Krijuesi. Gjeniu. I sëmuri. Kur themeluesi i “Apple” prezanton mrekullitë e tij teknologjike, nuk është duke u shpërqendruar nga vdekja, por duke bërë duel me të dhe duke na kujtuar heronjtë e tragjedive greke, madje edhe kuptimin e vetë jetës.
Ku i dihet, ndoshta Steve Jobs, themeluesi i “Apple”, magjistari i kompjuterëve, lexon tragjeditë e lashta greke. Tragjedia “Antigona” e Sofokliut, duket se është shkruar pikërisht për të. Sa krijesë e çuditshme është njeriu, shkruante Sofokliu. Ka ndërtuar qytete, ka kaluar dete, ka shpikur mrekullira, di të përdorë çdo teknikë. Përpiqet për të gjetur zgjidhje për sëmundjet që duken të pashërueshme. Por vetëm një betejë nuk e ka fituar ende: atë përballë vdekjes. Me siguri që klasikët grekë nuk kanë qenë kurrë mes mendimeve të Jobs, teksa me shpikjet e tij transformonte ekzistencën tonë të përditshme. Por të gjithëve na erdhën në mend vargjet antike, kur më 2 mars, me fytyrën e hequr nga sëmundja, pas shumë javë kurash, Jobs u shfaq befasisht në publik, në San Francisko, për të prezantuar produktin e fundit të “Apple”, “Ipad 2”.
Për tumorin që e ka prekur u tha gjithçka që mund të thuhej. Është folur edhe në mënyrë të pamëshirshme dhe cinike për sëmundjen e këtij njeriu, duke u shqetësuar më shumë se gjithçka tjetër për efektin që gjendja shëndetësore e pankreasit të tij mund të kishte te bursa e Wall Street-it. Por më 2 mars, ishte vërtet e hidhur ta shihje ashtu, aq të dobët, të vetëm në skenë, veshur me këmishën e tij pa kollare, xhinse dhe atlete. Jobs nuk të jepte përshtypjen e një njeriu që edhe përpara vdekjes vazhdon të mendojë për biznes, as idenë e një njeriu që dëshironte të hiqte dorë nga pasionet. Ndjesia ishte e ndryshme. Ishte ajo e një njeriu që, edhe pse nuk e di se sa do të mund të jetojë, vazhdon të projektojë të ardhmen tonë.
Është njeriu që shqetësohet për të perfeksionuar kompjuterin, ndërsa përballet me defektet e “makinës” misterioze e të brishtë të trupit të tij. Jobs nuk tha asgjë për sëmundjen e tij. Me një gjysmë buzëqeshje tha vetëm se “nuk doja të mungoja pikërisht sot”. Filozofi Martin Heidegger gjente te vargjet e Sofokliut çelësin e jetës njerëzore. Te njeriu, bashkëjetojnë dy gjëra: kapaciteti teknik për të transformuar dhe dominuar natyrën dhe dyshimi i vdekjes që shndërron ekzistencën tonë të brendshme. Me pak fjalë: “Njerëzit, për të hequr mendjen nga vdekja, kanë vendosur të jetojnë të lumtur, duke mos menduar për të”. Dhe Steve Jobs po vepron në këtë mënyrë.
Gjeniu kreativ me karakter të keq
Për t’i lënë hapësirë së ardhmes duhet shkatërruar e kaluara dhe këtë nuk e di askush më mirë se Steve Jobs, që muajin e kaluar shkatërroi “Jackling House”, shtëpinë me 14 dhoma gjumi ku jetoi për më shumë se dhjetë vjet, duke nisur që nga 1984-a, viti kur prezantoi “Macintosh” dhe kur “Apple” revolucionarizoi industrinë elektronike. Jobs e urrente atë shtëpi, të ndërtuar nga një manjat bakri në kodrat e Woodside, në “Silicon Valley”: e bleu si një trofe para se ta braktiste, duke e lënë në harresë dhe në vend të saj, po ndërton shtëpinë e tij të ëndrrave, i sigurt se mund të mbarojë në kohë dhe ai mund të jetojë në të. Pavarësisht tumorit në pankreas, me të cilin u diagnostikua në vitin 2004, Jobs është i sigurt se ka një të ardhme të ndritur përpara vetes dhe jo vetëm sepse si një budist i thekur, ka shumë mundësi që beson në mundësinë e ringjalljes. Sot “Apple” nuk do të kishte arritur këtu ku është, nëse në krye të saj nuk do të kishte qenë Jobs. Karriera e tij nisi kur Steve dhe mikut të tij Wozniak iu kërkua të punonin mbi një videolojë.
Kur gjashtë vjet më parë, në një fjalim përpara të diplomuarve në “Standford University”, iu kërkua të fliste për kuptimin e jetës së tij, Jobs shpjegoi se edhe dështimet mund të shndërrohen në suksese të mëdha, mjafton të besosh te rregulli i fshehur brenda rastësisë. Më pas nisi të tregonte për prindërit e tij, një sirian dhe një amerikane, që e dhanë për adoptimin, duke qenë se nuk mund ta edukonin dhe rrisnin. Jobs duhej të adoptohej nga një çift, që u tërhoq në momentin e fundit. U gjend shumë shpejt me një tjetër baba që, duke e parë teksa punonte për të montuar dhe çmontuar motorë, u pasionua me elektronikën, për të mos hequr dorë për asnjë moment më pas. Ashtu siç kanë zbuluar edhe rivalët e tij, është thuajse pamundur të mundësh një si Jobs, i cili, edhe pas diagnostikimit me tumor, i përshëndeti studentët në Universitetin e Stanfordit, duke e trajtuar vdekjen sikur të ishte software më perfekt që kishte dalë nga mendja e inxhinierëve të tij: “Vdekja është me siguri shpikja më e mirë e jetës. Është ajo që largon të vjetrën për t’i lënë hapësirë së resë”.
Më 17 janarin e kaluar, në një letër dërguar 50 mijë vartësve, Steve Jobs shkroi: “Unë e dua ‘Apple’, ndaj shpresoj të kthehem sa më parë të jetë e mundur”. Nuk ishte një lamtumirë, ishte thjesht një mirupafshim. Muajt në vazhdim e priste sfida më e vështirë: të fitonte betejën me kancerin në pankreas, të diagnostikuar në vitin 2004, nga i cili u operua dhe iu nënshtrua një transplanti në mëlçi në vitin 2009. Pyetja ishte se kush do të drejtonte “Apple”. Jobs kishte vendosur që në vend të tij të ishte Tim Cook, një nga bashkëpunëtorët më besnikë. Gjithsesi frika se lideri i saj, gjeniu i informatikës mund të mungojë një ditë, ekziston. Por kush janë njerëzit që Jobs mund t’i lërë frenat e kompanisë?
Pasardhësi i tij, Cook, e ka udhëhequr “Apple” edhe në mungesat e mëparshme të Jobs, ndaj në vitin 2010, duke parë rezultatet brilante, mori 59 milionë dollarë shpërblim. E ndihmoi “Apple” të ringrihej kur ishte në krizë, duke ulur shpenzimet dhe duke minimizuar humbjet. Kush e njeh, thotë se për nga aftësitë drejtuese është shumë i ngjashëm me Jobs. Por pas kuintave qëndrojnë pesë zëvendëspresidentë, të “rritur” bashkë me Jobs. Kanë paga milionere, por punojnë si të çmendur e pa pushim, sepse Jobs i ka mësuar kështu.