Shqiptaret ringjallin rajonet e humbura serbe

Shqiptaret ringjallin rajonet e humbura serbe
Kur para gjashtë vjetësh erdhi nga rrethina e Tiranës, në Guberevën e largët të Golisë, shqiptares Lume Nishraj nuk i ka penguar që i zgjedhuri i saj Radisav Miliçeviq është plak, e as se jeton larg qytetit, në skëterrë, ku shitorja më e afërt është gjashtë kilometra larg. Asaj nuk i pengon as që i bën punët më të rënda, me baltën deri në gjunjë, duke luftuar me borën dhe ujqit, dhe duke u kujdesur për vjehrrën plakë Milicën, shkruajnë mediet e Beogradit.

“Asgjë nuk e kisha të vështirë. Radisavi ishte i mirë, shpirt njeri, Zoti na i dha dy djem, Martinin dhe Miljanin. Kemi punuar shumë, ishin të lumtur dhe asgjë nuk na mungonte. Kemi planifikuar ta ndërtojmë vet rrugën deri Sharonj, apo shtëpinë afër shkollës në këtë vend”, flet me lot në sy Lumja, njëra prej 150 femrave shqiptare që janë martuar me burra pleq të Golisë, Peshterit dhe Rogozit, e që kanë lindur afro 200 të fëmijë, duke ringjallur shumë vatra nga shuarja, e shpesh edhe tërë fshatin.

“Për fat të keq, lumturia ime ishte jetëshkurtër. Radisavi vdiq në traktor, derisa priste drunj në mal. Në fshat kemi mbetur vetëm vjehrra Milica dhe unë. E punojmë pronën e familjes, i rrisim fëmijët, e ruajmë vatrën dhe festën e shenjtë të Shën Pantelejmonit. Asgjë nuk e kisha të vështirë, jam luftëtare dhe punëtore, por problemi i madh në Guberev është se nuk ka shtëpi dhe fqinj, kështu që kam kujdes që gjyshja e fëmijët të mos sëmuren, dhe gjithmonë kam frikë se si do t’i dërgojë deri te asfalti apo te mjeku kur bie borë e madhe”, shton Lumja.

Shoqata Rashka e Vjetër dhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, e kanë ndihmuar atë që ta fitoj nënshtetësinë serbe, pasaportën, ndërsa ajo e ka dhënë edhe lejen e vozitjes.

“Tash, në kuptimin e plotë të fjalës, jam serbe, ndërsa për kthim në Shqipëri nuk mendoj. Miljani dhe Martini janë lindur në Goli, e këtu duhet edhe të rrinë. Kam luftuar për ta marrë një parcelë në Dezhevë, pranë malit, pak më poshtë se në Guberevë dhe Sharonjë, ku ka shkollë tetëvjeçare, stacione shëndetësore e edhe disa shitore. Na ka ndihmuar edhe komuna e Novi Pazarit, e cila na i ka ndarë 15 ari tokë në Dezhevë ku – nëse mbledhim para – do ta ndërtojmë shtëpinë dhe plevicën”, thotë Lumja, duke theksuar se kur Vesti ka shkruar vjet të për të, “e kanë thirrë nga e gjithë bota, duke i dhënë mbështetje dhe duke i ofruar ndihmë”.

Seadetin Mujezinoviq, anëtar i Këshillit të Novi Pazarit, thotë se “mahnitet me guximin e Lumës”.

“Edhe pse shtëpia nuk i ka duart e forta të burrave, e deri vonë nuk kishte as shtetësinë serbe, ajo vazhdon ta punojë tokën dhe në mënyrën më të mirë kujdeset për vjehrrën e vjetër dhe për fëmijët. Pikërisht kjo na ka shtyrë që t’ia japim parcelën në Dezhev. Do të mundohemi t’ia sigurojmë edhe një pjesë të materialit ndërtimor për shtëpinë që ajo synon ta ndërtoj, që fëmijët dhe vjehrra të jenë më afër asfaltit”, thotë ai.

Duke iu falënderuar nuseve nga Shqipëria, është ringjallur tërë rajoni i Peshterit. Në Buxhevë afër Sjenicës, 30 vite nuk është dëgjuar vaji i fëmijës, ndërsa tash janë 12 fëmijë, e disa tjerë pritet të lindin. Disa të pamartuar bëhen gati për martesë me shqiptare, kryesisht ortodokse e katolike nga rrethina e Shkodrës. Kisha serbe e ka dhënë bekimin për të gjitha këto martesa, ndërsa ka pagëzuar edhe fëmijët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama