Truprojat shqiptarë, nxënës të ish-palestrës së Van Damme-it, janë më të besuarit për të ruajtur jetën e personaliteteve. Musliu pohon se vetëm shqiptarët dinë ta bëjnë këtë punë dhe të përballen me rrezikun si shqiptarë.
Origjina shqiptare është privilegj dhe sinonim i sigurisë në Belgjikë. Jeta e VIP-ave shpeshherë është në duart e truprojave shqiptarë të agjencisë së sigurimit “Shqiponja”, të cilët dinë ta bëjnë mirë këtë punë. Emra të njohur botërorë të filmit, muzikës, modës, sa herë që vijnë në Belgjikë, Luksemburg apo Francë janë gjithnjë në shoqërinë e djemve shqiptarë. Shkupjani Lutfi Musliu, ish-nxënës dhe truprojë e aktorit të njohur Jean Claude Van Damme, është një prej truprojave të kësaj agjencie. Ka ardhur për një pushim të shkurtër në Shkup dhe nxiton të rregullojë sa më parë obligimet e tij, pasi i duhet të kthehet sa më parë në Belgjikë.
“Van Damme dhe Brus Willis më 22 qershor do të jenë në Bruksel për të xhiruar një film. ‘Shqiponja’ do të përkujdeset për ta”, sqaron Luftiu arsyet e qëndrimit të shkurtër në vendlindje pas një mungese prej 15 vjetësh.
Me doza të theksuara modestie, ai tregon se vetëm shqiptarët dinë ta bëjnë këtë punë dhe të përballen me rrezikun si shqiptarë. “Lidhjet me VIP-at na i siguron një gazetar francez që beson te puna jonë. Me truproja të tjerë kanë pasur histori të hidhura. Ne kemi besë dhe dimë të ruajmë, jemi rritur në luftëra. Gjithmonë kur kanë probleme na marrin ne, pasi e dinë që vetëm ne përballemi me rrezikun. Ne shqiptarët s’e dimë se çfarë është rreziku”, thotë Luftiu për “Lajm”.
Grupi i “Shqiponjave” përbëhet nga tetë shqiptarë dhe një kroat. Katër prej truprojave tanë kanë leje për ta ushtruar aktivitetin edhe në botë. Mjeshtëritë e taktikave luftarake i kanë mësuar në palestrën e Jean Claude Van Damme. Vite më parë, ata kanë punuar si truprojë nëpër diskoteka më pak të njohura dhe më pas fillojnë të ruajnë personalitetet e muzikës që shkonin të këndonim në diskotekat më të njohura. Agjencinë “Shqiponja” e themeluan 15 vjet më parë, ndërsa ka rreth një vit që punojnë vetëm për ruajtjen e VIP-ave, si Jonny Holiday, Jean Reno, Jean Paul Belmondo, Monica Belluci, Sophie Marceu, Laura Fabian, etj.
“Me VIP-at krijojmë gjithnjë marrëdhënie shoqërore, hamë bashkë, bëjmë xhoging”, thotë Lutfiu.
Një orë e punës së tyre kushton 100 euro, ndërsa çdo ditë nis me një aktivitet të ngarkuar sportiv. Gjimnastikë, boks, karate dhe tajfing dhe një herë në javë qitje. I kushtojnë rëndësi konsumimit të ushqimit dhe mundohen të bëjnë një jetë sa më të shëndetshme, larg duhanit dhe alkoolit.
Lutfi Musliu së bashku me familjen e tij kanë emigruar në Belgjikë 35 vjet më parë. Ai ka lindur në Shkup në vitin1962, ndërsa origjina e familjes së tij i ka rrënjët në Kosovë.
Van Damme mes shqiptarëve
Jean Claude Van Damme, është më i sigurt kur është mes nesh, ndërsa shqiptarët janë ndër popujt që i ka për zemër, pohon Lutfiu. Shefi i grupit të sigurimit të Van Damme-it është një shqiptar, rrethi më i ngushtë i njerëzve që e rrethojnë është me shqiptarë. “Ka pasur më parë truproje nga Italia, Franca dhe Belgjika, por nuk ka qenë i kënaqur, ka pasur probleme pasi nuk kanë ditur ta ruajnë si duhet”, thekson ai. Lutfiu është njohur me Van Damme-in kur ushtronte karate në palestrën e tij, para se ai të bëhej i njohur dhe të shkonte në Hollywood. “Ai është djalë i thjeshtë dhe shok i mirë”, e përshkruan Lutfiu aktorin e njohur belg.
Pergatiti : Evis Halili
Marre nga : Albeu