"Si mund të interpretohet një flamur shqiptar i ngritur në një ballkon përtej kufijve të vendit? Simbol nacionalist apo thjesht kujtesë historike? 'Dashuri e pakufishme' - do të përgjigjej një i moshuar. 'Metaforë identiteti' - një i ri", thuhet në një shkrim të kësaj gazete.
Për vite me radhë në Parma dhe në qytete të tjera të Italisë, flamuri kuq e zi ngrihet në të gjitha ato raste të bukura në të cilat ndërthuret krenaria kombëtare me dëshirën për t’i treguar botës, që ne kemi një histori, një tokë me djepe dhe me këngë, një identitet të lashtë dhe dinjitoz. Do të ngrihet edhe më 28 Nëntor në nder të 100-Vjetorit të Pavarësisë nga të gjithë anëtarët e shoqatës Scanderbeg e mbështetësit e nismës.
Më tej në shkrim kujtohet se shqiptarët në Itali janë gjysmë milionë. Do të ishte bukur sikur këtë vit një gjë të tillë ta bënim të gjithë shqiptarët nga Sicilia në Alpe, të paktën në një ditë, më 28 Nëntor. Në çdo ballkon një flamur, emocionet të dërgojnë tutje, në atë flamur që para 100 vjetësh një burrë i hijshëm me mjekër të bardhë i dha sfondin e lirisë, një shteti që po lindte. Ne mundohemi t’i japim sot sfondin brezave e të mos harrojnë Shqipërinë."