Shqiptaret marshoje ne zemer te Nju Jorkut

Shqiptarët marshojë në zemër të Nju Jorkut
Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci, Medevegja e Çamëria, të gjithë sëbashku festuan disa orë në bulevardin kryesor të Nju Jorkut, në një vend, në të njëjtën ditë dhe nën të njëjtin flamur (kuq e zi). Ka disa vite që kjo paradë, e organizuar nga bashkia e qytetit, OKB-ja, Fondi Ndërkombëtar i Emigrantëve, është kthyer në një festival madhështor, ku marrin pjesë rreth 100 vende të botës. Ndërsa miliona njujorkezë e turistë të huaj e ndjekin defilimin e tyre në segmentin mes dy rrugëve në zemer të qytetit. Pjesëmarrësit kaluan në një prej bulevardeve më të bukura afër një prej parqeve të mëdha, në zemër të Nju Jorkut. Kjo ishte Parada 23-të, e cila kësaj radhe u mbajt me moton: “Udhëtim Rreth e përqark Botës” (Journey Around the World).

Këtë paradë qyteti multietnik, multikulturor dhe i multitraditave, Nju Jorku i 12 milion banorëve, e ka festën e tij. Një eveniment që ka nisur fillimisht të kremtohet në bazat komunitare, nëpër lagjet e emigrantëve e më pas parada i është afruar zemrës së qytetit, (midtown) duke mbledhur çdo vit, muzikën foklorike, kulturën e traditën e gjithë globit. Kësaj feste për të dhjetën herë i është bashkuar edhe komuniteti shqiptar i Nju Jorkut dhe i tri shteteve përreth tij. Organizatorët vlerësojnë se kjo festë simbolizon unitetin mes njerëzve në pjesë të ndryshme të botës. Gjatë defilimit në rrugën simbolike “America”, grupi i shqiptarëve me rreth 500 pjesmarrës, me veshjet popullore, valltarët e instrumentistët e shumtë të organizuar bukur, kanë performuar në këtë rrugë të shoqëruar nga entuziasmi i qindra emigrantëve të tjerë. Sipas organizatorëve të komunietit shqiptar, të cilët janë djem dhe vajza të reja të mbledhur në forumet shqiptare si “TheAlbanians”, “Shkodraonline”, “Rina Shqiptare në Nju Jork”, ky manifestim tash e tutje do të jetë tradicional, gjithë shqiptarë dhe apolitik.

Në krye të paradës ishte vendosur edhe Instituti “Gjergj Kastriot Skanderbeg”, në Staten Island, shoqata Çamëria, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, etj. Festivali i muzikës, ose festa e komuniteteve, një nga manifestimet më të mëdha multikulturore e multietnike me grupe folklorike nga komunitet që kanë emigruar në Nju Jork kësaj here për shqiptarët pati dy figura të nderura në krye të festës. Në paradë shiritin blu “Nderi i Paradës” e mbajtën presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph J. DioGuardi (ish-kongresmen republikan i Nju Jorkut) dhe gruaja e tij Shirly Cloyes, këshilltare e çështjeve Ballkanike. Në fillim të defilimit, Edward Juarez-Paglioko, president i Fondacionit Ndërkombëtar të Emigracionit, i shoqëruar nga DioGuardi dhe Shirli Klojes, tha se “Pjesëmarrja e shqiptarëve në këto aktivitete tregon se ata janë bërë një ndër shembujt më të mirë të integrimit dhe të komunikimit ndërkulturor të emigrantëve në SHBA”. Ai vijoi më tej: “Ne jemi të lumtur që në këtë ditë të mrekullueshme të kemi në këtë paradë edhe grupet e emigrantëve shqiptarë, me kostumet e tyre shumë të bukura.

Është e disata herë që marrin pjesë shqiptarët dhe defelimi i tyre ka qenë fantastik dhe ka tërhequr vemendjen e njujorkezëve”. Edward Juarez-Paglioko, president i Fondacionit Ndërkombëtar të Emigracionit, i ka uruar më pas mirëseardhjen në familjen e madhe të kësaj feste dhe shtetit më të ri të botës, Kosovës, duke thirrur “Welcome Kosova”. Në këtë paradë, shqiptarët e Amerikës u prezantuan me grupe të rinjsh e të rejash, pjesmarrës të të gjitha moshave, me veshjet e tyre popullore, flamujt kuq e zi, simbolet tona kombëtare dhe rritmin e muzikës e valleve popullore shqiptare, duke zgjuar kështu vëmendjen dhe kurrejshtjen e publikut të pranishëm. Në paradën e 23-të, u paraqitën dhjetra grupe shqiptare, përfaqësues të shoqatave dhe shkollave të ndryshme nga Nju Jorku. “Ky, -thanë organizatorët, -ishte një ndër shembujt më të mirë të integrimit dhe të komunikimit ndërkulturor të emigrantëve në SHBA. Gjatë marshimit të grupit të shqiptarëve në sheshin “Amerika”, oshëtinte zëri i folësve nga altoparlantët e fuqishëm, ndërkohë që njëri prej tyre, u tregonte miliona njërëzve se kush është Shqipëria dhe lavdëronte pjesëmarrjen e emigrantëve shqiptarë e kontributin e tyre në qytetin e Nju Jorkut dhe në SHBA.

Nga Nju Jorku, Beqir SINA : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama