Shtohet lista e gjyqtareve te paprekshem

Shtohet lista e gjyqtarëve të paprekshëm

Marina Rraboshta, gjyqtare e Gjykatës së Apelit në Shkodër, u denoncua në prokurori nga gjashtë familje shkodrane për grabitje të pronës së tyre përmes korrupsionit dhe shëprdorimit të detyrës.

Qytetarët i kanë dërguar një letër ankesë Minsitrit të Drejtësisë ku ankohen se prokurorja e Shkodrës Françeska Lekani e ka pushuar hetimin për gjyqtaren Rraboshta, pa dhënë asnjë arsye apo detaj për vendimin e saj.

Pa paragjykuar Zonjën Rraboshta dhe as prokuroren Lekani, rasti i mësipërm është i disati kohët e fundit kur gjyqtarëve u mbyllen çështjet nga prokuroria pa asnjë shpjegim dhe pothuajse në fshehtësi të plotë nga publiku.

Më poshtë janë disa nga rastet më të bujshme.

Në prill 2014, gjykatësi Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u akuzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për deklarim të rremë të burimit të të ardhurave, burime të paligjshme financiare, fallsifikim dokumentash dhe fshehje të aktivitetit në lidhje më pasurinë e tij përafërsisht të vlerësuar në gati 3 milionë euro.

Çështja e tij u hetua nga prokuroria e Elbasanit--për të shmangur konfliktin e interesit duke qënë se Zoti Gjoni është gjykatës në Tiranë. Por prokuroria nuk arriti të mbyllte dot hetimet brenda afateve ligjore dhe duke qenë se gjykata e Elbasanit nuk i shtyu afatet e hetimit, prokuroria e pushoi çështjen. Asnjë sqarim i mëtejshëm nuk u dha nga prokuroria për vonesën e hetimit.

Në shtator 2015, Alaudin Malaj, në atë kohë kreu i Gjykatës së Apelit Tiranë, u padit nga ILDKPKI-ja për fshehje pasurie, deklarim të rremë, dhe ngritje të një skeme mashtrimi për një justifikuar pasurinë e vlerësuar në rreth 1,7 milionë euro.

Për shkak të konfliktit të interesit, çështja e tij i kaloi për hetim Prokurorisë së Durrësit. Pas disa muajsh, prokuroria e Durrësit pushoi hetimet duke deklaruar se nuk kishte gjetur prova për të provuar akuzat e ndaj gjyqtarit.

Asnjëherë nuk u bë publik ndonjë informacion në lidhje me hetimin e Zotit Malaj, madje media e zbuloi vetëm pas disa muajsh pushimin e hetimit ndaj tij.

Në janar 2016, Artan Gjermeni, gjytari i Gjykatës së Tiranës, u plagos në rrethana ende të paqarta, për të cilat kërkoi mjekim në spitalin publik. Policia e njoftuar nga mjekët mori në pyetje Zoti Gjermeni, i cili deklaroi se ishte vetëplagosur aksidentalisht në garazhin e tij. Policia nuk gjeti asnjë provë në garazh për të mbështetur pohimin e Zotit Gjermeni, ndërsa gjatë kontrollit të makinës së tij i gjeti rreth 20 mijë euro.

Pas disa javë hetimesh, prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e çështjes ndaj tij.

Përveç lajmit të plagosjes dhe fillimit të hetimit ndaj tij, asnjë informacion tjetër nga hetimi nuk u bë publik.

Vitin e kaluar, gjyqtarja e Lezhës Parashqevi Ademi dhe gjyqtari i Sarandës Rasim Doda u akuzuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për të dy rastet, në media ka shumë pak informacion lidhur me hetimet apo vendimet e gjykatës.

Pushimet e çështjeve, vendimet e pafajësisë dhe terri mediatik për gjyqtarët, çuditërisht nuk i bëjnë përshtypje më askujt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama