Shteti i sherbetoreve

Shteti i sherbetoreve
Çfarë gjëje të përbashkët mund të ketë një diplomë e një shkolle të lartë dhe  një patentë e zakonshme makine? Një përgjigje e shpejtë që mund të vi drejtë për së drejti në mendjen çdo njeriu është se të dyja janë dëshmi kualifikimi. Në fakt kjo ngjashmëri nuk mund të anashkalohet lehtë pasi shoqëria njerëzore qysh nga fillimi i revolucionit industrial është karakterizuar pikërisht nga evoluimi i punonjësve të kualifikuar.

Në këtë kontekst ngjashmëria e tyre kthehet dhe në një aset më tepër në shoqërinë tonë të dijeve të thelluara ku secila dëshmi luan rolin e vet. Njëra të bën të aftë të ushtrosh një profesion të përzgjedhur, kurse tjetra përveçse se të bën të ushtrosh një profesion që kualifikohet në rangun e profesioneve të vështira siç është ai i shoferit, të dhuron dhe kënaqësi pasi të dhuron fundjavë të këndshme dhe të lehtëson jetën e përditshme.

Por nëse hymë pak më thellë rrjedhave të logjikës shikojmë se ngjashmëria e tyre në fakt është sipërfaqësore. Një person i diplomuar nga një universitet, dhe më pas ushtrues i  një profesioni të lirë mund të jetë dhe një shofer i mirë por e kundërta e këtij pohimi nuk është se mund të jetë gjithmonë e vërtetë. Marrja dhe përfitimi i një patente shoferi nuk të shndërron dot domosdoshmërisht edhe në një profesionist të kualifikuar, dhe kjo është e vërtetë për shumë e shumë raste gjithandej nëpër botë.

Por ajo që mund të jetë e vërtetë për gjithë botën, ashtu si ka ndodhur shpesh në këto vite tranzicioni dhe integrimi nuk është se mund të jetë e vlefshme dhe në Shqipëri. Histori të ndryshme të treguara në kafenetë e lagjeve, mbyturazi nëpër cepat e pallateve dhe tashmë së fundi dhe në studiot televizive kanë ligjëruar një realitet që deri më tash përflitej, por që tashmë ka marrë përmasat e tij të vërteta. Në to ashtu si dhe në përrallat e thëna së lashti buzë vatrës ne gjejmë djem dhe vajza të vobektë që luftojnë fort për të siguruar bukën e gojës nëpërmjet profesione të tyre si shoferë, sekretare dhe bodigardë që papritur u buzëqesh fati dhe kthehen në biznesmenë dhe në ushtrues të profesioneve të lira prestigjioze si avokatë, ekspertë dhe investitorë.

Por shndërrimi i tyre që në fakt u përngjet fatit të Hirushes nuk ndalet këtu. Ata i gjen gjithandej nëpër jetën publike të Shqipërisë duke e kthyer republikën tonë në një republikë të njerëzve të lirë dhe të shanseve të barabarta si presupozohet se duhet të jetë në një nga preambulat e saj në një republikë të njerëzve të shërbimeve dhe të suksesit të monopolizuar.

Ndërsa  shpesh herë dhe ne si në përrallë kërkojmë që të zbulojmë se “ç’sekret” i thanë ndonjë kuçedre që ajo i shpërbleu më vonë me pasuri apo se “ç’dhëmb” dragoi gjetën diku dhe ai u shndërrua më vonë në katandi të madhe, në fakt “sekreti” është më i thjeshtë dhe ne pothuajse të gjithë e dimë. Personat në fjalë nuk kanë qenë shoferë të thjeshtë apo sekretare të rëndomta në institucione të lodhura të shtetit por kanë ushtruar profesionin e tyre pranë njerëzve më influencë në këtë vend si deputetë dhe ministra.

Cilësia e vetme e tyre profesionale që u ka hapur rrugën e suksesit nuk është besimi i fort i tyre në ndonjë ide dhe materializimi i tyre nëpërmjet investimeve në histori suksesi ashtu siç lexojmë në librat e përkthyer për biznesin nga biznesmenë shqiptarë por në fakt është “cilësia” sesa afër i kanë qëndruar shefit të vet dhe në varësi të kësaj afërsie janë shpërblyer në progresion gjeometrik në menaxhime biznesesh dhe influencë.

Përçimi i këtij morali të kalbur që i përngjan moralit të Shqipërisë otomane ku beu apo pashai i madh i shpërblente qehallarët dhe rojet e veta besnike me pasuri dhe toka nga çifligjet e veta por vetëm me një dallim se nëse të parët jepnin nga pasuria e tyre, këta të fundit u garantojnë sejmenëve të tyre pasuri nga ajo që u përket të gjithëve. Fjala ministër e ka origjinën nga gjuha latine dhe do të thotë shërbëtor. Në Shqipëri as që mund të bëhet fjalë që ministrat të jenë shërbëtorë të popullit por të paktën të na bëjnë një nder që shërbëtorët e vërtetë të tyre të mos i promovojnë për të na kthyer neve në shërbëtorë të shërbëtorëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama