Vetëm një ditë na ndan nga 102-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosfera nuk ka përfshirë vetëm trojet shqiptare, por edhe rrugët e Nju Jorkut. Portali amerikan “silive.com” raporton se bulevardi “Hylan” në Nju Jork është mbushur me flamuj shqiptarë me rastin e 28 Nëntorit, por pa lejen e bashkisë. Në krah të tyre ndodhen të varur edhe flamujt amerikanë. Megjithatë, sipas të njëjtit burim amerikanët nuk kanë kuptuar asgjë pasi nuk e njohin flamurin shqiptar. Thuhet se flamujt u kanë rënë në sy zyrtarëve të zonës të cilët kanë deklaruar se për të bërë një gjë të tillë duhet leje e veçantë. Sipas banorëve të zonës, flamujt janë vënë natën për t’u shpëtuar syve të autoriteteve. Por zyrtarë të bashkisë kanë thënë se vendosja e flamujve ka marrë miratimin e minibashkisë pas një kërkesë të komunitetit shqiptaro-amerikan të kësaj zone.