Shërbimi Social Shtetëror ka hartuar një projekt pilot, që do të aplikohet fillimisht në Tiranë dhe në Shkodër, për t’u shtrirë më pas dhe në qytete të tjera të vendit. Kjo praktikë e njohur në mbarë botën ofron një pagesë të caktuar parash për familjet që strehojnë në shtëpitë e tyre fëmijë jetimë nën moshën 18 vjeç. Kjo nuk nënkupton birësimin e ligjshëm të tyre, por strehimin e tyre pa e kryer këtë procedurë ligjore, me qëllim që fëmija të rritet në një mjedis të ngrohtë familjar, duke u bërë pjesë e saj.
Në projekt, përveç shumës së parave që ofron ky institucion për kategori të caktuara jetimësh, përcaktohen qartazi edhe kriteret që duhet të plotësojnë familjet kandidate për të fituar të drejtën e “prindërimit”, apo dhe të kujdestarisë.
Masa e përfitimit të shërbimit të kujdestarisë për çdo fëmijë të vendosur në një familje kujdestare është 90 mijë lekë në muaj, plus 250 mijë lekë për shpenzimet vjetore, ku përfshihen: veshmbathjet, shpenzimet shkollore, duke mos përjashtuar edhe masën e financimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, e cila është 100 mijë lekë në muaj.