Një studim i fundit i Institutit Demokratik Kombëtar, arrin në përfundimin se shqiptarët janë më optimistë se në vend do të ketë ndryshime pozitive sesa ç’ishin një vit më parë. Por, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i kësaj organizate amerikane, Robert Benjamin thotë se që kjo shpresë të kthehet në realitet, zëri i qytetarëve duhet të reflektohet në zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë ata dhe politikanët duhet të lënë mënjanë konfliktet dhe të udhëhiqen nga interesi publik.
Studim-anketa e Institutit Demokratik Kombëtar, u krye në dhjetor të vitit 2013 në disa qytete të Shqipërisë me bashkëpunimin me Institutin për Studime dhe Alternativa Kërkimore (IDRA).
Bëhet fjalë për marrjen e mendimeve të të gjitha shtresave sociale të vendit, për çështjet që i shqetësojnë dhe rolin e qeverisë. Pjesëmarrësit zgjidhen në një mënyrë të tillë që të krijojnë një mikrokozmos të opinionin publik.
Benjamin thotë se kur një anketë e ngjashme ishte bërë në vitin 2012, para zgjedhjeve, njerëzit ishin shumë pesimistë për gjendjen e tyre dhe të vendit, veçanërisht ekonomisë dhe përsa i takonte mundësisë për ndryshim.
“Këtë herë mendoj se ka një farë hapësire për optimizëm. Ka disa shenja që njerëzit kanë ndjesinë që mundësia për ndryshim ekziston. Mendoj se kjo ka të bëjë me faktin që zgjedhjet sollën një ndryshim paqësor të pushtetit, pa konflike politike, pa kundërthënie, pa bojkotim dhe tani njerëzit janë gati të vazhdojnë me jetën e tyre”.
Ai sqaron se ajo që nënkuptojnë njerëzit me ndryshim është kryesisht e lidhur me ekonominë dhe se ata duan të kenë shanse ekonomike, janë të shqetësuar për papunësinë e vazhdueshme, për rrogat e ulëta dhe çmimet e larta, si edhe për korrupsionin.
“Pra megjithëse ka një ndjesi shprese mes shqiptarëve se gjërat do të ndryshojnë, ka edhe një lloj irritimi se këto çështje nuk po zgjidhen në mënyrë aq efektive sa ç’duan qytetarët”.
Për Benjamin kjo rritje optimizmi, që ai e quan të moderuar, është një shans që nuk ekzistonte gjatë pesë viteve të fundit, të shoqëruara me konflikte dhe bllokim politik. Por ai shton se për ta kthyer atë në realitet, qytetarët duhet të angazhohen, të marrin pjesë në diskutime publike, të futen në organizata të shoqërisë civile, të anëtarësohen në parti politike dhe të bëhen pjesë e jetës politike.
“Mendoj se klasa politike, politikanët në vend duhet t’i shmangen asaj lloj retorike ku kritikojnë dhe godasin palën tjetër dhe të përqendrohen më shumë tek një bashkëbisedim politik me qytetarët, pra të përpiqen për konsolidimin e politikave dhe diskutimin e çështjeve”, tha Benjamin.
Përmes këtij lloj procesi komunikimi, thotë zyrtari i Institutit Demokratik, qeveria bëhet më transparente dhe e përgjegjshme që t’i përgjigjet më mirë interesit të publikut.
Dhe ai mendon se partitë politike e kanë këtë vullnet të trajtojnë çështje që shqetësojnë qytetarët, që sipas përgjigjeve të tyre në studim janë të lidhura konkretisht me jetën dhe komumitetetet e tyre si ekonomia, bujqësia dhe mjedisi.
Benjamin thotë se retorika e hidhur dhe jo konstruktive në periudhën parazgjedhore, sulmet personale mes politikanëve erdhën në kurriz të diskutimit të çështjeve, por shton se me votën e tyre, qytetarët treguan se kanë pushtetin për të vendosur.
Ai thotë se duhet një periudhë 6-9 mujore që një qeveri e re ta marrë gjendjen në dorë dhe kur ndryshon pushteti ka gjithmonë një përpjekje politike për të bërë palën tjetër përgjegjëse.
“Qeveritë e reja kanë një instinkt të natyrshëm që të thonë se ka probleme madhore dhe ne kritikojmë qeverinë e kaluar për situatën që gjetëm dhe ata që ishin në qeveri më parë thonë që tani janë në opozitë dhe do të kritikojnë qeverinë”, tha ai.
Por në fund të fundit, thotë ai gjithçka ka të bëjë me faktin se sa të besueshme janë partitë politike kur bëjnë akuza ndaj njëra-tjetrës, sepse njerëzit janë në gjendje të kuptojnë nëse diçka nuk ka besueshmëri.
“Është detyrim i klasës politike shqiptare që të trajtojë çështjet që i interesojnë publikut, në një mënyrë të besueshme që do të thotë që të hartosh politika, të kesh ide, të tregosh aftësi udhëheqëse dhe aftësinë që të realizosh objektiva, çka do të thotë se duhet kompromis, do të thotë që t’i shtrish dorën kundërshtarit politik, qoftë nëse je në qeveri apo opozitë, për të bërë atë që duhet bërë”.
Të anketuarit e shohin korrupsionin si diçka që ngadalëson ekonominë, si diçka që kufizon shanset e tyre kur bëhet fjalë për aspekte si qasja në kujdesin shëndetësor, ose mundësitë ekonomike. Benjamin citon një person në Fier që tha “nëse do punë, duhet t’u japësh një zarf”.
“Ajo që tregon studimi ynë është se njerëzit e shohin korrupsionin si diçka jo normale, nuk është diçka e drejtë. E shohin si pengesë për mundësitë e tyre dhe që ia vështirëson jetën. Është diçka që qytetarët në Shqipëri e shohin në një mënyrë shumë reale dhe personale dhe që duan që të rregullohet”, tha ai.
Ai thotë se zgjidhja e këtij problemi i takon qeverisë në thelb, por thotë se edhe qytetarët duhet të jenë vigjilentë, të mbikëqyrin, të jenë aktivë në mënyrë që të jetë një detyrë e përbashkët.
Një nga çështjet e diskutuara në anketë, është edhe perspektiva e integrimin evropian, që shqiptarët si edhe më parë e shohin si diçka pozitive, ekonomikisht dhe në drejtim të demokracisë.
Benjamin thotë se ecuria në këtë proces është e lidhur si me plotësimin e standardeve, ashtu edhe me dinamikën politike brenda Bashkimit Evropian. Por, Benjamin thotë se procesi i anëtarësimit gjithsesi do të jetë i gjatë, dhe është në të mirën e Shqipërisë ta shohin përparimin jo thjesht në shërbim të hyrjes bë BE, për të mirën e vendit.
“Çfarë shoqërie duan të ndërtojnë njerëzit, çfarë shansesh ekonomike duan të kenë, çfarë duan për fëmijët e tyre në të ardhmen? Pra sigurisht që hyrja në BE është e rëndësishme, por meqenëse do të dojë një kohë të gjatë, atëherë është e rëndësishme edhe të gjendet mënyra që të ndërtohet shoqëria që duan vetë shqiptarët”, tha ai
Raporti i mbështetur në bisedat me qytetarët e Shqipërisë, do të bëhet publik në mars dhe përfundimet e tij do t’i dërgohen qeverisë, parlamentit dhe shoqërisë civile.