Shqiptaret ne krize ekonomike do t’i festojne festat ne shtepi

Shqiptaret ne krize ekonomike, do t’i festojne festat ne shtepi
Numri i shqiptarëve që zgjedhin për të kaluar Festat e Fundvitit jashtë vendit është ulur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Agjencitë e udhëtimeve shtojnë se as paketat turistike dhe ulja e çmimeve të biletave të udhëtimit nuk kanë ndikuar në rritjen e prenotimeve. Duket se shkak i kësaj rënie drastike është bërë kriza ekonomike që ka kapluar gjithë Europën. Ndryshe nga sa më parë kur me liberalizimin e vizave pati një dyndje të udhëtimeve jashtë vendit, këtë fundvit janë emigrantët ata që kanë lënë vende si Greqia apo Italia për tu kthyer pranë familjeve të paktën për darkën e festave.

Luhatjet e udhëtimeve

Nga njëra anë liberalizimi i vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, shënoi progres në tregun e udhëtimeve të shqiptarëve dhe zgjerim të hartës gjeografike turistike drejt vendeve të zonës Shengen, por kjo vetëm në muajt e parë. U parashikua një rritje e numrit të turistëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, dhe viti i parë i heqjes së vizave pati rezultat dhe impakt të pritshëm. Muajt e parë të heqjes së vizave u shoqëruan me një numër të lartë të turistëve, të cilët preferuan shtetet fqinje për të kaluar pushimet e fundvitit si Greqia apo Italia, kjo edhe për faktin se të afrimit e tyre kanë emigruar pikërisht në këto shtete.

Agjencitë

“Numri i turistëve, në muajt e parë të heqjes së vizave, u rrit ndjeshëm. Vetëm me anë të pasaportave, shqiptarët zgjodhën të udhëtonin dhe të kalonin disa javë si turistë në vendet tona fqinje, aty ku kanë edhe familjarë. Frekuentueshmëria më e lartë u vu re sidomos gjatë muajve të verës,” raportojnë agjencitë e udhëtimeve, të cilat shtojnë se aktualisht janë detyruar të ulin çmimin e biletave për të afruar më tepër klientë. “Një vit më parë çmimi i biletave ka qenë më i lartë. Duke parë numrin e ulët të lëvizjeve jemi detyruar të ulim çmimet e biletave. Këtë fundvit duket qartë se janë minimizuar rezervimet për të kaluar festat jashtë Shqipërisë,” pohojnë më tej punonjës pranë agjencive turistike. Këto të fundit ankohen se aktiviteti i tyre po kalon një krizë të papërballueshme. Edhe pse për periudhën e festave të fundvitit janë ofruar paketa turistike si dhe bileta udhëtimi 15-20 % më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sërish nuk ka një rritje të ndjeshme të atyre që do të udhëtojnë jashtë. Edhe ai numër i vogël turistësh që kanë prenotuar, prek kryesisht moshën e tretë, që shkojnë për të kaluar festat pranë fëmijëve që kanë emigruar jashtë. Kjo gjë duket qartë edhe nga fluksi i madh në portet detare.

Kriza ekonomike

Ndikim në uljen e lëvizjes së shqiptarëve drejt shteteve, në veçanti Greqisë dhe Italisë, duket se ka sjell kriza ekonomike që ka prekur kohët e fundit jo vetëm vendin tonë por gjithë Evropën. Kjo pasohet me kthimin e emigrantëve në Shqipëri duke mos u lënë kështu hapësirë familjarëve të tyre për të udhëtuar në vendet fqinje. Vlen të përmendet fakti se pjesa më e madhe e turistëve shqiptarë udhëtojnë në vendet fqinje për të takuar familjarët dhe të afërmit. Mosha e tretë është ajo e cila më së shumti i “vuan” këto festa. Për vetë faktin se atyre do t’u duhet të presin të vetmuar natën e ndërrimit të viteve. “Fëmijët i kemi jashtë. Të ardhurat ekonomike nuk u mjaftojnë për të ardhur në Shqipëri. Të detyruar do t’i kalojmë festat të ndarë nga njëri-tjetri”,shprehet një çift pleqsh në Tiranë.

Sigurisht që nuk mungojnë edhe rastet e atyre të cilët do t’i festojnë të bashkuar familjarisht festat e dhjetorit. Kriza ekonomike e vendeve fqinje ka ndikuar drejtpërsëdrejti në xhepat e shqiptarëve. Pensioni që marrin prindërit e emigrantëve nuk është i mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet. “Vitin e kaluar isha në Itali tek fëmijët e mi. M’i siguruan ata të gjitha kushtet. Këtë vit nuk munden, aq më pak unë”, thotë Rizai, babai i tre fëmijëve emigrantë dhe që për ironi të fatit jeton i vetëm në Tiranë. Lëvizja këtë vit pritet të jetë e kufizuar në maksimum, dhe ato që e ndjejnë së tepërmi këtë situatë janë pikërisht agjencitë e udhëtimit, të cilave u duhet të përballen edhe me konkurencën duke qenë se janë shtuar edhe në numër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama