Rritja konstante e shitjeve tregon për një treg gjithmonë e në ngritje, e tashmë totalisht të formalizuar mbi bazat e marrjes së ekskluziviteteve të të gjitha markave prestigjioze. Megjithatë, duket se lobingu i bërë nga koncesionarët shqiptarë të makinave për miratimin e ligjit, për rritjen e tarifave doganore lidhur me makinat e përdoruara, e ka dhënë më së miri efektin. Numri i makinave me kilometrazh zero, që janë shitur në Shqipëri gjatë 9 muajve të parë të vitit, sipas statistikave të Shoqatës së Distributorëve Ligjorë, është rreth 2900, ndërkohë që deri në fund të vitit mendohet që ky numër të arrijë në afro 3800 të tilla. Sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës, Shpëtim Luku, rritmi i rritjes së biznesit në fjalë përllogaritet në afro 25 për qind nga viti në vit. Lidhur me këtë, Luku e vë theksin tek disa faktorë që kanë ndikuar pozitivisht. “Duhet përmendur se eliminimi i praktikave të zhdoganimeve falsë dhe reduktimi në maksimum i futjes në vend të makinave të vjedhura janë dy nga faktorët që i kanë dhënë dritë jeshile lulëzimit të tregut të mjeteve të reja motorike”, thotë sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Distributorëve Ligjorë. Sipas tij, faktorët e lartpërmendur janë realizuar falë ngritjes së një rrjeti online informimi midis Interpolit dhe Drejtorisë së Doganave.
Në fakt, duket se një nga pikat kyçe ku mund të bazohet rritja konstante e tregut të makinave të reja është edhe ajo që lidhet me agresivitetin e sistemit bankar në formën e kredive për makinë apo atë të leasing-ut. Ndërkohë, vërehet një epërsi fiskale e makinave të reja krahasuar me ato të përdorura, pasi për këto të fundit aplikohet një taksëimporti, e cila përllogaritet në bazë të vlerës fikse prej 25 mijë lekësh, e cila shumëzohet me cilindratën dhe më pas me koeficientin e vjetërsisë.
Në Shqipëri hyjnë mesatarisht afro 25 mijë makina çdo vit, me një çmim mesatar prej 7 mijë eurosh për makinë. Kështu, tregu i makinave arrin në rreth 170 milionë euro. Nga këto, afro 75 milionë euro xhirohen nga koncesionarët apo tregu formal, ndërkohë që tregu informal arrin në 95 milionë euro. Sipas një studimi të bërë nga Shoqata e Distributorëve Ligjorë, buxheti i shtetit, për shkak të tregut informal, humbet çdo vit 4 miliardë lekë të ardhura.
Duhet përmendur se kohët e fundit, marrja e ekskluzivitetit të markës “Land Rover” nga kompania shqiptare “Albanian Motor Company”, e cila më parë ka operuar vetëm me markën “Ford”, përbën një risi të re në tregun e makinave me kilometrazh zero. “Duhet të themi se me futjen e “Land Roverit” nga kompania AMC, gama e ekskluziviteteve lidhur me disa nga markat e reja më të rëndësishme mund të konsiderohet e mbyllur”, tha Luku. Sipas tij, vendin e parë në listën e shitjeve sipas koncesionarëve vazhdon ta zërë për vite me radhë kompania “Classic sh.p.k”, me makinat nën markën “Volkswagen”. Megjithatë, lista e vënë në dispozicion për gazetën, bazuar në shitjet e 9-mujorit të Distributorëve Ligjorë të Makinave të Reja, tregojnë se shitjet e markës “Volkswagen” kanë qenë plot 700, ndërkohë që vendin e dytë e zë kompania “Porsche Albania”, me 375 shitje të mjeteve nën markën “Seat”, “Skoda” dhe “Audi”, duke zënë kështu vetëm 13 për qind në tregun e makinave të reja. Ndërkohë, afro 10 për qind e tregut të shitjeve të makinave të papërdorura i takon kompanisë “Avel sh.p.k”, pasi për llogari të 9-mujorit numërohen 298 shitje të makinave “Peugeot”. Mund të themi se vend të rëndësishëm në tregun e shitjeve zë edhe kompania “Albanian Motor Compani”, me 150 makina “Ford” të tregtuara vetëm për periudhën janar-shtator, ndërkohë që për muajt në vazhdim ritmi i shitjeve presupozohet të jetë më i lartë, si pasojë e pasurimit të gamës me markën “Land Rover”.
Gazeta: Korrier