Shtatshkurtrit shqiptare si zgjaten me inxhinierine gjenetike

Shtatshkurtrit shqiptarë, si zgjaten me inxhinierinë gjenetike
Në vendin tonë ka filluar të aplikohet të paktën 20 vjet pasi është zbuluar dhe sot pak kush e di se ekziston dhe mund të rrisë një fëmijë shtatshkurtër, të paktën edhe 20 centimetra më shumë. Shefi i shërbimit të Diabetologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pohon se hormoni i rritjes bën efekt pikërisht mbi fëmijët që kanë mungesë të këtij hormoni.

Sipas tij, jo të gjithë prindërit i sjellin fëmijët e tyre shtatshkurtër për të nisur mjekimin me produktin e inxhinierisë gjenetike (hormonin e rritjes) ndonëse ajo mund t’u ndryshojë cilësinë e jetës. Ndërkohë, doktori shpjegoi se kush mund ta përdorë këtë produkt, që askush nuk mundet ta blejë dhe sa efekt ka ai.

Bën mrekullira mbi fëmijët shtatshkurtër. Por ky medikament nuk duhet të përdoret kurrsesi tek personat që nuk e kanë të nevojshme, ndonëse dikujt mund t’i shkrepë në kokë për t’u zgjatur, të paktën edhe 20 centimetra më shumë. Bëhet fjalë për hormonin e rritjes, medikament që askush nuk mund ta blejë dhe është përdorur për herë të parë në vendin tonë në vitin 2002, vetëm në spitalin shtetëror të QSUT-së.

“Hormoni i rritjes shërben për funksionin e organizmit, sepse duke u prodhuar në sasi normale në inde të ndryshme, kryesisht në kocka, në muskuj, në mëlçi, kthehet në faktor rritjeje, i cili është aktiv nëpërmjet veprimit të tij mbi kockat, duke i zgjatur ato dhe konkretisht duke bërë zgjatjen e individit”,- kështu e nis shpjegimin e tij doktor Petrit Hoxha, duke theksuar se hormoni i rritjes nuk shërben vetëm për rritjen e kockës, por është një hormon që mirëmban muskulin e zemrës, që mirëmban indin dhjamor, muskulaturën në tërësi dhe ka shumë funksione të tjera në organizëm.

Sipas tij, mungesa e hormonit të rritjes tek fëmijët që kanë këto probleme, në Shqipëri zëvendësohet me hormon të rritjes, prodhuar në rrugë gjenetike, që është produkti më i sofistikuar nëpërmjet inxhinierisë gjenetike. Për herë të parë ky hormon është zbuluar në vitet ’80, por në vendin tonë do të mbërrinte për herë të parë në vitin 2002.

Ndërsa, sa i takon kostos së këtij medikamenti, shkon deri në 1500 euro në muaj, por, fëmijët që vuajnë nga mungesa e hormonit të rritjes e marrin të rimbursuar. “Në asnjë mënyrë nuk ka pse të jepet hormoni i rritjes tek njerëzit që kanë prodhim normal të hormonit të rritjes, sepse kjo do sjellë vetëm dëme dhe asnjë të mirë”, - pohon Hoxha, duke shtuar se kur seleksionojnë individët që mjekohen me hormone rritjeje, bëjnë kujdes të madh që të vlerësojnë nëpërmjet shumë provave të sigurta për të vërtetuar nëse nuk e prodhojnë hormonin e rritjes.

Nëse nuk bëjnë këtë vlerësim, hormoni i rritjes jep zgjerim në gjerësi të kockave dhe jo në gjatësi, duke krijuar sëmundje të reja, ndaj nuk ka pse të përdoret.

Grupi më i madh i personave që lindin me mungesë të hormonit të rritjes janë arsye gjenetike, pra një anomali e gjeneve përgjegjëse që rregullojnë funksionin e hormonit të rritjes. Sipas doktor Petrit Hoxhës, kjo është arsyeja bazë, por pasohet edhe nga arsye të tjera, të cilat janë të lidhura me dëmtime bashkëshoqëruese të indit, vend ku prodhohet hormoni i rritjes në hipofizë, prodhohet edhe hormoni që nxit prodhimin e kortizonit edhe prodhimin e tiroides, hormonet seksuale, etj.

“Shtatshkurtër kemi plot, por jo të gjithë shtatshkurtrit janë me deficit të hormonit të rritjes, sepse këtu janë edhe sëmundjet e kockave, sëmundjet e tiroides dhe sëmundje të tjera organike, si p.sh., ai që vuan nga sëmundja e zorrës, mushkërisë, gjakut, aparatit tretës etj., që ndikojnë në pengesën e zgjatjes së një personi”, -pohon Hoxha. Momentalisht ka rreth 300 fëmijë me mungesë të hormonit të rritjes që marrin hormonin e rritjes në rrugë gjenetike.

1980-a është viti kur është zbuluar për herë të parë hormoni i rritjes

2002-shi është viti kur u aplikua për herë të parë hormoni i rritjes në Shqipëri

1500 euro është mesatarisht kostoja mujore e një pacienti me hormonin e rritjes


Hormoni i rritjes, shpëtimtar për yllin e futbollit

Hormoni i rritjes është përdorur edhe nga njerëz të njohur të botës së sportit. Një ndër ta është sulmuesi më i mirë i botës, Lionel Messi. Fantazisti argjentinas, që luan për Barcelonën, ka nisur të luajë futboll në moshën pesë vjeçare. Por, pas gjashtë vitesh, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai u diagnostikua me sëmundjen e deficencës së hormoneve.

Një nga ekipet më të njohura të Argjentinës, River Plate, u interesua për progresin e fëmijës talent, por fakti që sëmundja e tij kërkonte një kurë që kushtonte rreth 1500 dollarë në muaj, bëri që të tërhiqej. Fëmija talent tërhoqi vëmendjen e Barcelonës dhe kjo e fundit i kërkoi familjes Messi që djali i tyre 11-vjeçar të transferohej në Spanjë, ku do të kurohej për sëmundjen që kishte dhe do të luante për Barcelonën. Vetë lojtari është kuruar me hormonin e rritjes, për të paktën gjashtë vjet. Kjo gjë i siguroi atij forcim të muskujve, por jo një gjatësi të madhe për një futbollist. Vetë lojtari ka treguar për sëmundjen e tij në konferenca bamirësie, duke frymëzuar të rinjtë se, nëse punojnë, mund të arrijnë gjithçka që duan.

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama