Shtyrja e lejeve te qendrimit nuk lejohet dalja jashte Greqise

Shtyrja e lejeve te qendrimit, nuk lejohet dalja jashte Greqise

Emigrantët, përsëri viktima të pamundësisë së autoriteteve dhe administratës greke për t'iu përgjigjur në kohë fluksit të aplikantëve për rinovim të lejes së qëndrimit. Siç duhet të jetë në dijeni lexuesi, para disa ditësh ministria e brendshme greke nxori një qarkore, sipas të cilës shtyhen automatikisht për pesë muaj gjithë lejet e qëndrimit që skadojnë pas datës 1 janar 2014.

Në qarkoren e firmosur nga ministri alternat Leonidas Grigorakos, si shkak i shtyrjes përcaktohej rritja e nivelit cilësor të shërbimit ndaj shtetasve të vendeve të treta, por ja që ky vendim, me motive në dukje lehtësuese, ka krijuar një vështirësi të re për emigrantët.

Më 27 janar, ministria e brendshme ka lëshuar një tjetër qarkore, kësaj here të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i popullsisë dhe kohezionit social, A. Syrigos, ku jepen sqarime lidhur me zbatimin e vendimit për shtyrjen e lejeve të qëndrimit.

Në pikën E të qarkores, që ka nëntitullin “Dalje dhe hyrje” (në Greqi), përcaktohet se:

“Duke patur parasysh se shtesa është automatike dhe nuk nevojitet akt normativ, nuk lejohet dalja dhe rikthimi në vendin tonë i shtetasve të vendeve të treta për periudhën në fjalë (shënimi ynë: Periudha e shtyrjes së lejes së qëndrimit).

Në çdo rast, nëse kjo konsiderohet e nevojshme, do të merret një vendim nga ministria e rendit publik dhe e mbrojtjes së qytetarit, mbi bazën e së cilës do të përcaktohen kushtet përkatëse.

Gjatë periudhës që vlen shtyrja e afatit të lejes së qëndrimit, nuk mund të merren vendime dëbimi vetëm për shkak të mungesës së lejes së rregullt të qëndrimit”.

Tallja e radhës

Duket si një tallje e radhës me emigrantët, fakti se vetë shteti grek i shtyn lejet e qëndrimit, duke pranuar se kjo shtyrje jepet në fakt, për paaftësinë e tij, dhe nga ana tjetër i detyron emigrantët të paguajnë (përsëri) haraçin e kësaj paaftësie, duke mos i lejuar të dalin nga Greqia. Sepse nuk mund të kuptohet ndryshe kjo masë, e cila fillimisht u mendua se bëhej vërtet për të lehtësuar emigrantët. Ndërsa në fat i privon ata nga e drejta më elementare ajo e lëvizjes së lirë, pas 23 vjetësh që nga ardhja e parë në Greqi dhe 16 vjet që nga vala e parë e legalizimit të tyre (1998).

Privimi nga kjo e drejtë theksohet edhe më shumë, nga fakti se në të njëjtën qarkore rreshtohen një sërë të drejtash që emigrantët gëzojnë gjatë kohës që kanë në dorë lejen e skaduar, por me vlefshmëri të shtyrë. Gjithsesi, Tribuna po i boton, në shënim të informimit më të mirë të lexuesit:

“Deri në votimin e dispozitave përkatëse dhe gjatë periudhës së shtyrjes së afatit, shërbimet e emigracionit mund të veprojnë me qytetarët e vendeve të treta dhe të avancojnë në kryerjen e veprimeve të nevojshme, pavarësisht skadimit të lejes së qëndrimit.

Gjatë periudhës së shtyrjes, qytetarët e vendeve të treta gëzojnë të drejtat që u ofron leja e qëndrimit. Ata kanë të drejtë të hartojnë kontratë pune, të bëjnë kërkesë për regjistrim në organizmin e siguracioneve, të kërkojnë marrjen e niptit fiskal (AFM), të vazhdojnë studimin në institucionet arsimore të Greqisë, të kurohen në spitalet publike, të marrin kompensimin e papunësisë, të regjistrohen si të papunë, etj. Është e qartë se janë të detyruar të jenë të siguruar dhe të respektojnë detyrimet e tyre tatimore”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama