Shtrenjtohen cmimet perimet 110 me te shtrenjta nga vjet

Shtrenjtohen cmimet, perimet 110% me te shtrenjta nga vjet
Konsumatorët shqiptarë  vetëm pas muajit maj do  të kenë mundësinë që të  blejnë më lirë frutat dhe  perimet. Krahasuar me  të njëjtën kohë të një viti më parë,  çmimet janë shumë të larta edhe pse  javën e fundit është vënë re një ulje e  lehtë për produktet e stinës. Sipas  tregtarëve në tregun ushqimor të  kryeqytetit, tek ish-Uzina “Dinamo”  sallata kishte shkuar nga 50 lek/kg  që ishte një vit më parë, në 120 lek/ kg këtë vit.

Po ashtu, edhe patatja, e  cila një vit më parë ishte 30 lek/kg,  dje tregtohej me çmimin 80 lek/kg.  Rritje gjen edhe tek trengulli, spinaqi,  qepa dhe lulelakra, ku kjo e fundit,  sipas tregtarëve ka pësuar një rritje  4-5 fish krahasuar me një vit më  parë. Konsumatorët, nga ana tjetër,  brenda këtij viti kanë depozituar 371  ankesa në Shoqatën e Konsumatorëve  Shqiptarë për sa i përket abuzimit  me çmimet tek tregjet e shumicës  dhe pakicës. Ndërkohë, Shoqata e  Mbrojtjes së Tregut dhe Tregtarëve për  t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve  dhe bizneseve të vogla ka krijuar një  faqe interneti, ku konsumatori mund  të informohet në çdo kohë mbi çmimet  ditore të fruta-perimeve, si në tregun e  shumicës ashtu edhe në atë të pakicës.

Të gjithë shqiptarët mund ta vizitojnë  faqen e ueb-it “www.dinamo-sha.com”,  për të mësuar çmimet e frutave dhe  perimeve çdo ditë të javës. Arsyet Sipas kryetarit të Shoqatës të  Mbrojtjes të Tregut dhe Tregtarëve,  Alfred Bozhiqi, arsyet e çmimeve të  larta në tregun e frutaperimeve janë  të shumta dhe kryesorja sipas tij është  mungesa në treg e prodhimeve të  vendit, të cilat priten të dalin pas 2 deri  4 javësh. Sipas tij, rritja e çmimeve ka  ardhur edhe si rezultat i verës së nxehtë  të vitit të kaluar, ku një pjesë e madhe  e produkteve nuk u mbollën në kohë.  Gjithashtu, një pjesë mjaft e madhe e  produkteve që janë sot në treg janë ruajtur  në kushte frigoriferike dhe kjo sjell një  rritje të çmimeve në mënyrë artificiale.

“Një arsye tjetër është fakti se një pjesë  e produkteve në treg janë prodhime të  serës, që kanë një kosto shumë të lartë  sepse japin prodhim në një kohë kur nuk ka  prodhim vendas. Madje çmimi i produkteve  të serave është i barabartë me çmimin  e produkteve të importit”,- shprehet z.  Bozhiqi. Edhe përmbytjet në zonën e  Nën-Shkodrës kanë sjellë probleme në  prodhim dhe në çmim. “Sallata, prasi, qepa  e njomë, janë të një cilësie shumë të dobët,  gjë që ka bërë të ketë mungesë të këtyre  produkteve në treg, e si rrjedhojë, rritje  çmimi”,- shton më tej kreu i shoqatës.  Sipas tij, rritja e çmimit ka ardhur edhe si  pasojë e abuzimit të tregtarëve të pakicës  me çmimet. “Patëllxhanin që e gjen tek  tregu i ish-Uzinës ‘Dinamo’ me 170 lek/ kg në tezga, mund ta gjesh deri në 300  lek/kg në tregje të tjera në kryeqytet”,-  shprehet ai. Sipas Bozhiqit, konsumatori  përballet me çmime të larta sepse  tregtarët shqiptarë punojnë në mënyrë  rastësore, nuk kanë një planifikim se  çfarë produkti kërkon konsumatori që të  prodhoj apo sa kërkesë ka konsumatori  për një produkt të caktuar.

Madje, sipas  z. Bozhiqi, tregtarët duke parë që ka një  ulje të madhe të fuqisë blerëse kanë  filluar të sjellin në treg produkte të një  cilësie shumë të dobët, që sigurisht  ndikon tek konsumatorët. Një arsye madhore që ndikon në  xhepat e konsumatorëve është fakti  që një pjesë e madhe e produkteve,  duke mos pasur prodhim vendas,  për të përmbushur kërkesat e  konsumatorëve, vijnë nga improti. Tek  çmimi i produktit që vjen nga importi  futen: fatura që tregon sa është blerë  produkti, shpenzimet e transportit,  siguracionet, 10% e referencës, 10% e  TVSH-së, taksat e tjera, si dhe 20-25%  fitimi bruto i tregtarit.

Taksa dhe referenca të ndryshme për produktet

“Duhet të vendosen TVSH të ndryshme. Duhet të vendoset tjetër  TVSH për produktet e shportës  dhe tjetër për produktet e luksit”. Sipas z. Bozhiqi pritet dhe  duhet të realizohet një referencë  sa më e mirë dhe sa më e drejtë  për produktet e importit. Ai shprehet: “Ne nuk themi që referencat  të hiqen fare, por të vendosen në  mënyrë të drejtë dhe për produkte  strategjike.

Nuk themi që të hiqet  referenca për produkte si gruri,  pasi referenca mbron prodhimin vendas”. Një propozim tjetër i  Shoqatës të Mbrojtjes së Tregut  dhe Tregtarëve për stabilizimin  e çmimeve është marrja parasysh e propozimeve të Shoqatës  së Konsumatorëve, të Shoqatës  të Mbrojtjes së Tregut dhe Tregtarëve, të prodhuesve vendor etj.  Duhet të ketë politika shtetërore që stimulojnë prodhimet vendase,  pasi për sa kohë nuk ka politika  të tilla, çmimet do të jenë të larta. “Si pasojë e mungesës së  këtyre politikave tregtarët shqiptarë pothuajse nuk prodhojnë  fare ose kur prodhojnë produktet  e tyre ngelen stok”,- përfundon  z. Bozhiqi.

Çmime të larta nga mungesa e prodhimeve vendase


Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Islam Cani, arsyet e  mungesës të prodhimeve vendase  që pasohen nga rritja e çmimit, i  konsideron si edhe më të “thella”.  Sipas tij, vendi ndodhet në këtë sit-uatë sepse kur kaluam në ekonomi  tregu shumë pemë u prenë dhe  tokat pjellore u shkatërruan. Një  tjetër arsye, sipas z. Cani është edhe largimi i specialistëve të bujqësisë dhe blegtorisë në emigracion.  “Ne tani nuk kemi specialistë që të  na tregojnë si mbillet, si prashitet,  si mblidhet produkti”,- shprehet  kryetari i SHKSH-së. Mungesa e  infrastrukturës, rritja e çmimit të  naftës, mungesa e magazinimit etj., janë disa arsye të tjera që  shkaktojnë këtë problem. Cani  shprehet: “Ne nuk jemi përgatitur  që të bëjmë magazinimin dhe ruajtjen e produkteve. Nuk kemi praktika të hershme ashtu si Greqia,  Maqedonia apo Serbia, prandaj  jemi në këtë gjendje”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama