Të gjithë emigrantët që ndodhen në Greqi, të cilëve iu kanë skaduar dokumentet, do të kenë edhe pesë muaj kohë për t’i rinovuar sërish. Ky lajm bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme e Greqisë, e cila nëpërmjet një komunikate për shtyp, thotë se ka vendosur të shtyjë me një afat 5-mujor të gjitha lejet e qëndrimit, që skadojnë nga 1 janari deri më 30 prill 2014.
“Afati i lejeve të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta, që janë nxjerrë nga shërbimet e shtetasve të huaj dhe emigracionit të administratës së decentralizuar të vendit, dhe skadojnë nga 1 janari deri më 30 prill të 2014-ës, shtyhen automatikisht për një periudhë 5-mujore, që nga data e skadimit, pa nevojën e nxjerrjes së akteve normative”, -thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme Greke, raporton ATSH.
I njëjti burim zyrtar thotë se kërkesa për rinovimin e lejeve të qëndrimit pranohet gjatë gjithë kohës së shtesës, përderisa dëshmohet se ka arsye të jashtëzakonshme. Autoritetet greke janë te detyruara për këtë shtyrje afati, për shkak të personelit të mangët që ka në zyrat e shërbimit të emigrantëve.