Drejtoresha e re e QSUT-së dhe krerët e rinj që do të zëvendësohen në postet drejtuese në institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të emërohen në muajin shtator, pas mbylljes së pushimeve verore. Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë përfunduar ndryshimet dhe zëvendësimet e vendeve të lëna bosh dhe emërimet e reja janë mbyllur javët e kaluara. Reforma në burime njerëzore do të jetë në favor të cilësisë, ndërkohë që prioritet i kësaj reforme do të jetë minimizimi i shkallës së korrupsionit mes bluzave të bardha dhe qytetarëve që kërkojnë shërbim shëndetësor. Problemi i parë që është diskutuar nga ministria është zgjidhja emergjente e mungesave të ilaçeve. Bashkë me emërimet, largimet apo shkarkimet, pritet që në shtator të bëhen edhe furnizimet e spitaleve me medikamentet e munguara. Janë rreth 35 medikamente bazë që do të mbërrijnë në spitalet kryesore të vendit. Pas shpalljes së fituesve të tenderave është kërkuar që grosistët të sjellin në farmacitë e spitaleve ilaçet brenda afateve minimale të parashikuara nga ligji.