Shtrigat e qethura te Salemit

Shtrigat e qethura te Salemit
Dramën e Milerit mund ta shohësh si histori e pasionit vrasës, po aq si histori lufte e pushteteve që para se të humbin territor, marrin jetë njerëzish. Të marrësh njërin kuptim dhe të lësh të tjetrin, është një këndvështrim i përgjysmuar, siç e pamë në regjinë e Spiro Dunit.

Alegoria e fatit të njeriut në Salem nuk i kalon kufijtë e një historie në provincën amerikane të shtatëqindës. Shfaqja, premierë absolute në Teatrin Kombëtar, është statike, mbahet pa zhvillim nën një ndriçim të zbehtë e të ftohtë. Aktorët mund të jepnin më tepër Një vallëzim të rejash natën në pyll ndjell një furtunë. Skena që hap aktin e parë të "Shtrigave të Salemit" është ajo që përshkruan Artur Mileri, por pa uverturën e Moxartit që ka përdor, pa e goditur, regjisori Spiro Duni.

Dramën mund ta shohësh si histori e pasionit vrasës, po aq si histori lufte e pushteteve që para se të humbin territor, marrin jetë njerëzish. Është pasuri e veprës aliazhi i këtyre dy nivele, të individit dhe të autoritetit ligjor e fetar. Brenda secilit nivel ka një zhvendosje të thellë, sepse individët dhe koha që jetojnë janë në një proces kthesë.

Njeriu lufton për një pavarësi jashtë kishës, ndërkohë që autoriteti ligjor nuk është gati ta thyejë vëllazërimin me fenë. Alegoria e Salemit i përket këtij niveli, të ortodoksisë dhe të shkeljes së drejtave të njeriut në emër të së drejtës. Paradoksi është i qartë. "Shtrigat e Salemit" është alegori e një krimi që nuk ndodh. Nëse do të ndodhte, do të përmbyste ata që drejtojnë Salemin e shtatëqindës apo Salemë të shekullit tonë.

Për këto kapërcime të kufijve, veprat i quajnë kryevepra dhe pretendimi për t'i sjellë në skenë bën ndonjëherë që të mos merresh me veprën, por me sugjestionin nga kryevepra.

Afishja e shfaqjes në Teatrin Kombëtar, paraqet një burrë në mes dy portreteve femërore. Ajo sugjeron një histori pasioni dhe jo thjesht pasioni.

Abigel Uiliams në rol (Elia Zaharia), është furtuna që nisi në pyll. Është personazh i jashtëzakonshëm Abigela, 17-vjeçare. Bota e saj nuk ka një gram realitet. Ajo botën jashtë e modifikon sipas ëndrrave të saj të tmerrit. Urrej dhe dashuroj është ky personazh.

Nuk urren nga xhelozia, as nga zilia e mospasjes. Urrejtja është më e fortë se ajo. E shkuara e saj projekton të tashmen e saj. Kjo vajzë tregon pse i njeh mirë forcat e mbinatyrshme. Sepse nuk do kishin tjetër emër ato forca që i morën prindët: "I kam parë me sy indianët kur ja shtypën kokat prindërve të mi dhe ishim në të njëjtin jastëk, kam parë edhe gjëra të këqija që bëhen natën, ju bëj të luteni që dielli të mos perëndojë kurrë!"

Abigela është pa fe. Zaharia i jep personazhit vetëm volum zëri. Plastikën e ka të ngrirë. Në thelb ajo vajzë ka shtirjen, mashtrimin madhështor se ekzistojnë shpirtrat si shpallje e djallit. Personazhi i Elias shkon në rënie vazhdimisht. Edhe kur s'është e pranishme dhe përflitet, madje ndihmon në relievin e personazheve të Xhon dhe Elizabeta Propktor, ajo vërtet mungon.

Personazhe si i saji, në mungesë, do duhej të linin hijen e tyre.

Regjisori Duni ka retushuar edhe hijet e personazheve të tjerë, të njerëzve që jetojnë në një vend të vogël, të shtypur nga mbretëritë e qiellit dhe të tokës, të ngatërruar si fijet e merimangës. Njëfarë rrjete të asi foleje i ngjan çatia e shtëpisë së priftit të famullisë, Perris (në rol Neritan Liçaj).

Është qethur edhe figura e Perrisit, një i korruptuar që u ka rënë në sy, veç disave, Xhon Proktorit dhe Bill Korejt. Regjisori i nxjerr si përplasje prej inateve personale, si qëndrime pa shkak të Proktorit dhe pjesës tjetër që duan dhe besojnë me zemër te kisha. Origjina e këtyre konflikte është çështje e humbjes së pushteteve, e autoriteteve. Sherre për toka, për taksa, padi të rreme.

Përçarja e besimtarëve është një revolucion që po ndodh. Nuk janë më të verbër ndaj pushtetit të kishës, as edhe ndaj ligjit. Shteti dhe kisha janë një, ajo anë e shtetit dhe ajo anë e kishës, që kërkon të dënojë nëpërmjet njeriut, veset e padënueshme, po edhe vullnetin e lirë.

Regjisori ka bërë pak heqje nga teksti i plotë i dramës, ka shmangur ndonjë personazh të dorës së dytë apo ka shkrirë dy në një, pa e dëmtuar ansamblin. Ka hequr fjalë kyçe nga fjalori i personazheve që pa retorikë, përfaqësojnë një simbolikë të caktuar.
Fermeri Xhon Proktor jeton si një gjysmë i krishterë në mos më pak.

Është syçelët, nuhat qelbin e "autoritetit" apo të komplotit, fjalë që mbajnë peshën kuptimore të veprës.Ai bën një rezistencë të admirueshme ndaj diktaturës ligjore, vendimeve që merren për krime të padukshme.

Shfaq një vetëdije të shkathët sepse ka mbajtur larg ndikimin te ai të turmës. Ai përfshihet në një proces reflektimi. Është fermer, jo në një konflikt banal klasash shoqërore, po në një luftë shpirtërore.

Antikrishti i Xhon Proktorit nuk është një njeri që ngrihet kundër kishës, është një njeri që mendon për një pavarësi të pakontrolluar nga sytë e Zotit dhe të njerëzve që flasin në emër të tij. Ai punon tokën të dielën, sepse ka nevojë të prodhojë.

Është joshur nga një vajzë e re dhe e ka rrëfyer tradhtinë bashkëshortore. Ai nuk lakmon pronën e tjetrit dhe as e duron lakminë e njerëzve të Zotit.

Nuk është i verbër ndaj ligjit dhe as ndaj krimeve si shtrigania. Nëse ky është antikrishti, atëherë bota jonë gjen tek ai strukturën e fytyrës së vet. Zbulimi i tij është ky: "Paqe. Kjo është thjesht providencë, asgjë nuk ndryshon; ne po ato jemi, ata që ishim dje, vetëm se sot jemi lakuriq. Tamam lakuriq! Edhe era, era e ngrirë e Zotit le të fryjë!"

Proktori i Timo Fllokos paraqitet më pak i gdhendur, më shumë i dhunshëm se ç'do duhej. Dyshime ngjall më pak. Pse duhet të paraqitet si hero? (në finale aktori e merr lakun e dhe hedh vetë në qafë). Dhe për dreq, t'i varësh një kamxhik në brez? Ai di të jetë poet pa qenë nevoja të paraqitet si lopari dhe fermeri që frymëzohet fushave me lule e jargavanë.

Elizabeta Proktor është besimtare me bindje, jo relike e urdhëresave të Ungjillit. Ftohtësia e saj është e natyrshme, por regjisori e ka mbajtur Eva Alikajn në ftohtësi të panatyrshme. Personazhi është viktimë e mëkatit që vuan po aq sa i shoqi që ka mëkatuar. Trupi i saj do duhej të epej për të treguar sado pak se goja nuk arrin të nxjerrë atë që zemra do të donte.

Nuk ka tingëllim më të kuptimplotë fjala "grua" se te Mileri. Si në këtë rast, fjala grua në gojë të Proktorit, ndërsa ajo zbret shkallët me gjithë shpurën e ndjenjave që njeh dhe nuk njeh. Kujtojmë Yllka Mujon te "Pamje nga ura" tek i flet Edi Karbones se ka nevojë ta shohë si grua.

Elizabeta bën një zbulim mendor dhe shpirtëror: "Nuk kam parë kurrë mirësi si kjo në gjithë botën!", thotë ajo ndërsa Xhon Proktor shkon në litar.

Fustani gri akull që ka veshur Alikajn është i parakohshëm, i nxituar. Personazhi ka një perspektivë, megjithëse duket me hov të prerë, i vetëpërmbajtur. Çfarë do të thotë që karakteri është i vetëpërmbajtur? Do të thotë që ta bëjë spektatorin të shohë atë që ndodh në shpirt, që nuk duket po as thuhet. Vetëpërmbajtja shkakton tension kur personazhet projektojnë te njëri-tjetri tronditjet shpirtërore. Nuk ndodh ky reaksion mes Fllokos dhe Alikajt.

Aktorët protagonistë mund të jepnin shumë më tepër.

Fytyra e ligjit, e qeverisë, është konceptuar me një trup gjykues që shpesh rezulton karikaturë. Fatos Sela në rolin e zëvendësguvernatorit Danforth, është babaxhani që ka mbushur burgjet plot, që pohon me sy të zgurdulluar se është i zoti të var kaq e aq njerëz.

Ky personazh e zvarrit pa shpresë shfaqjen që është futur tashmë në një rrjedhë statike me të vetmen kolonë zanore nga Bethoveen. Po edhe me skenografinë dhe kostumet. Duken kush e kush të bëjë më përpara kamuflazhin e personazheve, nën një ndriçim të zbehtë e të ftohtë. Alegoria e fatit të njeriut në Salem nuk i kalon kufijtë e një historie në provincën amerikane të shtatëqindës. Dhe ky është një këndvështrim i përgjysmuar i regjisorit Spiro Duni.

Pse "Shtrigat e Salemit"? Pse tani?

Qysh se u shkrua, drama u lexua si një simbol kundër mekartizmit, kundër fobisë ndaj komunizmit. Me kohën, fitoi status më të qëndrueshëm se një vepër që i përgjigjet emergjencave të bashkëkohësisë. E me gjithë dramaturgjinë solide, gjuhën e qartë në shqipe, përkthim i Rudi Erebarës, kjo vepër në skenën e Teatrit Kombëtar i ngjan atij njeriut që del nga rreshti dhe vjen në vijën e frontit vetëm pse e kanë thirrur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama