Shqiptaret te fiksuar pas celularit 50 mld leke ne 2009

Shqiptarët të 'fiksuar' pas celularit, 50 mld lekë në 2009
TIRANË- Shqiptarët kanë shpenzuar për të komunikuar rreth 50 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Të dhënat më të fundit të Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë fjalë për një rritje të konsiderueshme të abonentëve të kompanive të telefonisë së levizshme gjatë dy viteve të fundit. Madje AKEP raporton se kjo shifër është tre për qind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, por përkundrazi numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të treja kompanitë celulare në vend arrin në 4.1 milionë përdorues.


Kurba e rritjes së përdoruesve të telefonisë celulare në vend ka ardhur në rritje duke filluar nga vitit 2000. Gjatë këtij viti numri total i përdoruesve të telefonisë së levizshme varionte në rreth 29 mijë abonentë, një vit më pas arrihet në 352 mijë abonentë. Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia celulare do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues.


Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë së levizshme, rreth 94 për qind e tyre janë janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë. Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit. Kështu, rritja e numrit të përdoruesve të celularëve ka shtuar konsumin për abonent. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar.


Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë celulare më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas AKEP gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me 119 për qind të është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ky tregues pasqyron faktin se një përdorues mund të jetë njëkohësisht abonent i dy apo të tre kompanive që operojnë sot në tregun shqiptar. "Numri i përdoruesve celularë i referohet kartave SIM ndërkohë që normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se një karte të tillë", - shpjegon AKEP.


Rritjen e numrit të përdoruesve të telefonisë së levizshme si dhe të minutave të bisedës për çdo abonent AKEP e lidh me hapjen e tregut dhe rritjen e konkurrencës midis kompanive.


Ndërkaq, ndryshe nga ajo celulare, telefonia e levizshme ka një shtrirje shumë më të ulët. Gjatë vitit 2009 numri i abonentëve fiks arriti në 363 mijë duke pësuar një rritje me rreth 40 mijë krahasuar me një vit me parë. Në Shqipëri ofrojnë shërbimin e telefonisë fiks rreth 74 operatorë, ndërsa 18 të tjerë ofrojnë shërbimin e thirrjeve me kartë të parapaguar. Edhe pse ka një numër të madh operatorësh të telefonisë fikse sipërfaqja e që mbulohet me shërbim nuk e kalon 12 për qindshin.
Emirjon Senja : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama