Irma Kurti nderohet me çmimin “Universum Donna” Edizioni IX, 2013, nga “Universum Academy”, në bashkëpunim me Universitetin e Paqes në Lugano të Zvicrës. Ky çmim u jepet çdo vit 10 grave që kanë spikatur në fusha të ndryshme si në art, letërsi, shkencë, biznes etj., dhe që kanë lënë gjurmë konkrete me aktivitetin e tyre duke respektuar në mënyrë të veçantë principin e paqes e vëllazërisë.
Ceremonia e dhënies së çmimeve u zhvillua në Lugano (Canton Ticino), në prezencën e autoriteteve të fushave të kulturës, politikës , fesë dhe akademisë.
Në ceremoni, merrnin pjesë dhe sekretari i parë i ambasadës Shqiptare në Bern, zoti Kastriot Noli, si dhe sekretarja e dytë në misionin e OKB-së në Gjenevë, Mira Bregu.
384 kandidaturat iu nënshtruan vlerësimit kompetent e me profesionalizëm të lartë të jurisë ndërkombëtare të çmimit “Universum Donna”, nën drejtimin e princeshës Ranzie Mensah. Fitueset e këtij viti vinin nga Zvicra, Italia, Amerika, Anglia, Ukraina e Siria. Çmimi “Universum Donna”, që deri në vitin 2010 njihej si “Donna dell'anno” (Gruaja e vitit), për herë të parë i jepet një shqiptareje.