Studimi
Sipas studimit të bërë nga anketat eksperimentale me të rinjtë ka rezultuar se 50 për qind e të rinjve shqiptarë nuk do ta pranonin fqinjësinë me një çift homoseksual. Përqindje më të lartë paragjykimi me mbi 67 % e kanë meshkujt ndërsa 46% femrat, ndërkohë që homofobia është e shtrirë në çdo kategori. Të rinjtë në fshatra janë më paragjykues se sa të rinjtë në qytet, ndërsa femrat rezultojnë të jenë më tolerante ose indiferente nga fqinjësia me një çift homoseksualësh.
Shoqata PINK
Lajmi është bërë publik në blogun zyrtar të Ambasadës PINK/LGBT Pro Shqipëri ku thuhet se ky studim ashtu si edhe sondazhe dhe vëzhgime të tjera tregojnë se homofobia e të rinjve shqiptarë lidhet me mungesën e dijeve mbi çështjet LGBT dhe të seksualitetit çka rezulton në një izolim dhe frikë të personave LGBT për të pranuar orientimin e tyre seksual apo për ta bërë atë të ditur.
Apeli
Nisur nga kjo situatë Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrive dhe institucioneve të tjera ti bashkohen sa më herët punës së nisur nga organizatat e shoqërisë civile, Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, Avokati i Popullit dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që të përfshijnë sa më herët në planet e tyre të punës, projekte edukuese dhe informuese në dobi të rritjes së informacionit për komunitetin LGBT ku e vetmja rrugë përpara është ajo e tolerancës zero.