Shqiptarja e revistes The Independent

Shqiptarja e revistës 'The Independent'
Tali Lennox, Bonnie Wright dhe Rita Ora janë tre yjet e rinj të muzikës, të cilat revista botërore “The Independent” i ka cilësuar në një reportazh si vajzat që po përjetojnë historinë e Hirushes. Por ajo çfarë na jep më shumë kënaqësinë neve, është shqiptarja ndërmjet tyre, Rita Ora. E cilësuar nga revista si ‘Gwen Stefani’, shqiptarja nga Kosova që jeton në Londër, është shprehur se është mjaft e thjeshtë, pavarësisht se në fotografi nuk duket e tillë.

“Unë bëj kombinime me bizhuteri shumë të lira, duke i përshtatur ato me trendët e veshjes, si p.sh. me ndonjë çantë “Channel”. Unë jetoj në Portobello Road (Londrën perëndimore), kështu që gjithmonë jam në treg”, ka pohuar Ora.

Biondina kaçurrelse dhe me sy të thellë është rritur duke dëgjuar The Beatles, Duran Duran dhe Eric Clapton, por edhe Soul nuk mbetet pas. 20 vjeçarja nga Kosova është shkolluar në “Sylvia Young Theatre School” dhe përpara 18 muajsh ka nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane muzikore “Roc Nation”, e themeluar nga Jay-Z. Nga kjo kontratë parashikohet që një këngë të dalë këtë vit, përpara daljes së albumit të saj të parë në vitin 2012. Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe bashkëpunimi me Jay-Z, Kanye West dhe Beyoncé.

“Beyoncé është një nga idhujt e mi dhe përfshirja e saj në projektin tim më ka bërë që të pickoja veten, për të kuptuar nëse është ëndërr apo realitet. Por, në këto raste duhet të mbash qetësinë pasi edhe ata janë njerëz normalë. Dhe për më tepër kjo është pjesë e procesit, këto miqësi i fiton gjatë rrugës,” ka thënë Ora me modesti për “The Independent”.

Megjithëse me inçizime këngësh është marrë që në moshën 14 vjeçare, në fillim të këtij muaji ajo u ftua për të marrë pjesë në koleksionin e Louis Vuitton pranverë/vjeshtë 2012. E ulur në rendin e parë e veshur nga koka deri tek këmbët me atelier, ajo është magjepsur me modën dhe tani ëndërron që një ditë të themelojë markën e saj.

“Do të më pëlqente të fitoja Grammy, ndoshta për aktrim. Por, aktualisht vetëm dëshiroj që albumi im të jetë i përkryer. Shpresoj që të gjithë ta pëlqejnë aq sa edhe unë.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama