Pranvera Elezi, Koordinatore e INSTAT shpjegoi dje të gjitha detajet sa i takon shpenzimit të kohës së shqiptarëve ndërkohë në prezantimin e këtij raporti ishte edhe përfaqësuesja e OKB-së në Tiranë, Zineb Benjelloun.
Nuk është thjeshtë një batutë por një realitet me statistika ku rezulton se në 24 orë, shqiptarët ia kushtojnë plot 38% të kohë ose 9 orë gjumit. Dhe nga pjesa tjetër e ditës 20% pra rreth 5 orë në ditë e kalojnë në kafe. Sa për punën, në gjithë hapësirën kohore vetëm 13% e zë aktiviteti që sjell të ardhura, pra punë e paguar. Ndërkaq, përgjithësisht mund të konsiderohemi si popull dembel. Harxhojmë mesatarisht vetëm 4 orë në ditë për të punuar. Megjithatë specialistët shpjegojnë se po t’i hysh më thellë analizave, i bie që niveli i papunësisë në Shqipëri të jetë në shifra alarmante, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me dëshirën për të punuar. Mbi të gjitha lidhet me mundësitë që ofrohen nga tregu i punës apo politikat e ndërmarra prej qeverive. Të dhëna mjaft interesante vijnë nga gjetjet e fundit të studimit pasi meshkujt shqiptare kanë më tepër kohë të lirë për t’u marrë me veten apo për të parë televizor, në krahasim me meshkujt në Norvegji, ku puna në familje ndahet njësoj mes dy partnerëve. Ndërkohë, në Itali burrat harxhojnë më shumë kohë për punët e shtëpisë sesa gratë.
Gjithashtu studimi ka nxjerrë në pah edhe hendekun e madh mes grave dhe burrave ku këta të fundit duket se përfitojnë në kurriz të femrave.
Gratë sipas studimit e shpenzojnë kohën më të madhe në punët e shtëpisë, ndërsa burrat punojnë jashtë saj. 95 për qind e grave shqiptare përfshihen në punët e shtëpisë dhe vetëm 37 e burrave japin një ndihmë në familje. Të dhënat kanë dalë nga një anketim njëvjeçar i Institutit të Statistikave dhe Ministrisë së Punës, paraqet diskriminimin ndaj grave edhe përsa i përket mënyrës se si e shpenzojnë njerëzit kohën e tyre. Studimi tregon gjithashtu se shqiptarët 38 për qind të ditës e shpenzojnë për gjumë, 20 për qind për kohë të lirë, 13 për qind për punë të paguar dhe pjesën që mbetet, për aktivitete të tjera. “Popullsia 50-64 vjeç vihen re dhe diferencat më të mëdha gjinore. Femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë se sa meshkujt për punë të papaguar. Mesatarisht gratë harxhojnë 5.40 minuta në ditë për punë të papaguar, ndërsa meshkujt 48 minuta. Pjesa e mbetur që bëjnë punë të paguar është sa dyfishi i grave. Pra, 66 për qind e meshkujve, që bëjnë punë të paguar kundrejt 36 për qind të grave që bëjnë punë të paguar”, thotë Pranvera Elezi, Koordinatore e INSTAT.
Raporti tregon gjithashtu se të rinjtë, në veçanti meshkujt, pjesën më të madhe të kohës së tyre të lirë ia kushtojnë televizorit dhe videos. Ndërsa sportet dhe leximi zënë një pjesë shumë të vogël të kohës së tyre të lirë. Përfaqësuesja e OKB-së në Tiranë, Zineb Benjelloun e vlerësoi publikimin e këtyre statistikave, por apeloi që qeveria shqiptare të punojë me qëllim që diferencat gjinore në drejtim të punësimit të jenë më pak të ndjeshme.
Ja disa nga gjetjet e Raportit
Burrat shpenzojnë më shumë kohë se sa gratë në punë të paguar.
Puna e ndërmarrë nga gratë është e dominuar fuqishëm nga puna e papaguar, ndërsa puna e ndërmarrë nga burrat është e dominuar fuqishëm nga puna e paguar. Studimi tregon se, në fashon orare 8:00-10:00 të paradites rreth 60 për qind e burrave bëjnë punë të paguar, ndërsa 70 për qind e grave bëjnë punë të papaguar.
Pas orës 11:00 të mbrëmjes, rreth 40% e burrave shkojnë të flenë, ndërsa më shumë se 60% e grave janë ende duke bërë punë të papaguar (punë shtëpie), ose aktivitete të tjera.