Shtohen viktimat gjakmarrjes Ministria e Brendshme fsheh shifrat

Shtohen viktimat gjakmarrjes, Ministria e Brendshme fsheh shifrat
Plaga e rëndë e gjakmarrjes duket se është rritur në përmasa të jashtëzakonshme vitet e fundit në vendin tonë. Por edhe me statistikat e fundit Ministria e Brendshme duket se fsheh shifrat e vërteta të këtij fenomeni të frikshëm. Gjatë vitit të kaluar, përqindja e vrasjeve për gjakmarrje shënuan rekordin e 8 viteve të fundit duke arritur në pesë për qind të vrasjeve zyrtare. Shtatë persona humbën jetën si rezultat i këtij fenomeni, nga 134 në total që regjistroi Shqipëria. Por sipas zakonit kanunor, që respektohet kryesisht ne veri te vendit, si pasojë e vrasjeve që vijuan, u detyruan të ngujohen edhe 4 familje të tjera.

Fenomeni

Vrasja per gjakmarrje ka regjistruar ne vend shifrën 0 sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme vetëm në vitet 2008-2009, por shpesh herë opozita akuzon në komisionet e ndryshme parlamentare se manipulohet me këtë statistike, ndërsa deputetet e mazhorancës nuk e konsiderojnë këtë fenomen, si një rrezik real për shoqërinë. Por fakti që vetëm në qershor regjistrohen tre viktima në emër të gjakmarrjes tregon se rreziku mbetet potencial edhe pse numrat e të vrarëve çdo vit nuk janë një shifror. Situata bëhet një rrezik potencial për shoqërinë kur shifrat e pesë viteve të fundit jo vetëm që bëhen dyshifrore, por po t’u referohesh viktimave që ka shkaktuar, konstaton se fenomeni është bërë me brutal, jashtë çdo rregulli qoftë edhe kanunor, duke marrë trajtën e një krimi që ka dalë jashtë kontrollit, duke sfiduar si ligjet e shtetit ashtu edhe të drejtën zakonore.

Shtatë familje të ngujuara vetëm në Qershor

Në emër të gjakmarrjes u vra edhe një prift, apo dy vëllezër të një polici, apo edhe Maria, vajza 17-vjeçare nga Dukagjini. Më herët viktimë ishte bërë edhe një fëmijë, ndërsa shkonte në shkollë dhe që nuk kishte respektuar ritin e ngujimit si familja e tij. Në statistikat e saj Ministria e Brendshme nuk regjistron viktimat, të cilat nuk kanë pranuar të mbyllen në shtëpitë e tyre, si në rastin e këtij viti, ku një punonjës policie humbi jetën përpara shtëpisë së tij në Tiranë, apo si rasti i para dy ditëve më parë në Rubik. Të dy humben jetën sepse vëllezërit e tyre ishin autorë të dyshuar vrasjesh.

Përtej lojës së shifrave, realiteti është se krimi për gjakmarrje dhe fenomeni i ngujimit që e pason është një kërcënim serioz dhe një shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Me ndryshimet e bëra pesë vjet më parë, Kodi Penal parashikon si vepër penale detyrimin për ngujim dhe dënon kërcënuesit me 3 vjet burg e 1 milion lekë gjobë. Por deri tani, askush nuk është dënuar në bazë të këtij neni, e madje asnjë hetim zyrtar nuk është hapur edhe pse është dokumentuar zyrtarisht numri i familjeve të ngujuara. Vrasja e Maries, vajzës 17-vjeçare nga Dukagjini pikërisht për gjakmarrje nuk shkaktoi reagime nga strukturat e shtetit. Por është shoqëria që ka vendosur të ngrejë zërin për humbjen e një jetë të pafajshme.

Protesta

Të mërkurën, në orën 19.30, Alternative Civile dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, kanë organizuar qindra qytetarë përmes rrjeteve sociale në një tubim homazh, para Piramidës, për të ndezur qirinj për jetën e fikur të kësaj vajze, si dhe për të protestuar për heshtjen e shtetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama