Në këtë mënyrë, lajmi se Besim N. kishte vdekur, kishte marrë dhenë. Më e keqja: atë e kishte parë e dëgjuar edhe nëna e tij, në Kosovë, e cila nga tronditja e përjetuar kishte pësuar infarkt! Veç kësaj, Besim N. thotë se disa ditë të para pas “vdekjes” i ishte dashur të qetësonte përmes telefonit “së paku 30 herë në ditë” të afërmit, duke i bindur se ai ishte ende gjallë.
Për të gjitha këto pasoja që ka përjetuar, Besimi, ish i punësuar në një restorant, ka hedhur në gjyq gazetën dhe ka kërkuar nga ajo zhdëmtim prej 7000 eurosh si dhe dëmshpërblim.
Siç shkruan albinfo, në seancën e mbajtur në Gjykatën e Landit në Munih, Besimi ka sqaruar se për shkak të këtij ngatërrimi atij i ishte dashur të fluturonte edhe në Kosovë, për të bindur se është i gjallë, nënën e goditur nga infarkti. Madje, sipas tij, ngatërrimi i bërë në medie ka qenë shkaktar edhe i pushimit të tij nga puna pa asnjë arsyetim, në fillim të këtij viti. Shefi i tij e kishte përcjellë atë për në shtëpi që në ditën e parë të përhapjes së lajmit të rremë për shkakun se telefoni i tij cingërronte vazhdimisht, dhe e pengonte të punonte. Atij po i telefononin të njohurit e shqetësuar lidhur me rastin, të cilët e pyesnin nëse ende ishte gjallë.
Ndërkaq, avokati i gazetës së paditur ka deklaruar në gjyq se ngatërrimi ende i pasqaruar i fotografisë në gazetë nuk përbën ndonjë shkelje personaliteti të tipit të shpifjes dhe, rrjedhimisht, nuk është rast për të kërkuar dëmshpërblim në para.
Korrigjimi i bërë ditën pasuese pas gabimit, sipas avokatit, ka qenë i mjaftueshëm për të bërë pajtimin. Po kështu edhe gjyqtari ka theksuar se në rastin e njoftimit të gabuar mbi vdekjen, nuk ka ndonjë gjë që lëndon personalitetin. Por ai ka kërkuar nga gazeta, që Besimit t`ia paguajë së paku paratë që ai ka shpenzuar për fluturimin e bërë në Kosovë. Gjykata po ashtu nuk ka gjetur dëshmi se paditësi ka humbur vendin e punës si pasojë e ngatërrimit me të vdekurin.
Gazeta, në fund ka pranuar që t`ia paguajë Besimit, vullnetarisht, 300 euro. Ky i fundit i ka marrë ato para, edhe pse i zhgënjyer me rezultatin e procesit.