Shtjefen Gjecovi historia e “shpetimit” te nje relikeje

Shtjefën Gjeçovi, historia e “shpëtimit” të një relikeje
Odiseja e një kambane

Ruhet në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë, por pak kush e di historinë e saj. Madje edhe vetë punonjësit e Muzeut në Krujë rrudhin supet e duket se kanë shumë pak për të thënë rreth kësaj kambane. Por ne po “zbulojmë” diçka rreth “jetës” së saj, pasi ekzistenca e këtij relikti i detyrohet një emri të letrave shqipe, françeskanit të njohur Shtjefën Gjeçovi. Jo thjesht për një fakt kurioz, por edhe për të “rrëfyer” mbi figurën e Gjeçovit, aspak e kufizuar thjesht në besimin tek Zoti apo tek letrat...

Sërish tek “Skënderbeu”

Zë fill që në kohën e Skënderbeut dhe sot është një prej atyre relikteve që mbart me vete gjurmë të emrave dhe kohës përgjatë së cilës ka “udhëtuar”.

Ishte viti 1901 kur A. Degrand, konsulli francez i Shkodrës botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe për dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Skënderbeut, e derdhur në bronz në vitin 1462, me përzierje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikteve e antikuarëve dhe iu propozua agait të qytetit të Krujës, Muharrem Kaloshi shuma prej 25 napolonash flori me kusht, që ta dërgonte kambanën e Skënderbeut në Barbullush. Sipas trafikantëve, nga Barbullushi ishte rruga më e lehtë për trafikantët me anë të detit, sepse edhe në kohën e pushtimit turk objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet e doganat e Perandorisë. I mirinformuar Gjeçovi, prift i fshatit të humbur e të varfër, Laçit të Kurbinit i vihet punës për ta futur në dorë këtë relikte të çmuar për t’ua lënë trashëgim shqiptarëve si shenjë e epokës së lavdishme të tyre. Vrapon tek Muharrem Aga, hyn në pazar dhe bie dakord për një çmim prej 15 napolonash, me kusht, që kambanën ta marrë vetë Gjeçovi nga Kruja. Se si i gjeti e i sajoi Gjeçovi 15 napolonat nuk dimë, por vetë ai më 1901 shkruan: “Në të vërtetë unë nuk mund ta paguaj edhe sikur të shisja vetën time”.

Megjithatë, e bleu kambanën, e fshehu mirë, siç pohon vetë dhe i shkruan konsullit austro-hungarez në Durrës, ku i kërkonte instruksione. Ranë dakord dhe u bë kontrata që kambanën do ta ruante konti austriak Kiuatkovvski dhe do t’i kthehej Krujës kur të rindërtohej kisha e Kështjellës. Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë drejt Vjenës. Në vitin 1923, më 28 nëntor në Tiranë u hap për herë të parë Muzeu Kombëtar Shqiptar. Gjeçovi ngriti peshë me letra herë ambasadën austriake, e herë vetë qeverinë e Vjenës deri sa ja arriti qëllimit. Kambana erdhi, por me vonesë. Nga Vjena iu dërgua ambasadës tonë në Romë dhe në dhjetor 1923 arriti në Tiranë. Gjeçovi nga Shkodra vrapon për ta parë me sytë e tij dhe për ta saktësuar, që është ajo. Me këtë rast bëri dhe një vizatim në dy pamjet, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor. Megjithatë, odiseja nuk mbaron këtu. Muzeu i Tiranës shkatërrohet, Gjeçovi vjen në Tiranë, merr kambanën dhe e çon në Shkodër. Vetëm pas Luftës së Dytë ajo kthehet prapë në Tiranë, për t’u dërguar më në fund në Muzeun e Krujës.

Solidaritet përmes fotografisë

Janë shkrepur në ndërrimin e viteve dhe tani “bëhen tok” krah popullsisë së Shkodrës. Fotografitë e shkrepura nga miqtë e fotografisë në “Lindart” do të ekspozohen në “Foto-Bar”-in e radhës më 16 janar, por ky takim i zakonshëm i “Projekt 5.6” mbart me vete diçka më tepër se herët e tjera. Mbrëmja i kushtohet edhe solidaritetit të miqve të fotografisë për t’ju ardhur sadopak në ndihmë njerëzve të prekur nga përmbytjet në veri të vendit. Shumë fotografi të dërguara do të stampohen e do të shiten atë mbrëmje 500 lekë copa, ndërsa shuma e mbledhur do të dorëzohet në një nga numrat e llogarisë të hapura për këtë qëllim.

Teksti i parë në shqip mbi sociologjinë e së drejtës

Është një libër mbi sociologjinë e së drejtës, një shkencë relativisht e re, shkencë e periudhës post moderne të historisë botërore. “Sociologjia e së drejtës” me autor dr. Fatmir Zanaj është botimi më i ri që vjen në dorë të lexuesit shqiptar. Një punë shkencore, e cila plotëson edhe kërkesat didaktike që i ka vënë vetes autori për t’u dhënë studentëve të fakulteteve të drejtësisë njohuritë e duhura për sociologjinë e së drejtës, ketë disiplinë relativisht të re në programet e përgatitjes universitare. Merita e autorit qëndron jo vetëm në atë se ky është teksti i parë mbi sociologjinë e së drejtës që botohet në vendin tonë, por edhe në drejtim të një konceptimi më të gjerë të domosdoshmërisë së pjesëmarrjes se shkencave te tjera, sidomos atyre sociale, në trajtimin dhe studimin e jurisprudencës”, shkruan në parathënie të librit prof. dr. Luan Gjonçaj. Autori ka shfrytëzuar një literaturë të pasur, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e dijes sociologjike mbi të drejtën në vendet perëndimore dhe përzgjedhur autorët më të rëndësishëm, shkollat më përfaqësuese të mendimit filozofik e sociologjik mbi të drejtën, si dhe duke ballafaquar botime nga më përfaqësueset në vite, me ato më të fundit nga universitetet me traditë të SHBA dhe të Evropës. “Tashmë Sociologjia e së Drejtës ka një fushë të gjerë e të lirë për të nisur e thelluar kërkimet e studimet e veta edhe në Shqipëri, sidomos sociologjia empirike e së Drejtës. Përparimi i vendit drejt integrimit evropian, liria e mendimit dhe liria akademike, zgjerimi i botës universitare me shtimin e zgjerimin e universiteteve publike dhe ato jo publike kanë krijuar një situatë të re. Fusha juridike në Shqipëri, problemet e së drejtës, të gjykimit dhe të gjykatave, problemet e formimit, të edukimit dhe të përtëritjes së korpusit të juristëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të institucioneve të imponimit e të zbatimit të ligjit, problemet e ndikimeve të ndërsjella midis politikës dhe të drejtës, ekonomisë dhe të drejtës, kulturës dhe të drejtës në terrenin shqiptar, problemet e forcimit të autonomisë së pushtetit gjyqësor dhe të luftës ndaj korrupsionit në këtë sektor etj., janë të hapura dhe presin të studiohen”, vëren vetë autori në këtë botim. Në librin “Sociologjia e së drejtës” bëhen përpjekje për të integruar edhe rezultatet e studimeve të autorëve shqiptarë të fushave të së drejtës dhe të kriminologjisë. Teksti ka vlera njohëse dhe përgjithësuese jo vetëm për studentët, por edhe për specialistët e së drejtës, sepse në këtë botim ata do të gjejnë trajtimin me mjeshtëri profesionale të problemeve më kryesore teorike të së drejtës bashkëkohore. Autori i materializon përfundimet teorike me shembuj dhe trajtime praktike. Gjithashtu, libri do të ndihmojë studiuesit e rinj të fushave të sociologjisë, të shkencave ligjore dhe të kriminologjisë, sepse u ofron atyre një pasuri të gjerë konceptesh, teorish dhe paradigmash të autorëve më të njohur mbi të drejtën dhe zhvillimin e saj në kushtet e shoqërisë moderne dhe post-moderne

Autori: Dr. Fatmir Zanaj
Nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama