Shtepia shqiptare e Xhulian Asanzh

Shtepia shqiptare e Xhulian Asanzh
Në një nga gazetat kryesore të Londrës, në fundvitin e shkuar, botohej një titull i tillë: “Padroni sekret i Xhulian Asanzh”. Kuriozitetit të lexuesve i jepej një përgjigje e shpejtë dhe e saktë. Personi qe fshihej pas nismës së beftë për nxjerrjen e Asanzh nga qelitë e Wansdworth Prison në Londër, quhet Vaughan Smith, një ish-ushtarak, gazetar, kameraman lufte dhe figurë e njohur për angazhimin e tij në favor të lirisë së shprehjes, themelues i shoqatës së njohur së mediave Frontline Club. I lindur në vitin 1963, ky “pionier i mediave”, siç e cilësojnë enciklopeditë, ka shëtitur gjithë botën, në ndjekje të konflikteve. Ka qenë në Kandaharin e viteve ’90, në Bosnjën e masakruar nga lufta ndëretnike, Irakun e përfshirë nga konflikti me SHBA dhe në Kosovë, kur tanket serbe rrethonin shtëpinë e Adem Jasharit. Madje aty i ka ndodhur një episod që i ka mbetur i pashlyer në kujtesë.

Një plumb snaiperi serb ka çpuar paketën e cigareve dhe portofolin, si dhe ka shkatërruar telefonin celular që mbante në xhep. Këto sende banale i kanë shpëtuar jetën atë çast dhe ndodhen të ekspozuara në një nga stendat e Frontline Club në Londër.

Zoti Smith njihet si iniciatori i mbledhjes së 360 mijë dollarëve, të cilët mundësuan që Asanzh të linte qelitë në prag të Krishtlindjeve, në këmbim të dorëzimit të pasaportës dhe të mbajtjes me vete të një aparature që sinjalizon vendndodhjen e tij. Prej atij momenti njeriu më i kërkuar në botë nga Shtetet e Bashkuara, u instalua në vilën e madhe të familjes Smith, një pronë e shekullit të 18 e vendosur në mes të një ferme prej 240 hektarësh, 130 milje në verilindje të Londrës.

Por kjo histori e bujshme e njeriut që tronditi të gjitha diplomacitë e botës dy muaj më parë, ka brenda edhe një pjesë të saj “shqiptare”. E zonja e shtëpisë, ku Asanzh jeton edhe sot, në pritje të një vendimi final për fatin e hetimit mbi të, quhet Pranvera dhe është nga Kosova. Pranvera Smith, dikur mbante mbiemrin Luzha dhe është një aktiviste e njohur e kauzës shqiptare, por edhe e lirisë së shtypit. Ajo u njoh me bashkëshortin e ardhshëm, Vaughan, gjatë luftës së Kosovës, kur drama e refugjatëve i ktheu sytë e mediave botërore mbi një konflikt dramatik dhe të përgjakshëm.

Zonja dhe zoti Smith pranuan që revista MAPO t’u drejtonte disa pyetje, në lidhje me “mikun” e pazakontë që mbanin në shtëpinë e tyre, por edhe për angazhimet në fushën e lirisë së shprehjes. “I urrej prepotentët, thotë Vaughan Smith. Nuk dua t’ia di sa të fuqishëm janë. Të paktën 12 figura publike në Amerikë kanë bërë thirrje që Assange të vritet. Kjo është e turpshme. Në vendin tim është e paligjshme të yshtësh vrasjen dhe duhet të jetë kështu edhe në Amerikë”, shprehet ai në intervistën që po botojmë më poshtë.

Vaughan Smith: Pse i dhashë strehë këtij njeriu

Zoti Smith, si i njihni Shqipërinë dhe shqiptarët? Sa ka influencuar në këtë proces njohjeje, fakti që keni një bashkëshorte shqiptare?

E njoh Shqipërinë mjaftueshëm mirë, por akoma më mirë njoh Kosovën dhe Maqedoninë. Kam kryer xhirime në Shqipëri gjatë krizës në 1997 dhe sërish gjatë luftës në Kosovë, kur u mundova të kaloja kufirin për në Kosovë, por përfundoi që thjesht m’u vodhën pajisjet. E gjeta gruan time shqiptare në fund të luftës së Kosovës, ndaj shqiptarët i njihja mirë para se të martohesha me një shqiptare.

Është i njohur publikisht fakti që ju jeni një përkrahës i flaktë i gazetarisë së pavarur. A mund të na thoni shkurtimisht çfarë ju shtyu kur themeluat Frontline News TV dhe Frontline Club?

Nuk besoj se ka institucione të mira, por vetëm njerëz të mirë. Kjo vlen për kompanitë e medias, po aq sa për bizneset e tjera. Si një gazetar-kameraman, një i pavarur, unë/ne kemi nënshkruar vlerat e industrisë perëndimore të lajmeve dhe jemi përpjekur sa kemi mundur që të jemi kurajozë, të drejtë dhe të saktë në raportimet tona. Por, kuptuam se industria ekzistuese e lajmeve nuk ishte edhe aq e dhënë ndaj këtyre gjërave as ne mendonim.
Me humbjen e 8 kolegëve, ku gjysma e të cilëve që i ishin bashkuar agjencisë sime Frontline Neës Television u vranë gjatë punës së tyre, isha i vendosur të ndërtoja diçka relevante për të ardhmen e mbledhjes së lajmeve, çka do t’i kujtonte ata dhe do të përkrahte vlerat, sipas të cilave ne u përpoqëm të punojmë.

Zoti Smith, cilin nga konfliktet e armatosura në Irak, Afganistan Bosnje, Çeçeni, Kosovë, ku keni asistuar personalisht, konsideroni si më të vështirin në nivel personal dhe profesional?

Afganistani ishte më i rëndi për t’u përballuar fizikisht. Duhej të jesh i përgatitur fizikisht, sepse është një vend shumë sfilitës. Çeçenia, më brutalja dhe e dhunshmja. Shumë e rrezikshme.

Kosova, më kërkuesja nga pikëpamja profesionale. UÇK-ja kishte njohuri shumë të kufizuara mbi shtypin perëndimor, ndaj ata ishin shumë dyshues. Ishte zhgënjyese që të shihje sesi në fund të luftës, shqiptarët iu kthyen civilëve serbë me të njëjtën mënyrë që e kishin vuajtur vetë, ndërsa kishin thënë se kurrë nuk do e bënin të njëjtën gjë.

Miqësia juaj me Xhulian Assange është e njohur botërisht. Si e keni përjetuar periudhën e fundit, kur zoti Asanzh gjeti mbështetje dhe strehim tek ju? Mendoni se keni në shtëpi një të kërkuar për krime nga shteti më i fuqishëm në botë, apo një mesazher të fjalës së lirë?

Xhulian Assange nuk është i paditur për krime, dhe as është i arratisur në asnjë kuptim ligjor. Megjithatë, ai është viktima e ndoshta fushatës më të madhe të shpifjes dhe dezinformimit kundër një individi, që bota ka parë ndonjëherë. Jam edukuar që t’u vij në ndihmë të keqtrajtuarve. I urrej prepotentët. Nuk dua t’ia di sa të fuqishëm janë. Të paktën 12 figura publike në Amerikë kanë bërë thirrje që Assange të vritet. Kjo është e turpshme. Në vendin tim është e paligjshme të yshtësh vrasjen dhe duhet të jetë kështu edhe në Amerikë.

Tani revolucionet po përshkojnë Afrikën e Veriut, ku njerëzit po kërkojnë demokraci. Xhualian Assange dhe Wikileaks ndihmuan në krijimin e kësaj klime dhe meritojnë që diçka e tillë t’u njihet. Amerika dhe Europa thonë se mbështesin demokracinë liberale dhe të drejtat e njeriut, por prej dekadash kanë mbështetur diktatorët afrikano-veriorë, të cilët kanë torturuar popujt e tyre.

Zoti Smith, çfarë mendoni për fenomenin Wikileaks? Sa e ka ndryshuar kjo nismë e guximshme perceptimin që njerëzimi ka për botën që e rrethon?

Wikileaks dhe Xhulian Assange janë një produkt i pashmangshëm i internetit. I komunikimeve moderne. Ne duhet të përshtatemi ndaj këtyre gjërave, jo t’i luftojmë ato. Duke u munduar të demonizohet Xhualian Assange, kjo shërben vetëm për t’i vonuar dhe për t’i bërë më të vështira rregullimet që duhen bërë ndaj mënyrës sesi qeverisim veten.
Të rinjtë e kuptojnë këtë gjithnjë e më shumë dhe duan të shohin ndryshime që t’i sjellin institucionet në botën moderne, të ndërlidhur dhe komunikuese. Në thelb, shoqëritë nuk vuajnë kur kanë më shumë informacion, interesat e fshehta dhe korruptive janë ato që vuajnë. Njerëzit kanë nevojë për informacion, që të marrin pjesë në demokraci. Kjo nuk është një mënyrë për të thënë se po mbështes çfarëdolloj transparence radikale, dhe as Xhulian Assange.

E mbështes fshehtësinë kur vërtet është në interes të shoqërisë, për shembull, kur ka një nevojë të vërtetë për të mbrojtur sigurinë. Por duhet të jetë detyrë e qeverive dhe e institucioneve që të justifikojnë fshehtësinë, në vend që ta marrin për të mirëqenë, dhe transparenca duhet të jetë rregulli, jo përjashtimi. Duhet ta duam të vërtetën, sepse nuk ka liri pa u përpjekur në arritjen e saj.

Pranvera Smith: Jeta jonë e re me Xhulianin

Zonja Smith, çfarë do të thotë për ju ky angazhim familjar në favor të lirisë së shprehjes dhe të gazetarisë së pavarur?

Bashkëshorti im Vaughan Smith është gazetar i pavarur prej 25 vjetësh. Ai shpeshherë ka rrezikuar edhe jetën e tij, vetëm për të sjellë lajmin, të vërtetën, nga vende ku kanë ndodhur konflikte, luftëra, etj... si në Irak, Kosovë, Afganistan, etj... . Kur po filmonte tanket serbe në Kosovë më 1998-n, të cilat po rrënonin shtëpinë e Adem Jasharit, ai është goditur nga snajperi serb. Për fat të mirë, plumbi kishte përshkuar telefonin celular, një pako cigare dhe të hollat që kishte në xhep dhe ai është sot gjallë. Por, sa herë që ka marrë guximin për të pasqyruar atë çfarë po ndodh në këto zona të rrezikshme, ai e ka pasur parasysh rrezikun. Por, ai ka pasur parasysh edhe arsyen pse është bërë gazetar. Besoj është i qartë përkushtimi i tij për të vërtetën. Pra, është ky parim themelor i një gazetari profesionist, që e ka shtyrë bashkëshortin tim ta mbështesë gazetarinë e pavarur.

Sot ne të dy kemi themeluar Frontline Club, një shoqatë, e cila pikërisht stimulon dhe përkrah gazetarët e pavarur që të shpalosin dilemat e tyre, sukseset, problemet. Gazetarë të rinj përgatiten për këtë profesion të vështirë. Pra, përkushtimi i të dyve për gazetari të pavarur e profesioniste është profesioni ynë i përditshëm.

A mund të na tregoni ndonjë detaj për qëndrimin tek ju të zotit Asanzh? Si është të jetosh me të kërkuarin numër një të SHBA-së në një shtëpi?

Kur e kemi marrë vendimin t’i ofrojmë qëndrimin Julianit në shtëpinë tonë, e kemi ditur se do të jetë pak e pazakonshme që, të jetojmë në shtëpinë tonë e të shohim gazetarë përreth, që presin të marrin ndonjë detaj nga Assange; të dëgjojmë helikopterët që sillen mbi shtëpinë tonë dhe gjëra të tilla. Por ne në shtëpi kemi vazhduar jetën normale. Unë dhe Vaughan kemi dy vajza të vogla që shkojnë në shkollë, kemi Frontline Club për ta menaxhuar, projektet e ndryshme për t’i vazhduar, gazetën, restorantin për ta furnizuar nga ferma jonë.

Pra, vazhdojmë me jetën tonë normale. Përpos që kemi një mysafir, i cili vazhdon me punët e tij, pavarësisht nga ne. Ndonjëherë rrimë bashkë, bisedojmë, debatojmë, etj. Ardhja e tij ka ndikuar që posta jonë të jetë më e pasur. Na vijnë aq shumë letra nga njerëzit e thjeshtë nga e gjithë bota, që na përgëzojnë për veprimin, për guximin që kemi treguar për ta mbrojtur të drejtën e dikujt për të qenë i lirë, derisa t’i provohet fajësia për veprimin që akuzohet. Po ashtu, fqinjët janë shumë përkrahës, të gjithë janë vënë në dispozicion për të na ndihmuar në rast nevoje.

Ka qenë shumë interesante për ne, kur kemi parë se gazetat po shkruanin për Assange dhe lidhjet e tij të mundshme me shqiptarët, duke u bazuar në pamjet mbrapa tij, kur ka dhënë intervista të ndryshme. E kam fjalën për çiftelinë dhe flamurin shqiptar, që janë parë në prapavijë të këtyre intervistave, e për të cilat kam parë komente të llojllojshme në disa portale dhe gazeta të Kosovës. E gjithë ajo ka qenë aq e rastësishme, pikërisht nga fakti së ai i ka dhënë ato intervista në ambientet e Klubit, ku ka qenë flamuri shqiptar krahas flamujve të tjerë që gazetarët e ndryshëm, anëtarë të Klubit i kanë mbledhur si kujtim nga vendet ku kanë punuar si gazetar dhe i kanë sjellë në klub.

Ai flamur shqiptar është nga Recaku, vendi ku kishte ndodhur masakra e rëndë, e të cilin e kishte filmuar Vaughani dhe kolegët e tij. Njerëzit e Recakut ua dhanë atë flamur si kujtim. Kurse çiftelia është dhuratë për Vaughan nga familja ime dhe është në ambientin e shtëpisë sonë.

Ajo që më ka befasuar është ngutja e “gazetarëve” tanë që të sjellin përfundime për lidhjet e mundshme të Assange me shqiptarët dhe “antiamerikanizmin” tonë, pa e hulumtuar mirë situatën, informacionin dhe të vërtetën. Komentet që kemi parë aty, për shembull, thoshin sesi është e mundur që një shqiptar të strehojë dikë që është kundër Amerikës” etj, etj ... . Raportimi sipërfaqësor dhe mungesa apo injorimi i informacioneve për kontributin që bashkëshorti im ka si gazetar, për të pasqyruar të vërtetën nga Kosova në mediat botërore në atë kohë, na ka prekur thellë. Edhe unë, edhe bashkëshorti im, kemi shumë miq dhe kolegë gazetarë amerikanë, që mendojnë si ne dhe e përkrahin vendimin tonë. Kjo s’ka të bëjë fare me pro apo kundër Amerikës. Ka të bëjë me parimet dhe etikën e gazetarisë profesioniste e të pavarur.

Sa e ndjeni presionin e mediave dhe të autoriteteve, pas shpërthimit të fenomenit Wikileaks?

Ne personalisht nuk kemi ndjerë asnjë presion. Askush nuk na ka kërcënuar në një mënyrë apo një tjetër se do të kemi pasoja për shkak të këtij veprimi. Ka presion prej gazetarëve që duan ta kontaktojnë Julianin përmes neve. Por, kemi kërkesa të shtuara për të debatuar për këtë fenomen dhe ndikimet e tij në politikën globale. Dhe ne si Frontline Club po e ofrojmë këtë mundësi, duke organizuar debate e diskutime me ekspertë të ndryshëm për këtë çështje dhe duke respektuar edhe mendimet e kundërta nga ato të tonat.

Sa e ndryshme është sot bota, pas kësaj ngjarjeje që përmbysi shumë nga barrierat që ekzistojnë mes opinionit publik dhe pushtetit?

Edhe pse është perceptuar në përgjithësi se gazetat, televizionet në Angli e Amerikë, etj janë njohur si të pavarura, Wikileaks zbuloi se shumica e tyre janë shumë më të afërta me pushtetin. 10 vjetët e fundit, gazetaria amerikane ka pasur (dhe vazhdon të ketë) një ton të ngritur patriotik. Ky fenomen (Wikileaks) ka ndikuar që momentalisht në USA njerëzit e thjeshtë, gazetarët, politikanët, për herë të parë të diskutojnë se cilat janë vlerat e vërteta amerikane. Në fakt, a është liria e fjalës, e shprehjes dhe e vërteta para atdhedashurisë.

Demokracia amerikane dhe vlerat themelore të saj që vlerësohen kudo, nuk janë aplikuar në rastin e Assange dhe Wikileaks. Unë jam befasuar me ndikimin e administratës amerikane në kompanitë e ndryshme që ta bllokojnë punën e kësaj organizate edhe pse Wikileaks nuk ka bërë asgjë të kundërligjshme. Por në anën tjetër, kemi parë një vullnet të jashtëzakonshëm të njerëzve të thjeshtë nga e gjithë bota që ta ndihmojnë materialisht këtë veprimtari, madje edhe duke i dërguar bankënota (cash) me letrën përcjellëse” Nuk do të na mundin”.

Pra, njerëzit janë mobilizuar për t’i mbrojtur parimet themelore të demokracisë. Shpresoj se kjo është një rilindje e shoqërisë në nivel botëror për t’iu kthyer vlerave themelore, lirisë së mendimit e shprehjes dhe besimit në fuqinë e popullit. Zhvillimet në Egjipt, Tunizi, etj, po e dëshmojnë këtë.

A ktheheni shpesh në Kosovë dhe në Shqipëri? Çfarë mendoni për situatën në të dyja anët e kufirit?

Në Kosovë shkoj te familja ime, së paku një herë në vit. Por për fat të keq në Shqipëri nuk kam qenë asnjëherë. E kam në plan që, gjithsesi, ta vizitoj.

Për fat të keq, për shkak të angazhimeve të shumta, nuk kam mundësi të përcjell në detaj se çfarë po ndodh, por zhvillimet më kryesore i kam të njohura.

Në Kosovë kam vërejtur se në kohën kur kishim problemet me Serbinë, pra, kishim një armik përballë nesh, ishim më të bashkuar më afër njëri-tjetrit, më solidare, etj. Në momentin që e fituam lirinë, e humbëm njëri-tjetrin si njerëz. Interesat individuale dhe lakmia për pushtet, dolën në sipërfaqe. Të dy shoqëritë shqiptare, si ajo në Shqipëri edhe në Kosovë, duhet sa më parë të fokusohen rreth vlerave të vërteta, lirisë së mendimit, veprimit, shprehjes, orientimit rreth zhvillimit ekonomik, përparimit të shoqërisë dhe më e rëndësishmja - arsimimi i të rinjve, që e shoh si faktor kryesor në emancipimin e të dy shoqërive.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama