Regjisori Izer Aliu ka arritur të depërtojë në fushën e kinematografisë botërore falë punës së tij artistike dhe kreative në fushën e artit të shtatë. Ai është bërë i njohur me filmin e tij “Ta mbrojmë malin” (To guard a montain) ,i cili i ka sjellë 11 çmime. Në një bisedë për “KultPlus”, Aliu ka shpalosur detaje nga projektet e tij të ardhshme në fushën e kinematografisë, të cilat pritet ta shohin dritën gjatë vitit 2014.
Izer Aliu është shqiptar me prejardhje nga Maqedonia dhe po ngjitet suksesshëm në karrierë. Shqiptari, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Norvegji është duke korrur frytet e punës së tij në kinematografi.
Ndonëse është në fillim të karrierës, Aliu është zgjedhur në mesin e 10 regjisorëve më të mirë në shtetet e Skandinavisë nga katër revistat më të mëdha për film të Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës. Filmi “Ta mbrojmë malin” bën fjalë për Isën, djaloshin 12-vjeçar, të cilin e luan Besim Murtezani. Ai ka vetëm një dëshirë, që babai i tij (Burhan Amiti) ta shohë atë si burrë.
Kur Isa e humb delen e shtëpisë, ai duhet t’i dëgjojë urdhrat e babait dhe vëllait të tij për ta gjetur atë. Xhirimet e filmit janë bërë vitin e kaluar në Radushë të Maqedonisë, nga një grup prej 14 studentësh të filmit nga Norvegjia dhe të 20 punëtorëve vendas.
Ky ka qenë njëherësh filmi me të cilin Aliu është diplomuar në Shkollën e Filmit norvegjez në Lilehamer, institucion në të cilin pranohen vetëm 6 persona për çdo dy vjet.
Regjisori Aliu në një intervistë ka shpalosur detaje të tjera nga krijimtaria e tij. Ai ka thënë se aktualisht është duke punuar për dy projekte kinematografike. Regjisori shqiptar ka thënë: “Së shpejti pritet të finalizoj filmin më të ri të metrazhit të shkurtër "The good life, over there” (Jeta e mirë atje), i cili bën fjalë për një punëtor që punon në të “zezë” në fushën e ndërtimtarisë në Oslo”.
Aliu ka shtuar se filmi, i cili është i financuar nga fondet norvegjeze, është në post-produksion ndërsa premiera e tij pritet të shfaqet këtë vit. Projekti tjetër është filmi me metrazh të gjatë "Hunting Flies", i cili pritet të përfundojë në muajin mars të 2014- ës. Aliu thotë se, fillimisht me këtë film planifikon të prezantohet nëpër festivale të ndryshme, ndërsa premiera zyrtare planifikohet të jepet në Norvegji në fillim të vjeshtës.