Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, thuhet se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 ndihma ekonomike ishte 3 798 lekë, ndërsa tremujorin e parë të vitit 2009 ishte 3 899 lekë, pra ka ardhur në rritje me afro 2.6 për qind. Tremujorin e dytë të vitit 2009 ishte 3 746 lekë, ndërsa tremujorin e tretë të vitit 2009 ishte 3 900 lekë, pra ndihma ekonomike është rritur me afro 4 për qind. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, “paketa” sociale ishte 3 900 lekë, e njëjta me atë të tremujorit të tretë, ndërsa tremujorin e parë të 2010-s ishte 3 690 lekë, pra ka pësuar zbritje në masën e 5.4 për qind. Në tremujorin e dytë të 2010-s ishte 3 940 lekë, ndërsa tremujorin e tretë të 2010-s ishte 3 980, duke shënuar rritje me 1 për qind. Ndërkohë, mësohet se në tremujorin e katërt të vitit 2010 ndihma ekonomike kapte shifrën e 4 023 lekëve, çka pohon për rritje të ndihmës sociale në masën e rreth 1.7 për qind krahasuar me atë të tremujorit të tretë të po këtij viti.
Bazuar në një përllogaritje të thjeshtë matematikore, rezulton se ndihma ekonomike nga tremujori i katërt i vitit 2008 deri në tremujorin e katërt të vitit 2010 është rritur me afro 5 për qind, ose e përkthyer ndryshe me 225 lekë.
Ndonëse çmimet e ushqimeve në vendin tonë janë rritur me 15 qind, “paketa” sociale që ofrohet në ndihmë të personave në nevojë është rritur me vetëm 5 për qind, çka e vështirëson edhe më shumë jetesën e tyre të përditshme.
Bazuar në ligjin për skemën ekonomike, parashikohet që kriteret mbi të cilat do të bëhet seleksionimi i familjeve që do të përfitojnë ndihmë ekonomike do të jenë shumë më lehtësuese në mënyrë që të ketë shtesë të numrit të përfituesve krahasuar me vitet e kaluara. E megjithatë, kjo sipas specialistëve të Ministrisë së Punës, nuk do të thotë që nuk do të ketë seleksionime të kandidatëve që shpresojnë të përfitojnë nga këto lehtësira.
Zyrtarisht thuhet se shkak për kalimin e tyre në “sitë” janë abuzimet që janë konstatuar herë pas here në dosjet e dorëzuara nga kandidatët në gjendjet civile përkatëse. Sipas tyre, përcaktimi i një sërë kushtesh të forta do të shmangë çdo mundësi abuzimi.
Në një prej pikave të ndryshuara të skemës ekonomike thuhet se, nëse një familje ka një person emigrant apo ka dikë të punësuar qoftë edhe me periudha të shkurtra, përjashtohet menjëherë nga skema, rrjedhimisht nuk ka asnjë të drejtë përfitimi nga shteti. Përfaqësuesit kryesorë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale sqarojnë se aktualisht numërohen 3 mijë persona që do të përjashtohen nga kjo skemë.
Madje, në mars të këtij viti, Ministri i Punës, Spiro Ksera premtoi se përveç parave, do të mundësohen edhe veshmbathje e ushqime. Por këto të fundit, sipas tij, do të përfitohen vetëm nga ato familje, ekonomia e të cilave është tejet e mjerueshme. Pra, “tollonin” nuk do të ketë të drejtë ta përfitojë çdo familje që është pjesë e ndihmës ekonomike, por vetëm ato që, edhe pse marrin para në dorë, e kanë të pamundur të përballojnë jetesën e përditshme.