Fati nuk ka qenë me Kukësin në Austri, pasi në minutën e 91-të Izair Emini mund të shënonte një gol me aromë kualifikimi për kuksianët.
Gjuajtja e sulmuesit shqiptar nga Maqedonia u ndal nga shtylla, kështu që verilindorët humbën një mundësi "të artë" shënimi.
Emini për "Panorama Sport" ka treguar se çfarë i ndodhi në momentin e gafës dhe në përfundim të takimit ka qenë i mërzitur për shpërdorimin e rastit që pati. "Ishte një rast mjaft i mirë, por për fat të keq nuk realizova dot. Fati nuk ishte me mua.
Ishte një aksion që unë po e ndiqja me sy. Sapo Musolli mori topin, e dija që do të godiste portën. Në fillim iu ruajta pozicionit jashtë loje dhe u hapa pak, pastaj po ndiqja me vëmendje gjuajtjen, e cila i shpëtoi portierit nga duart.
Ndaj, kur e pashë portierin të shtrirë mendova në të qindtat e sekondës që ta gjuaja topin lart duke e pasur të sigurt golin. Por, për fat të keq, topi kapi shtyllën pingule, e cila na mohoi golin. Jam shumë i mërzitur që nuk shënova.
Barazimi 1-1 do të ishte një rezultat mjaft i mirë, por ja që nuk ndodhi. Besoj se jemi në nivelin e duhur. Nëse do të luajmë në këtë mënyrë dhe do krijojmë kaq raste në ndeshjen tjetër në Shqipëri, kemi mjaft shanse për t'u kualifikuar", u shpreh për "Panorama Sport", Izair Emini.
S.Sulozeqi