Shthurja e sistemit te timarit dhe lindja e cifligjeve

Që nga gjysma e dytë e shek. XVI sistemi i timarit hyri në fazën e shthurjes, e cila u forcua edhe më tepër gjatë dy shekujve (XVII-XVIII) dhe vazhdoi deri në reformat centralizuese tanzimatiste të viteve 30 të shek. XIX. Shthurja ndodhi për një varg faktorësh.
Shteti në radhë të parë filloi të shkelë rregullat e shpërndarjes së tokës shtetërore, për të kënaqur funksionarët e lartë, mbështetjen kryesore, duke u dhënë atyre zotërime në formë dhurimi. Për më tepër ato u jepeshin njerëzve që nuk ishin të shpatës. Krahas haseve perandorake, të vezirëve e të qeveritarëve, në tokat shqiptare u vu re forma e veçantë e hasit e quajtur pashmakllëk i lirë (serbest). Këto hase u jepeshin nënave, grave, vajzave dhe shërbyesve të veçantë (hasekije) të sulltanëve. Në vitin 1681 në duart e hasekie Aishe sulltanes ndodhej hasi pashmakllëk i lirë i Krahasit, i përbërë prej 22 fshatrash në sanxhakun e Vlorës. Kjo ishte një shkelje e rëndë e parimeve të sistemit të timarit, mbasi përbënte një hap tjetër të madh drejt cenimit të pronësisë shtetërore.
Shteti e shtriu edhe më tej shkeljen e rregullave gjatë shpërndarjes së timareve. Sipas kanunameve osmane timaret ishin dy lloje: timare me teskere dhe timare pa teskere. Të parat jepeshin nga bejlerbeu dhe me dekret të sulltanit, kurse të dytat jepeshin pa dekret sulltanor. Në vitin 1716 sulltani me një ferman të veçantë, i njohu Ali Pashës, qeveritar i sanxhakut të Janinës, disa të drejta që deri tani i kishte vetë ai në lidhje me shpërndarjen e timareve dhe të ziameteve, të mbetura bosh nga ata që kishin vdekur pa lënë trashëgimtarë ose që kishin braktisur shërbimin. Këto duhej t’u jepeshin atyre që ishin gati të merrnin pjesë në fushatat ushtarake nën komandën e allajbeut të sanxhakut dhe që banonin në sanxhakun ku ndodhej zotërimi. Ky shembull tregon se vetë pushteti qendror u jepte mundësi nëpunësve që t’i shkelnin ato me të dyja këmbët. Kështu ky qeveritar për shkak të abuzimeve të kryera gjatë kësaj periudhe, u shkarkua nga detyra pak më vonë.
Shkelje bëheshin edhe nga poshtë, nga paria e krahinave për të siguruar të ardhura të mëdha. Sipas rregullit të moçëm zotërimet e lidhura me postet si komandant kështjelle, me vdekjen e zotëruesit, i kalonin një personi që propozohej prej parisë së vendit. Jo rrallë paria propozonte persona të paqenë dhe të ardhurat i merrte për vete. Kështu në vitin 1780 vdiq Sulejman Agai, komandant i kështjellës së Ulqinit. Detyra e komandantit iu dha një personi që nuk ekzistonte në realitet. Të ardhurat shkonin në favor të atyre që e kishin propozuar. Në vitin 1708-1709 propozohet që timaret e ruajtësve të kështjellës së Shkodrës t’u jepeshin anëtarëve të esnafëve. Këta shembuj tregojnë se këto zotërime ishin në duart e parisë së këtyre krahinave, e cila nuk respektonte rregullat e shtetit për dhënien e tyre. Me pretekste të ndryshme, si vdekje pa lënë trashëgimtar, mosparaqitje në detyrë, braktisje të saj, me propozimin e komandantit të forcave ushtarake, mjaft personave iu hiqej e drejta mbi zotërimet. Në vitin 1641, si rezultat i shpifjeve të ish-sanxhakbeut, Jusuf Bej i hiqet allajbeut ziameti prej 21 200 akçesh në fshatin Kratovë së bashku me disa fshatra të tjerë të nahijes së Beratit.
Nga shkelja e rregullave të shpërndarjes së timareve vihej re përqendrimi në një dorë të vetme i dy a më shumë timareve. Duke përfituar nga prirja e përgjithshme e braktisjes së shërbimit ushtarak, mjaft spahinj, me pretekste të ndryshme, si “vdekje pa lënë trashëgimtar”, ose “pse kishin kaluar 10-15 vjet që kishin qenë bosh”, me miratimin e organeve më të larta, përqendruan në duart e tyre dy deri pesë timare. Shtënia në dorë e mbi dy timareve ishte një shkelje e rregullave juridike mbi pronësinë. Ajo ishte në dëm të shtetit, mbasi numri i spahinjve zvogëlohej shumë. Në vitin 1702 Hysejni merr një timar prej 5 300 akçesh që më parë kishte qenë i ndarë në tri timare të vogla në nahijen e Përmetit dhe atë të Beratit, por që kishin mbetur bosh. Nga regjistrimi i përgjithshëm i vitit 1701-1702 del se në sanxhakun e Vlorës rreth 35 spahinj kishin në duart e tyre nga dy timare.
Timaret e ziametet i trashëgonin edhe fëmijët e mitur. Sipas kanunamesë së Sulejmanit, derisa djali të arrinte moshën madhore, shërbimin ushtarak do ta kryente kujdestari ose shërbëtori i tij. Në shek. XVII në vend të këtij shërbimi nga të tjerët për fëmijët e mitur dhe për spahinjtë e moshuar, merrej një taksë në të holla e quajtur bedel i kalorësve në madhësinë 5 000-6 000 akçe (1686-1760). Kërkesa e tij si nga fëmijët e mitur dhe nga spahinjtë e moshuar, është një dëshmi tjetër, ndofta nga më të rëndësishmet, që tregon se timari i kësaj periudhe ishte shumë larg timarit të shek. XV dhe i ishte afruar shumë pronës private të pakushtëzuar.
Një ndryshim vihet re edhe në mënyrat e administrimit të zotërimeve. Te haset, si metodë mbizotëruese, ishte marrja me qira për një vit e së drejtës së vjeljes së të ardhurave. Vjelja me anë të një përfaqësuesi kishte kaluar në plan të dytë. Administrimi me këto dy mënyra u shtri deri në timaret e ziametet, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Në fillim të shek. XIX sipërmarrja u shtri deri në ngastrën e fshatarit. Kjo ishte një shprehje tjetër e ndryshimeve që kishin ndodhur në sistemin e timarit.
Të gjitha këto ndryshime dëshmojnë se sistemi i timarit kishte hyrë në fazën e shthurjes. Thelbi i shthurjes ka të bëjë me humbjen e karakterit ushtarak të pronës shtetërore dhe me prirjen për ta kthyer zotërimin e kushtëzuar në një pronë private.
Prekja e pronës shtetërore prej shtetit u bë kryesisht nën shtytjen e klasës feudale. Ajo synonte ta kthente zotërimin e kushtëzuar me shërbim në pronë private. Feudalët i kthyen sytë nga toka për të formuar çifligun, si një ekonomi e madhe bujqësore e paracaktuar kryesisht për treg. Ata hodhën sytë mbi ekonominë vetjake (hasa-çiflig). Meqenëse ajo ishte lidhur me zotërimin dhe zotëruesit nuk kishin kohë të merreshin me punimin e saj, ata ishin të interesuar që të kthehej në tokë rajatike dhe të merrnin çka u takonte nga legjislacioni osman. Në këto kushte shteti lejoi dhënien e ekonomive vetjake me tapi. Personat që i merrnin në përdorim ishin të detyruar t’i jepnin spahiut të dhjetën e salarien, siç veprohej në tokat mirie. Ata ishin çliruar nga detyrimet e rajallëkut, nga xhizja e avarizi. Duke ndjekur këtë rrugë, feudalët krijuan në vend të hasa-çifligut të mëparshëm, ekonomi të jetërsueshme, të trashëgueshme e të pakontrollueshme nga shteti dhe të pakushtëzuara nga shërbimi ushtarak. Marrja me tapi e tokave të ekonomisë vetjake (hasa-çifligjeve) ishte një nga rrugët që ndoqën feudalët për të siguruar toka në zotërim privat.
Pas ekonomisë vetjake feudalët vunë dorë mbi tokat rajatike. Për këtë u përdorën rrugë të ndryshme.
1. Shitblerja. Feudalët shfrytëzuan mundësitë e legjislacionit osman. Sipas këtij spahiu kishte të drejtë t’ia hiqte tokën fshatarit raja dhe t’ia jepte një tjetri, në rast se ai nuk plotësonte detyrimet që kërkonte ligji. Gjithashtu spahiu ia jepte tokën një tjetri, kur i zoti i saj vdiste pa lënë trashëgimtar. Ai kishte të drejtë t’ia jepte një tjetri edhe në rast se fshatari raja që e punonte tokën hiqte dorë nga e drejta e shfrytëzimit të saj kundrejt një shpërblimi ose vullnetarisht. Toka i kalonte në këtë mënyrë një pronari të ri të çifligarit. Kështu, midis spahiut e rajasë hyri një person i tretë, i ndërmjetëm, çifligari. Ai filloi të blejë tapitë e rajasë. Vetë spahiut i ndalohej të vinte dorë mbi tapitë e rajave të zotërimeve të veta. Çifligari ishte i detyruar t’i paguante spahiut të dhjetën, salarien, si dhe taksat e rajallëkut. Shitja e së drejtës së shfrytëzimit të tokës erdhi si pasojë e trysnisë që e detyronte fshatarësinë raja të hiqte dorë prej të drejtave të saj mbi të. Në regjistrat e sherieve të qyteteve tona gjen shembuj të shumtë të shitblerjes. Një shembull tipik është familja e Biçakçinjve të Elbasanit. I pari i saj, Mehmet Agai (1621-1630) bleu një pasuri tokësore mjaft të madhe, duke i paguar të zotit të tokës taksën e tapisë. Pastaj e vazhduan fëmijët, motrat dhe nipërit. Rukije Hanëmi, e shoqja e Sulejman pashë Biçakçiut bleu toka mylke shtetërore në fshatrat e Mirakës, Pishkashit, Shën Bitrit, Skroskës etj. Çifligjet e kësaj familjeje shtriheshin në Elbasan, në Gramsh, në Myzeqe, në Peqin etj.
Me anë të kësaj rruge u formuan dhe u zgjeruan edhe pronat e mëdha tokësore të institucioneve fetare myslimane e të krishtere. Kryepeshkopi i Durrësit, Gerardo Gallata, në një relacion të shek. XVII përshkruan kështu rritjen e pasurisë tokësore të kishës në dioqezën e tij: “pjesa më e madhe, - shkruan ai, - ka qenë blerë nga imzot Gjon Koleci, nga imzot Mark Skura, nga imzot Korpeni dhe nga unë që jam tani; të tjerat i janë lënë kësaj kishe nga njerëz të përshpirtshëm. Për më tepër, unë Gerardo Gallata kam marrë me tapi një të tretën e gjithë pyjeve, arave dhe fushave të Kryekuqit ... që bashkohen me pasuritë e kësaj kishe”.
2. Një rrugë tjetër ishte dhuna dhe arbitrariteti feudal. Ajo niste nga forma të maskuara dhe përfundonte në dhunën e hapur. Feudalë të fuqishëm merrnin nën “mbrojtje” individë ose fshatra të tëra nga bandat vjedhëse. Si shpërblim ata merrnin një dhuratë në masën 1/5 e prodhimit. Me kalimin e kohës dhurata u kthye në një detyrim të përvitshëm. Në rast se nuk shlyhej, vihej dorë mbi tokat e tyre. Feudalët që zotëronin të holla falsifikonin datat e lëshimit të tapive. Para kadiut nga pretenduesit për të njëjtën tokë, fitonte ai që kishte tapi më të vjetër. Në raste të veçanta spahinjtë vinin dorë mbi tapinë e atyre që s’linin trashëgimtarë. Që nga fundi i shek. XVII ndeshen raste të grabitjes së tokave fshatare nga ana e çifligarëve në rrethin e Beratit, në fshatrat Peshtan, Lapardha, Perondi, Poshnjë etj. Përveç blerjes, Mehmet aga Biçaku me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhunës, vuri dorë mbi kullotat malore e tokat e përbashkëta në fshatrat Gribë, Çermë, Belsh etj.
3. Borxhet. Për të shlyer detyrimet dhe për t’i bërë ballë jetës, fshatarësia merrte borxhe te feudalët, duke lënë peng tokën. Në rast se nuk shlyhej borxhi në afatin e caktuar, atëherë feudali vinte dorë mbi tokën. Që nga shek. XVII borxhet bëhen një dukuri e rëndomtë, jo vetëm për qytetin, por edhe për fshatrat. Kamata ishte e lartë 30% nga 12% që ishte zyrtarisht. Në të gjitha fshatrat e Zadrimës, madje dhe në një radhë fshatrash të malësisë mjaft fshatarë kishin rënë në borxhe, si në Barbullush, Bushat, Kukel, Sheldi, Juban, Dajç, Trush etj. Figura të fajdexhiut u bënë tregtari, zejtari i pasur, çifligari dhe kleri. Pukëvili shkruante: “Kur pronat mund të mbulojnë borxhet, të krishterët (edhe myslimanët), që vetëm dëshpërimi i shpie në revoltë, shesin atëherë tokat e tyre me titull çifligu dhe bëhen fermerë (çifçinj) të tokave të tyre”.
4. Hapja e tokave të reja. Jo vetëm fshatarët nxiteshin të hapnin tokë të re nga pyjet, kullotat, moçalishtet, por edhe feudalët nxitnin dhe detyronin fshatarët që të hapnin tokë të re. Kështu në vitin 1654 fshatarët e Zhazharit të Madh, me nxitjen e çifligarit hapën tokë në sinorin e fshatit fqinjë. Në fshatin Gurzë të bregut të Matit një sipërfaqe prej 9 000 ha, pronë e Bushatllinjve, të mbuluara me pyje, u kthyen në toka buke prej malësorëve mirditas e kthellas. Bejlerët e Rëmbecit në fushën e Korçës i detyronin fshatarët të hapnin toka të reja, ua linin prodhimet për dy-tre vjet, pastaj ato toka ua bashkonin çifligjeve të tyre. Si rrjedhojë e shpyllëzimit të pyjeve në këtë krahinë u krijuan çifligje të reja si Orman-Çiflig e Orman-Pojani (orman=pyll). Ky proces është fiksuar në toponiminë e mjaft vendeve të tjera në Myzeqe, Himarë, Kurvelesh, Gjirokastër, Kolonjë, Këlcyrë etj.
Përveç këtyre rrugëve kryesore, për formimin e çifligjeve u përdorën edhe mjete të tjera. Nga ato më kryesoret e më të përhapurat kanë qenë shitblerja dhe dhuna. Gjatë periudhës kur pushteti qendror kishte nën kontroll të gjitha provincat, rruga kryesore ishte ajo legale, shitblerja. Kjo kushtëzohej edhe nga kujdesi i vetë shtetit për të mos u pakësuar fshatarësia raja mbi të cilën ishte ngritur makina ushtarake osmane. Kjo rrugë vërtet ishte me më pak leverdi për çifligarin sesa dhuna, por ishte e sigurt dhe e legalizuar me një dokument nga kadiu. Që të përdorte rrugën e dhunës, feudali duhet të kishte edhe forca ushtarake me rrogë. Dhuna mori një përhapje më të madhe atëherë kur ra në mënyrë të dukshme roli i pushtetit qendror që nuk ishte në gjendje të shpëtonte fshatarësinë nga dhuna e tepruar.
Madhësia e çifligjeve niste nga një pendë qe ose 70-130 dynymë. Në fshatin Myshqeta kishte një çiflig në madhësinë e parcelës së fshatarit. Çifligje të tilla ndesheshin pothuaj në të gjitha krahinat e vendit. Në vitin 1738 në krahinën e Beratit numëroheshin 100 çifligje, prej të cilave 42% ishin të madhësisë që punoheshin nga 10 familje secili, 25% nga 30 familje dhe 6,5% nga 65 familje secili. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë sipërfaqja e çifligut më të madh (65 familje) shkonte rreth 195 ha. Me fjalë të tjera, çifligjet në këtë krahinë tipike çifligare deri në mesin e shek. XVIII, ishin relativisht të vegjël.
Çifligu u formua dhe u zhvillua gjatë dy fazave. E para u shtri gjatë shek. XVI-XVII. Në këtë fazë bëhet kalimi i pronës private e shtetërore nga duart e fshatarëve në ato të feudalëve çifligarë që çoi në formimin e çifligjeve. Gjatë kësaj kohe karakteristike ishte formimi i çifligjeve të vogla. Faza e dytë zgjati nga shek. XVIII deri në vitet 30 të shek. XIX. Karakteristika kryesore e saj ishte formimi i pronës së madhe çifligare nëpërmjet zgjerimit të çifligjeve më të fuqishme ose të bashkimit të çifligjeve të vogla; por nuk përjashtohej edhe mundësia e formimit në këtë kohë e çifligjeve të vogla, mbasi shpronësimi nuk përfundoi në fazën e parë dhe as në të dytën. Çifligu u formua dhe u zhvillua si një fenomen i paligjshëm në gjirin e timarit, e breu atë nga brenda derisa fitoi të drejtën e qytetarisë me likuidimin e sistemit feudal-ushtarak në vitet 30-40 të shek. XIX. Kush kishte ruajtur tapinë e tokës njihej si pronar i saj. Si një dukuri e paligjshme nuk gjeti pasqyrim në regjistrat kadastralë. Për këtë arsye është e vështirë të jepet shtrirja e saktë e çifligut në krejt tokat shqiptare. Deri tani është pohuar se çifligu në shek. XVIII kishte përfshirë zonat fushore dhe kodrinore, kurse timari në fushë mbeti në formë ishujsh. Në zonën malore ndodhte krejt e kundërta. Çifligu ishte përhapur kryesisht në tokat e ulëta bregdetare nga Tivari në Vlorë, në Plavë, në Guci, në Kosovë, në luginat e lumenjve, në Myzeqe, në trevat e Korçës, Gjirokastrës, Delvinës e të Janinës. Tani për tani të dhëna më të sakta për shtrirjen e çifligut ka vetëm për krahinën e Beratit, ku në vitin 1701 kishte 166 fshatra gjithsej, në 59 fshatra kishte çifligje, d.m.th. në 36% të fshatrave. Por, shkalla e vërtetë e shtrirjes duket në sasinë e të hollave që jepeshin si detyrime të jashtëzakonshme. Në vitin 1681 çifligjet jepnin 8,8% të shumës së përgjithshme të detyrimeve, kurse në vitin 1746, 18% të shumës së përgjithshme. Çifligu ishte shtrirë në 18% të krejt sipërfaqes së tokës së punueshme. Kjo shifër tregon vetëm shtrirjen e çifligjeve private dhe nuk përfshin çifligjet shtetërore dhe ato të institucioneve fetare.
Sipas orientimit çifligjet në Shqipëri ishin tri llojesh: bujqësor, blegtoral dhe të përzier. Çifligu bujqësor përbëhej nga prona private (mylk): kopshtet, vreshtat, ullishtet, lëmenjtë, kulla e çifligarit, shtëpitë e çifçinjve, veglat e punës, mullinj, dhe nga toka shtetërore: ara e livadhe. Çifligu blegtoral përbëhej nga prona private, si më lart, nga tufat e bagëtive dhe nga kullotat e veglat e përpunimit të produkteve blegtorale, kurse i përzieri kishte orientimin bujqësor e blegtoral. Mbizotërues ishte çifligu i përzier.
Sipas pronësisë çifligjet ishin private, të institucioneve fetare dhe shtetërore. Çifligjet private i zotëronin kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga shtresa feudale dhe duke përfunduar në tregtarët e zejtarët e pasur. Në vitin 1680 në krahinën e Beratit, nga 15 pronarë çifligjesh, 13 veta ishin bejlerë dhe bij bejlerësh, një vezir dhe një pashë. Nga gjysma e dytë e shek. XVIII, krahas bejlerëve si pronarë çifligjesh dalin tregtarë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës. Përveç Bushatllinjve, familja e Gjyrezëve, Bianki, Çoba zotëronin toka buke, ullishte, kullota etj.
Në fund të shek. XVIII u dalluan familje të mëdha çifligare, si: Ali pashë Tepelena, Bushatllinjtë, Begollajt në Pejë, Rrotullarët në Prizren, Toptanët, Alltunët, Biçakçinjtë, Vërlacët e Vrionët në Shqipërinë e Mesme, Velabishtajt, Ngurzajt, Vlorajt, Delvinajt e Kokajt në jug. Mbi të gjithë dallohej Ali pashë Tepelena, i cili zotëronte mbi 900 çifligje në Shqipërinë e Jugut, në Maqedoni e në Greqinë e Veriut.
Në shek. XVII-XVIII edhe pronat e institucioneve fetare myslimane e të krishtera morën formën e çifligjeve. Ato u zgjeruan në radhë të parë nga dhurimet e shtetit dhe të besimtarëve. Çifligjet e klerit mysliman qenë përqendruar kryesisht në toka pjellore të fushave të Shkodrës, Kosovës, Tiranës, Elbasanit, Myzeqesë, Korçës, Janinës, Artës etj. Në Shqipërinë Verilindore, në fushën e Kosovës, midis Vuçiternës dhe Prishtinës ishin zotërues çifligjesh teqetë. Elbasani kishte xhami dhe teqe të shumta që zotëronin pasuri, toka, ullishte, në Myzeqe numri më i madh i çifligjeve të klerit mysliman shtrihej midis Lushnjës dhe Fierit. Midis Beratit e Lushnjës kishte 6 çifligje me një sipërfaqe prej 3 000 ha, në fushën e Korçës teqetë kishin toka në fshatrat Melçan, Dvoran, Turan, Qatrom, Plasë etj.
Me kalimin e kohës edhe kisha ortodokse i zgjeroi pronat e saj tokësore. Në fushën e Korçës kishte disa kisha e manastire, pronarë të mëdhenj tokash, si mitropolia e Korçës, e cila në fillim të shek. XIX kishte të ardhura vjetore 100 000 groshë, dy manastiret e Boboshticës, kisha e Ristozit dhe manastiri i Shën Ilisë në Mborje, si edhe manastiri i Shën Pjetrit në Vithkuq. Manastiri i Shën Naumit, buzë liqenit të Ohrit me të ardhurat nga toka mbante 60 murgjër, manastiri i Ardenicës zotëronte toka të shumta, ullishte dhe një mulli vaji. Në fushën e Dropullit kishte gjithashtu mjaft manastire; manastirin e Deçanit e shumë manastire të tjera i zotëronte Patrikana e Pejës.
Kisha katolike vinte pas asaj ortodokse, megjithatë edhe ajo i rriti pronat që shtriheshin nga zona fushore e ultësirës së Shkodrës dhe përfundonin në zonat malore të Mirditës, Dukagjinit, Pultit e të Kelmendit. Kleri katolik në Lezhë zotëronte prona të mëdha, në fushën e Zadrimës, në disa fshatra të Shkodrës e në qytetin e Shkodrës. Midis manastireve më të pasura në tokë përmendej ai i Shën Andout të Lezhës.
Edhe haset sulltanore në shek. XVII-XVIII morën formën e çifligjeve. Çifligjet shtetërore i përkisnin familjes sulltanore dhe shtetit. Familja sulltanore zotëronte 38 fshatra në fushën e Zadrimës, në kazatë e Manastirit, Ohrit, Follorinës, Starovës, Korçës, Kosturit, në sanxhakun e Janinës, në atë të Artës. Në sanxhakun e Shkodrës ajo zotëronte deri në 6 000 ha tokë; në Myzeqe kishte 128 çifligje me toka buke, 28 kullota. Çifligjet e arkës shtetërore në tokat shqiptare, në radhë të parë u formuan nga timaret dhe ziametet e braktisura. Me shembjen e pashallëqeve shqiptare dhe me dështimin e kryengritjeve të viteve 30 të shek. XIX, çifligjet e Ali pashë Tepelenës, të Bushatllinjve, të Alltunëve të Kavajës etj., u kthyen në çifligje shtetërore. Këto çifligje fillonin që nga fusha e Zadrimës, vazhdonin në Bregun e Matit, në Myzeqe, në fushën e Korçës, në Janinë etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama