E kur ti habitesh për të kuptuar se çfarë lidhje ka të qënit aktor me menaxhimin e një lokali, Niku ta pret shkurt duke të thënë, se duhet punuar për të ecur në jetë. Sensi i tij i prakticitetit të lë të kuptosh menjëherë se nuk ke përpara një artist nga ata që ecin me kokën në re, por një djalosh të guximshëm, realist e luftarak. Të cilin fati në fillim, e më pas puna e kanë renditur ndër figurat më premtuese të kinematografisë shqiptare. I sukseshëm, i talentuar dhe i kërkuar nga regjisorët, ai rendit në karrierën e tij tre role të mëdha protagonisti në kinema. Këto filma janë “Trishtimi i zonjës Shnajder”, me regji nga Pirro dhe Eno Milkani, “Gjallë” me regji nga Artan Minarolli dhe filmi “Shqiptari” me regji nga Johanes Naber.
Si ndodhi që regjisori Pirro Milkani të përzgjodhi për të interpretuar rolin kryesor në filmin Trishtimi i Zonjës Shnajder?
“Isha në mes të vitit të parë në Fakultet, ndjehesha i mërzitur dhe i zhgënjyer. Doja të lija shkollën sepse të gjithë miqtë e mi ndoqën rrugë të tjera në jetë, hapën biznese të vogla, kishin para nëpër duar. Mua më dukej se puna që kisha zgjedhur nuk premtonte diçka të këtillë, më dukej diçka pa të ardhme. Ishte thjesht fat, momenti kur regjisori Pirro Milkani i cili kishte bërë foto audicion me qindra studentë e të rinj për filmin e tij më pa në oborrin e shkollës dhe më kërkoi të më bënte një foto. Atëhere sinqerisht nuk e kuptova rëndësinë e atij momenti, madje pranova disi i bezdisur të bëja atë foto që mu duk më shumë një shaka. E megjithatë mes 400 aktorëve që konkurruan për këtë rol, në fund u përzgjodha unë dhe kështu nisa punën me regjisorët Milkani për këtë film”.
A përpoqe shumë, për të hyrë në karakterin e Pirro Milkanit të ri? Dihet që ky film kishte nota autobiografike nga jeta studentore e regjisorit të njohur në Çeki
“Nuk më kujtohet të kem bërë ndonjë përpjekje të madhe për të ndërtuar një karakter. Mbaj mend që naiviteti, ndjeshmëria që reflekton roli erdhi si pasojë e qëndrimit gjatë gjithë kohës me Pirron në krah. Aty mund të them se mësova ABC-në e ndërtimit të një filmi, çfarë ishte një skenar, ç’do të thoshte protagonist, premierë. Aty mësova të jem aktor”.
Më pas në vitin 2008 ju u përzgjodhët nga një tjetër regjisor Artan Minarolli, këtë herë për rolin e një djaloshi të ri nga Malësia e Veriut të Shqipërisë. Filmi “Gjallë” trajtonte historinë e një djaloshi i cili papritur përballet me Kanunin dhe hakmarrjen.
“Mendoj që ishtë roli im i parë në filmin e Milkanit që më çoi drejt fitimit të rolit në filmin Gjallë, ishte siguria që regjisori Artan Minarolli kishte krijuar nga intepretimi im. Megjithatë sërish u zhvillua një audicion i cili zgjati 2 muaj. Kur zbrita në sheshin e xhirimeve e ndjeja veten më të sigurtë si aktor dhe në atë kohë më kujtohet se hoqa dorë edhe nga diploma në vit të fundit për të vazhduar me xhirimet e filmit. Avantazhi ishte se regjisori Artan Minarolli vinte vetë nga një shkollë aktrimi dhe ishte shumë ndihmues në sheshin e xhirimeve. Megjithatë, aty kuptova se kur ke rol kryesor, kur e gjithë trupa e xhirimit është e fokusuar për të të ndihmuar ty, është e pamundur të mos impenjohesh. Unë jam një njeri që punën e marr me shumë seriozitet dhe jap maksimumin tim”.
E në fund një rol tjetër shumë i rëndësishëm, një film me temë emigracionin dhe regjisor një të huaj, Johanes Naber nga Gjermania. Filmi “Shqiptari”, i cili në origjinal titullohet “Der Albaner” është jo vetëm roli juaj më i arrirë, por që ju ka vlerësuar edhe me çmime të para si aktori më i mirë. Po përmend këtu vetëm një prej festivaleve shumë të rëndësishëm, ai ndërkombëtar i filmit në Moskë “Karlovy Vary” që ju nderoi me çmimin aktori më i mirë, ishte vetë Luc Besson një emër i madh i kinemasë botërore ai që ju vlerësoi në krye të jurisë.
“Më kujtohet që dhe për këtë film, fati e deshi që të isha protagonist pasi u paraqita vetëm ditën e fundit të audicionit që regjisori po bënte me të rinjtë shqiptarë. Shkova rastësisht në audicion, madje regjisori gjerman ishte totalisht kundër aktorëve që kishin ekperiencë. Megjithatë nuk mund të them se dy filmat e mi të parë nuk ndikuan në vendimin e Johanes Naber për të më përzgjedhur. Xhiruam në Valbonë, Berlin, Tiranë. Subjekti i filmit, historia e një djaloshi malësor në emigracion i cili detyrohet të bëjë gjithçka nga punët e rëndomta e deri tek krimi për të jetuar jetën e tij dhe dashurinë dukej më shumë një klishe.
Por më këtë film pata një ndjesi të veçantë, që nga titulli “Shqiptari” gjithçka më dukej personale. Unë aty e ndjeva që duhej shumë për të ndërtuar karakterin e Arbenit. Atë kohë kisha dhe disa sfida me veten time por edhe me rrethin artistik në Shqipëri që kishin filluar të më paragjykonin si djaloshi bukurosh që e duan regjisorët. Ndaj e vendosa. Për këtë film, rashë nga pesha plot 18 kile, qëndrova me javë të tëra në fshatrat e malësisë përkrah djemve që jetonin atje dhe kështu fitova thjeshtësinë e naivitetin e jetës së tyre. Pastaj ndjeja një detyrim ndaj emigrantëve shqiptarë kudo që janë, duke vënë në radhë të parë theksin tek fakti që vlera morale nuk humbet kurrë. Dhe ky rol doli vërtet mirë. Ka fituar disa cmime të para në festivale të rëndësishëm ku padyshim më i madhi është ai i Moskës që përmendët ju.
Unë deri më tani kam fituar dy kupa të arta si aktori më i mirë protagonist. Filmi po shfaqet me shumë sukses edhe në Tiranë. Dhe shumë shpejt do te jetë edhe në festivale të tjerë ndërkombëtar në SHBA, e më gjërë. Uroj që të ketë të njëjtin sukses si deri më tani”.