoi të ishte sa më afër njerëzve, larg pompozitetit, luksit, etj. Ylli: tregon një profeci të vjetër për një homazh që nuk mund të kuptohet nga njerëzit. Dijetarët që ndiqnin yllin kishin me vete dhuratat më të shtrenjta për atë kohë, ar, temjan, dhe vajra të shtrenjta. Në fund, gjithçka përmblidhet në një mallkim (!) Sipas shkrimeve të Biblës, në momentin e mëkatit të parë, Zoti mallkoi njëherazi femrën (Evën), mashkullin (Adamin) dhe gjarprin (Djallin). Mallkimi për gjarprin ishte: “Një pasardhës njeri i gruas (Evës, asaj që ai kishte mashtruar më parë), do të lindë, edhe pse ti do të duash ta vrasësh dhe do të të shtypë kokën”. Në shkencën e Teologjisë, ky mallkim ka një kuptim të thjeshtë: Njeriu, pasardhës i Evës, ishte Jezu Krishti, i cili erdhi si njeri në Tokë për të pajtuar njerëzit me Zotin pas mëkateve të tyre. Do të vdiste në kryq dhe kështu njerëzit do të pajtoheshin me Zotin. Pas kësaj ai (djalli) nuk do të kishte më fuqi ndaj tyre (njerëzve), sepse ata mund të shpëtoheshin nëpërmjet gjakut të Jezusit (duke e pranuar vdekjen e tij).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama