Historia e tjetërsimit të zonës antike zejtare të Durrësit është e mbushur plot me numra protokolli dokumentesh dhe me kleçka përmes Ligjit të Trashëgimisë. Shkresa përcillen rrufeshëm nga njëra palë te tjetra dhe emra të njëjtë paradoksalisht përshfaqen te akuzuesit dhe miratuesit! Sot, kur i gjithë mali i vendimeve të autoriteteve të arkeologjisë, shkëmbimi i relacioneve, akuzave, interpretimeve ka mbaruar, zbulimi më i madh i Durrësit të pas viteve ’90, nuk është më në dritë të diellit...
Tashti mbi të është ngritur një pallat. Zbulimi i katër viteve më parë të njësisë zejtare antike të Durrësit, do shtrihet përjetësisht nën një pallat, tek ish Lulishtja “1 Maji” me shpresën se pronarët e rinj që kanë ndërtuar mbi të, kanë gjetur mundësinë ta bëjnë të vizitueshme për publikun. Por a mjafton e gjitha vallë?
Historia e shuarjes së kësaj zone, që specialistët e kanë krahasuar me Pompeun, nis pak vite më parë. Edhe pse aktorë të ndryshëm, kanë ngritur zërin për vitalizmin e saj duke iu drejtuar disa ministrave të Kulturës, nga këta të fundit ka pasur gjithnjë një heshtje ose shmangie të realitetit! Indiferencë? Mali i dokumenteve tregon të kundërtën. Problemi ka filluar që me lejen e pretenduar mbi zonën B, një zonë me ekuivoke për të ndërtuar. Referuar kompetencave të Ligjit 9048 datë 07.04.2003 “për Trashëgiminë Kulturore, i ndryshuar, neni 30, pika 4 citon: “Në zonat arkeologjike B lejohen ndërtimet e reja në rastet e përcaktuara në rregulloren e administrimit të këtyre zonave, pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë”.
Historia jonë fillon që me lejen, e cila u dha mbi një lulishte, një nga paradokset e mëdha të kësaj kohe, ku nuk janë falur lulishtet dhe fushat sportive. Në këtë rast, gërmimi menaxhohej nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA), kryetar i të cilit ishte Ministri i MTKRS-së, si dhe nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) pranë saj. Për shkak se duhej të ndërtohej, vendimi i KKA-së me nr.15 i datës 18.03.2010, i kanalizoi punimet e hapjes së vendit, si gërmim shpëtimi. Pra jo gërmim klasik ku konservimi përbën detyrim, shprehet Gjergj Frashëri, një nga të akuzuarit. “Për mua, ajo që ndodhi në atë vend-gërmim, qe një krim që duhej ndjekur penalisht. Por në fakt nuk ndodhi asgjë dhe fakti është që mbi atë vend sot është ngritur një pallat. Prej këtu del problemi madhor i gërmimeve arkeologjike në të gjithë Shqipërinë – pra, që firmat private të gërmimeve bien në ujdi me ndërtuesit. Në fillim firma private e arkeologjisë ishte dakord për ta ruajtur këtë vend-gërmim, më pas dha dritën jeshile për të ndërtuar mbi të”, shprehet Skënder Muça, anëtar i Komisionit që bëri kontrollin.
Gërmimet, ndërkohë, filluan më 17 Maj dhe mbaruan më 30 Tetor 2010. U kryen nga firma private arkeologjike “AKeR” shpk nën drejtimin e Gjergj Frashërit. Gërmimi u udhëhoq nga Projekti i gërmimit, i miratuar qysh më parë nga MTKRS-ja, me nr. Prot. 47 datë 13.04.2010. Katër javë më vonë, më 11.06.2010 një kontroll hyri dhe bëri një hulumtim. Ai përbëhej nga N.Ceka, atëherë këshilltar i kryeministrit; Apollon Baçe, drejtori i IMK-së; Luan Përzhita, përgjegjës i Mesjetës në Institutin e Arkeologjisë; dhe Skënder Muça, specialist arkeolog. “Komisioni u krijua për të saktësuar sesi ishte proceduar me gërmimet në atë rast. Kur ne nisëm këqyrjen e punimeve, kishte dalë mbi sipërfaqe periudha romake... Që në fillim konstatuam se në pjesën fundore të gërmimeve qe punuar me kujdes, por shtresat e sipërme ishin hequr në volume të mëdha dhe për pasojë, ishin shkatërruar tërësisht. Bëhet fjalë për varre, objekte të shpërndara etj.Për mua, ajo që ndodhi në atë vend-gërmim, qe një krim që duhej ndjekur penalisht”, thotë Muçaj. Reagimi i Frashërit është i menjëhershëm. “Një ditë pas vizitës i kam dërguar Ministrit të atëhershëm të Kulturës, shkresën zyrtare me Nr.Prot. 4853 (dt. 12.06.2010) me titull “Kontroll i paautorizuar dhe i kundraligjshëm”. Këtë e pata bërë për të mbrojtur punën. Udhëheqja e ministrisë e sqaroi situatën dhe me bindi që për tolerancë të mos bëja hapa juridike dhe puna të vazhdonte normalisht”. Paradoksi është se pas kësaj vijon një shkëmbim dokumentesh. Ku tre nga anëtarët e komisionit janë anëtarë të këtyre strukturave vendimmarrëse dhe kanë vërtetuar vetë ato vendime. Telegrafisht ka një Protokoll të datës 28.06.2010, Vendimi i kryetarit të KKA-së (Ministrit) nr. 97 dt.07.07.2010 (nr. 124 Prot), Proçesverbali nr. 2 me nr. Prot. 121 të datës 19.07.2010, Proçesverbali nr. 3 të datës 29.07.2010 (nr.134 Prot). Me radhë numërohen mbi 15 dokumente vendimmarrëse për zbatimin e gërmimit arkeologjik, konservimeve, kontrollit dhe dokumentacionit, që shkojnë deri në mbarim të gërmimit 30 tetor 2010.
Ndërkohë gjërat janë ‘rregulluar’ dhe në nivelin superior. Më 2.08.2010 një shkresë shkon në drejtim të Ministrit Xhaferri; drejtorit të IMK-së Baçe dhe drejtorit të Drejtorisë Rajonale Ermion Arapi nga Bashkia e Durrësit, firmuar nga z.Dako për rivitalizimin e Sheshit “Iliria” bashkë me vendimet përkatëse të K.Rr.T-së, si edhe projekt zbatimi për rivitalizimin urban...!18 ditë më vonë, më 20.08.2010, Ministri Ferdinand Xhaferri në rolin e shefit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe me firmën dhe të Sekretarit, akademik Apollon Baçes firmosin. (Në mbështetje të nenit 17, pika 6 të Ligjit nr. 9048, ndryshuar me Ligjin nr.9882. dt. 28.02.2008 “Për Trashëgiminë Kulturore”)... Këtu vjen fundi. Kur donim mënd, askush nuk fliste dhe idetë për restaurimin munguan, shprehet Frashëri. Ndërkohë investitorët durrsakë “Rajfi shpk” dhe “Xhemf shpk” nuk gjetën zgjidhje tjetër! Një proçesverbal i Posaçëm i KKA-së nr. 99 Prot. dt. 04.06 2012, duke analizuar një për një akuzat e komisionit, i vuri vulën punës së komisionit. Ai i cilëson të pavlefshme ato që vërejti Komisioni, e përfundon Frashëri rrëfimin. Pas kësaj, ndërtimi vijoi normalisht. “Pompeu” tashmë e tutje mund të shijohet në katin përdhe të ndërtimit.
Historia e njësisë zejtare shqiptare
Një sipërmarrës kish marrë leje të ndërtonte në ish-Lulishten “1 Maji”, një ndërtesë banimi dhe shërbimi me gjashtë kate mbi tokë dhe dy nëntokë. Meqenëse nëntoka rezultoi me lëndë arkeologjike, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (AShA) pranë MKTKRS-së në bazë të ligjit e detyroi sipërmarrësin që para fillimit të ndërtimit të financonte gërmimin dhe dokumentimin e substancës arkeologjike. Gërmimi u realizua nga Maji deri më Tetor 2010 nga Shoqëria “AKeR Shpk”. Interpretimi nxori se struktura e zbuluar ishte ndërtuar në fund të shekullit të II dhe fillimin e shekullit të I p.K. Sipërfaqja e gërmimit prej 5000 metra katror çeli për sytë e publikut një njësi urbane të qytetit, në përdorim nga kohët e vjetra deri në Antikitetin e vonët. Pjesa kryesore përshfaqte një lagje romake me një rrjet ortogonal të orientuar veri-jug dhe lindje-perëndim. Rrugët kanë gjerësi 3.50 metra dhe janë të shtruara me kalldrëm ndërsa në kryqëzim janë vendosur pllaka të mëdha guri dhe guri gëlqeror. Në të gjitha anët e rrugëve ishin kanale me gjerësi 0.7 metra dhe lartësi 1.20 metra për shkarkimin e ujërave. Mbi qemeret e kanaleve ndodheshin trotuaret me gjerësi 1.00 metra që anësoheshin me arkada përgjatë udhës. Kishte dhe tubacione prej plumbi të vendosura në mbulesën e kanaleve, të cilat shërbenin për sjelljen e ujit. Pesë njësi priteshin nga udhët që janë mbushur me ndërtesa banimi të qytetarëve. Në katin bazik ndodheshin dyqanet ndërsa në brendësi çdo banesë gjendej punishtja e vet. Materiali arkeologjik ishte interesant dhe zbuloi dy punishte të punimit me qelq, një punishte me prodhime objektesh metalike shtëpiake, një puniishte për ngjyrosje qeramike dhe tjegullash. U gjetën kallëpe për prodhimin e objekteve të qeramikës, peshore tezgjahu, objekte metali, si edhe prodhime të ndryshme nga gjilpërat prej kocke. Shumë nga mejdisat kishin vatra zjarri, puse,, govata uji, dhe mjedis magazinimi. Specialistët kumtuan se lagjja ishte përdorur deri në periudhën e parë bizantine. Në shekullin e 4 kjo lagje është braktisur. Mbi të është ndërtuar në kohët e vjetra. Kurse gjatë shekujve të 6 dhe 9 është përdorur edhe si varrezë. Kjo lagje zejtare është 300 metra larg bërthamës aristokratike të Durrësit.
Skënder Muça: Ky ishte një krim që s’u ndëshkua
Intervistoi Skënder Minxhozi
Zoti Muça, si e kujtoni kontrollin e bërë nga ju dhe disa arkeologë të tjerë të njohur në qytetin e Durrësit, në vitin 201, në atë që është quajtur dikur Lulishtja 1 maji, ku janë zbuluar rrënoja të rëndësishme antike?
“Së pari, më lejoni të them se situata në qytetin e Durrësit është e rëndë në të gjithë territorin, sa i përket gërmimeve arkeologjike. Durrësi po shkatërrohet i gjithi. Rasti i 1 majit, në vitin 2010, është ndoshta krimi më i madh në fushën e gërmimeve arkeologjike, por jo i vetmi. Si qytetar dëshiroj të di më së pari se me çfarë arsyesh pushteti lokal ka dhënë leje të ndërtohet në lulishtet publike të qytetit. E vërteta është se me lejet e ndërtimit, është luajtur në bazë interesash klienteliste e financiare. Në atë lulishte ka pasur gjetje arkeologjike me një rëndësi të madhe për Shqipërinë e më tej. Dhe aty ku ka gjetje arkeologjike, nuk lejohen ndërtimet. Kujtoj Apoloninë, ku donim të ndërtonim dikur një shtëpi për arkeologët që punonin aty. Kjo ngrehinë u ndërtua jashtë mureve rrethuese, pasi brenda nuk lejohej.
Nga ana tjetër, as ministria nuk duhej të lejonte që të vihej dorë mbi një monument. Aq më tepër që mesa kujtoj, edhe vetë gërmimi i kryer, kushtet dhe metodat që u përdorën, por mbi të gjitha natyra e mbyllur e procesit, nuk m’u dukën normale. Ne nuk u lejuam thuajse për të verifikuar asgjë. Firma që kryente punimet, e mbajti të mbyllur procesin e gërmimeve nga sytë e specialistëve”.
Ju keni qenë pjesë e një komisioni ekspertësh, të ngarkuar me verifikimin e volumit të punimeve në atë vend-gërmim. Ç’mund të thoni për këtë?
“Komisioni për të cilin ju flisni, u krijua për të saktësuar sesi ishte proceduar me gërmimet në atë rast. Kur ne nisëm këqyrjen e punimeve, kishte dalë mbi sipërfaqe periudha romake. Dua të theksoj se ishte zbulimi më i rëndësishëm i periudhës romake për Shqipërinë. Ishte një zbulim i ngjashëm me Amfiteatrin e famshëm të Durrësit. Në atë sit shihej jeta romake në të gjitha detajet e saj. Ishte një dëshmi unikale e antikitetit në këtë zonë.
Që në fillim konstatuam se në pjesën fundore të gërmimeve qe punuar me kujdes, por shtresat e sipërme ishin hequr në volume të mëdha dhe për pasojë, ishin shkatërruar tërësisht. Bëhet fjalë për varre, objekte të shpërndara etj.
Për mua, ajo që ndodhi në atë vend-gërmim, qe një krim që duhej ndjekur penalisht. Por në fakt nuk ndodhi asgjë dhe fakti është që mbi atë vend sot është ngritur një pallat. Prej këtu del problemi madhor i gërmimeve arkeologjike në të gjithë Shqipërinë – pra, që firmat private të gërmimeve bien në ujdi me ndërtuesit. Në fillim firma private e arkeologjisë ishte dakort për ta ruajtur këtë vend-gërmim, më pas dha dritën jeshile për të ndërtuar mbi të.”
Si është situata në qytetin e Durrësit, sa i përket gërmimeve?
“Me keqardhje them se pas vitit 1990 Durrësi u konsiderua si një shesh gjigand ndërtimi. Janë hapur më shumë se gjashtë gropa, ku janë gjetur objekte të antikitetit, e të cilat më pas janë kthyer në ndërtime shumëkatëshe. Në to ishin zbuluar fillimisht gjetje të periudhës antike, terme (banja) e mozaikë.
Durrësi i sotëm nuk ka asnjë zbulim me rëndësi, përtej asaj që është zbuluar dhe konservuar deri në vitin ’90. Në lidhje me rastin e ish-lulishtes “1Maji”, mendoj se përgjegjësia kryesore bie Ministrinë e Kulturës. Për shembull, sot janë lejuar koleksionistët privatë, duke nisur nga viti 1993. Që nga koha e Perandorisë turke kjo gjë ishte ndaluar. Kjo është arsyeja që sot nuk dihet se ku kanë përfunduar shumë nga vlerat e rralla arkeologjike.
Nga ana tjetër, duke dalë jashtë rastit të Durrësit si qytet me rëndësi madhore nga pikëpamja monumentale e arkeologjike, do të thoja se ka ndodhur dhe po ndodh një masakër e vërtetë kudo. Ethet e kërkuesve të objekteve antike e të metaleve të çmuar, kanë bërë që vihet dorë edhe në parqet arkeologjike, edhe në monumentet me vlera kombëtare si Apolonia. Gërmohet kudo ku ka një vend që konsiderohet si varrezë a si kishë. Kjo ka sjellë pasoja të pallogaritshme për dokumentimin e të shkuarës së vendit tonë”.
Akuzat, janë shuar prej vetë akuzuesve
Intervistë me drejtuesin e gërmimeve Gjergj Frashëri. Si i shikon ai akuzat e ngritura për dëmtimin e njësisë zejtare antike të qytetit të Durrësit dhe përgjigja e tij për to...
Intervistoi Ben Andoni
Një relacion i grupit të kontrollit në qershor të 2010 pretendon për shumë parregullsi për gërmimet e bëra nga Ju. Si i jeni përgjigjur relacionit ?
“Vizitën denigruese e katër profesorëve të nderuar të datës 11 qershor 2010 me në krye Prof. Neritan Cekën dhe Apollon Baçen e kam denoncuar me letër të nesërmen më 12 qershor 2010 te Ministri i Kulturës të asaj kohe. Ajo është tashmë një çështje e denoncuar prej meje edhe në shtyp (Dueti Ceka-Baçe, dëshmi e dëmeve në ruajtjen e monumenteve dhe Ceka dhe Baçe kanë ushtruar presion, Gazeta Shqiptare 25 dhe 26 Janar 2012, si dhe në librin tim “Pasuria arkeologjike e Shqipërisë në rrezik”, Tiranë 2014, f. 122-145). Ky “kontroll” ka qenë pa lejen e Ministrit të MTKRS të asaj kohe, pa lejen e KKA-së dhe pa lejen e AShA-s, por thërritur privatisht dhe i udhëhequr nga zoti Neritan Ceka. E gjithë kjo “gjueti shtrigash” ishte një shembull i shpërdorimit të detyrës së nëpunësve shtetërore me tendencë hakmarrjeje ndaj meje për interesat e tyre private.
Siç e përmenda, ky kontroll incognito u bë më 11 qershor 2010. Tre muaj më parë pata kritikuar hapur në media përpjekjet e këshilltarit të kryeministrit z. Ceka, për Reformën në trashëgiminë kulturore që kishte ideuar atëherë, e cila ishte në kundërshtim të hapur me udhëzimet evropiane bashkëkohore që kishte ratifikuar shteti ynë në vitin 2008 (Trashëgimia kombëtare në duart e Prof. Cekës?, Gazeta Shqip 22 Mars 2010, publikuar më vonë edhe në librin Pasuria arkeologjike e Shqipërisë në rrezik, f. 50-63).
E vërteta kryesore mbi gërmimin në “Lulishten 1 Maji” në Durrës është, se ky ishte gërmimi i parë i Arkeologjisë së Shpëtimit në historinë e vendit, që respekton Konventën Evropiane të Gërmimit të Shpëtimit. Gërmimi ishte i koordinuar dhe i kontrolluar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA), kryetar i të cilit ishte Ministri i MTKRS-së, si dhe nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) e varur prej saj. Për shkak se dy investitorë donin në atë vend të ndërtonin, gërmimi u kategorizua nga vendimi i KKA-së nr. 15 i datës 18.03.2010, si gërmim shpëtimi. Pra këtu nuk bëhej më fjalë për të kryer gërmim klasik shkencor ku ruajtja e substancës arkeologjike in situ është detyrim. Detyra kryesore e gërmimit të shpëtimit është dokumentimi i substancës arkeologjike përpara se ajo të largohet për t’i lënë vend ndërtimit. Brenda kësaj marrëdhënieje kontraktore bëhen përpjekje nga të gjitha anët të ruhen in situ apo të translocohen sa më shumë pjesë të substancës arkeologjike. Edhe sot ka arkeologë në Shqipëri që nuk e kuptojnë, se çfarë është “gërmimi i shpëtimit” (“rescue archaeology”). Disa syresh të vetëshpallur arkeologë apo restauratorë të mbledhur rreth një Forumi, të cilët veçse i kanë kryer apo shoqëruar dëmet kolosale të trashëgimisë kulturore në dy dekadat e fundit, ngatërrohen këtu profesionalisht me këmbët e veta, njësoj si paraardhësit e tyre të qeverisë mëparshme, si zoti Ceka, Baçe dhe dy profesorët e tyre servilë”.
Si u realizua gërmimi? Pse pretendoni se ata nuk kishin mandat?
“Gërmimi i shpëtimit në Lulishten 1 Maji filloi më 17 Maj dhe mbaroi më 30 Tetor 2010. Ai u krye nga firma private arkeologjike “AKeR” shpk nën drejtimin e Gjergj Frashërit. Gërmimi u udhëhoq nga Projekti (koncepti) i gërmimit i miratuar qysh më parë nga MTKRS-ja nr. Prot 47 datë 13.04.2010. Pa mbushur katër javë nga fillimi i punës, më 11.06.2010 papritur dhe pa njoftuar kanë hyrë në mënyrë të dhunshme në vendin e gërmimit të katër profesorët e lartpërmendur me pretendimin se do të bënin një “kontroll ndërinstitucional”, i përbërë nga Kryeministria, Instituti Arkeologjik (IA) dhe IMK dhe i kërkuar nga ministri i MTKRS-së. Shumë shpejt me anë të njoftimeve telefonike doli se ky nuk ishte kontroll i kërkuar nga Ministri i MTKRS-së apo KKA-ja, siç gënjeu zoti Baçe. Atë nuk e kishte kërkuar as Kryeministri dhe as Kryeministria, siç gënjeu zoti Ceka. Askush nuk paraqiti një shkresë zyrtare për këtë kontroll.
Një ditë pas vizitës së skuadrës së “profesorëve”, i kam dërguar Ministrit të atëhershëm të Kulturës, shkresën zyrtare me Nr. Prot. 4853 (dt. 12.06.2010) me titull “Kontroll i paautorizuar dhe i kundraligjshëm” (vep. e cit. “Pasuria...”, f. 135-136). Këtë e pata bërë për të mbrojtur rezultatet e gërmimit nga denigrimi dhe hakmarrja e grupit vullnetar të profesorëve të nderuar. Udhëheqja e ministrisë e sqaroi shpejt situatën dhe kërkoi që puna të vazhdonte normalisht si më parë”.
Cili është fati i akuzave që ka ngritur ky komision ?
“‘Vizita’ dhe akuzat e profesorëve janë për profesionistët e gërmimit të shpëtimit flluska sapuni. Edhe pas vizitës famëkeqe të datës 11.06.2010 vazhduan çdo javë takimet dhe procesverbalet për ecurinë e punimeve nën drejtimin e KKA-së dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të ASHA-s, të drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, të drejtuesve të IMK-së dhe IA-së, DRKK-së së Durrësit. Ata kanë miratuar të gjitha hapat për kryerjen e gërmimeve dhe konservimeve të nevojshme dhe të mundshme. Tre nga profesorët e lartpërmendur ishin anëtarë të këtyre strukturave vendimmarrëse dhe kanë vërtetuar vetë ato vendime. Përmendim disa prej tyre, si Protokollin e datës 28.06.2010, Vendimin e kryetarit të KKA-së (Ministrit) nr. 97 dt.07.07.2010 (nr. 124 Prot), Proçesverbalin nr. 2 me nr. Prot. 121 të datës 19.07.2010, Proçesverbalin nr. 3 të datës 29.07.2010 (nr.134 Prot). Numërohen mbi 15 dokumente të tjera vendimmarrëse për zbatimin e gërmimit arkeologjik, konservimeve, kontrollit dhe dokumentacionit deri në mbarim të gërmimit 30 tetor 2010.
Nuk jam i autorizuar t’i hap këtu këto dokumente, sepse nuk është e drejta ime. Ato ruhen në Arkivin e Ministrisë së Kulturës dhe është një deformim i së vërtetës, të nxjerrësh prej tyre vetëm një fletë, dhe ta përdorësh si paçavure për të spekuluar mbi punën e ndershme dhe të dobishme të profesionistit, njëkohësisht në dëm të rezultateve pozitive të gërmimeve dhe konservimeve arkeologjike në Lulishten 1 Maji. E them me siguri dhe maturi, se arkeologjia shqiptare nuk ka pasur ndonjëherë në historinë e saj, një gërmim të atillë për nga niveli shkencor dhe dokumentar, si dhe për nga transparenca e vendimeve mbi ecurinë e gërmimit, kontrollit të vazhdueshëm in situ dhe për nga rezultatet që tashmë kanë filluar të publikohen dhe po afirmohen edhe në ambientin evropian.
Asnjë nga akuzat e katër profesorëve të përzgjedhur të shtetit nuk qëndroi. Është një Procesverbal i Posaçëm i KKA-së (me pjesëmarrje të zgjeruar) nr. 99 Prot. dt. 04.06 2012 ku janë analizuar një për një akuzat e tyre. Ato janë cilësuar të gjitha kryekëput të pavlefshme. Më vjen keq se me çfarë lloj ligësie jetojnë këta bashkatdhetarë të përkëdhelur të pushtetit, të cilët mund të ishin më të vlefshëm për vendin me pozicionet shtetërore që shfrytëzojnë, në vend që t’i hedhin gurë pemës me fruta.
Epilogu mbi të vërtetën e akuzave të profesorëve del nga deklarata e djeshme e ish-drejtorit të IMK-së Apollon Baçes në gazetën Panorama (29 maj 2014, f. 20), që citon sekretarin e ICOMOS-it, i cili qenka shprehur se ”ky është një nga zbulimet më të mëdha të vitit, është pikërisht ajo që i mungon Pompeut, kuartalli artizan”. Siç duket, ICOMOS-i ka bindur së fundi edhe akademikun shqiptar, se rezultati i gërmimit në Lulishten 1 Maji i hedh poshtë vetvetiu akuzat e 11 qershorit 2010”.
Si është çështja e konservimit dhe e ruajtjes së substancës arkeologjike që pretendohet se ju e keni dëmtuar?
“Ruajtja in situ dhe konservimet në Lulishten ‘1 Maji’ janë pasqyruar në vendime të shumta. Midis tyre është Urdhri i MTKRS nr. 572 dt. 04.11.2010 për shqyrtimin e varianteve mbi ruajtjen dhe ekspozimin e objekteve të zbuluara, apo vendimi i KKA-së nr. 147 dt 01.03.2011 (nr. 43 Prot.) për ruajtjen in situ të substancës arkeologjike, e të tjera.
Më duhet të sqaroj për të dhjetën herë, se ka një ndryshim rrënjësor midis statusit të gërmimit shkencor dhe atij të gërmimit të shpëtimit. Kur një sipërfaqe përcaktohet në urdhrin e punës si në rastin e Lulishtes 1 Maji, si gërmim shpëtimi, presupozohet se substanca arkeologjike nuk do të ruhet in situ, por vetëm ajo pjesë e saj që është e domosdoshme dhe e mundur teknikisht pa hyrë në konflikt me ndërtimin e ri. Shpëtim arkeologjik do të thotë dokumentim i substancës arkeologjike përpara se ajo të zhduket, për t’i lënë vend ndërtimit që është planifikuar dhe miratuar. Aty ku do të ndërtohet, do të hapet një gropë ndërtimi, pra gropa do të zbrazet nga substanca arkeologjike, kur ka të tillë. Në rastin konkret, sipërfaqja e Lulishtes 1 Maji ishte miratuar paraprakisht si sipërfaqe për gërmim shpëtimi, pra ishte vendosur nga IMK dhe KKR-ja që aty do të ndërtohej. Ishte paravendosur kështu, që aty do të kryhej vetëm dokumentacioni i substancës arkeologjike in situ që do të dilte nga gërmimi, ndërsa ajo në sipërfaqen e themeleve të reja nuk do të ruhej. Vjen një pyetje për të gjithë ëndërrimtaret e Forumit dhe të Institutit Arkeologjik - Kush duhet ta ruante dhe nuk e ruajti, substancën e bukur arkeologjike të Lulishtes 1 Maji dhe ta konservonte përjetësisht atë? Domethënë kush duhet të paguante dhe nuk pagoi për ruajtjen e saj të përjetshme? Investitori “Rajfi” dhe “Xhemf”? Instituti Arkeologjik? Instituti i Monumenteve të Kulturës? Forumi i Trashëgimisë Kulturore? ASHA? KKA-ja apo KKR-ja? Kush pra, apo Firma “AKeR” shpk? Apo Studioja e Biçokut qe pretendonte se paska luftuar me “shpirtin e patriotit në dorë” për mbrojtjen e Lulishtes 1 Maji qysh në vitin 2010? (Biçoku, Gazeta Panorama, 26 Maj 2014).
Po ashtu vjen edhe një pyetje tjetër – si do të ruhej konkretisht in situ e gjithë kjo substancë arkeologjike? Fotot e bukura të gërmimit tregojnë hapsirën e tij pa ujë, sepse ajo është tharë nën veprimin e pandërprerë të pompave të ujit. Por po të fikeshin pompat vetëm 4 orë, niveli i ujërave nëntokësorë mbulonte me ujë të gjithë substancën arkeologjike që shihet në foto.
Veçanërisht nga filozofët e Forumit me kompetencë në arkeologji, restaurim dhe ekonomi, presim të dëgjojmë një përgjigje mësimore, megjithëse tashmë shumë e vonuar. Si nuk n’a dhuruan ata as edhe ndonjë ide patriotike ruajtje dhe konservimi gjatë viti 2010, 2011, 2012 kur rrënojat e bukura qëndronin ende para syve tanë? Atëhere kur investitorët durrsakë “Rajfi shpk” dhe “Xhemf shpk” bashkë më Firmën private “AKeR shpk” hidhnin pará nga xhepi i tyre për të ruajtur dhe konservuar aq sa mundën nga pasuria e Lulishtes 1 Maji? Tashmë investitori “Rajfi shpk” po bën një Muze Arkeologjik në bodrumet e ndërtesës me pasuritë e konservuara të Lulishtes 1 Maji. Mund ta ndihmoni sadopak financiarisht ta realizojë atë? E kam fjalën më shumë për atë që i paska therur shpirti sado me vonesë për vlerat e lagjes pompejane durrsake. Hidhuni të ndihmojmë financiarisht ndërtimin e muzeut për t’i ekspozuar përjetësisht në stendat e tij, njësitë dhe gjetjet që tashme janë restauruar, translocuar, konservuar dhe seleksionuar me paratë nga xhepi direkt i tre subjekteve privatë të lartpërmendur, të cilët kanë kryer dhe financuar gërmimin e vitit 2010, ruajtjet in situ, translocimet dhe konservimet, si dhe përpunimin arkivor të gjithë dokumentacionit dhe gjetjeve pas gërmimit arkeologjik”.
Unë shpresoj se është nxjerrë një mësim nga rasti i Lulishtes 1 Maji. Substanca që doli nga nëntoka e Lulishtes 1 Maji nuk përbën asnjë mrekulli për pasurinë arkeologjike të Durrësit, siç spekulohet nga diletantët. Po të ishin bërë në Durrës gërmimet të tjera si ai në Lulishten 1 Maji, do të ishin parë dhe dokumentuar mrekulli të rralla të arkeologjisë botërore në gropat e themeleve të qindra pallateve prej betoni të zgavruara në Durrësin antik dhe të krishterë. Ai që i ka parë dhe dokumentuar Plehrat Arkeologjike në Shkozetin e Durrësit, duhet ta kuptojë pse kam ngritur zërin që Zona B e Durrësit të mos ekzistojë më si hapësirë ndërtimesh, si hapësirë për gërmime shpëtimi.
Po citoj mesazhin tim që kam lëshuar edhe në Konferencë Vjetore e 19-të të Shoqatës Evropiane të Arkeologëve (EAA-European Association of Archaeologists) në shtator 2013 në qytetin Pilsen të Çekisë me temë “Qeverisja e Pasurisë së Trashëgimisë Arkeologjike” (Archaeological Heritage Resource Management): “Zona B e Durrësit duhet të njësohet sa më parë me zonën A dhe të ndalohet çdo lloj iniciative për dhënie lejesh ndërtimi, duke ndaluar çdo lloj gërmimi arkeologjik, përfshirë edhe ato të shpëtimit. Mbrojtja e Pasurisë së Nëntokës Arkeologjike dhe e Vlerave Historike të monumenteve të Kulturës në qytetin e Durrësit, ka nevojë urgjente për një zonifikim dhe rregullore te reformuar juridike të saj, duke marrë parasysh agresivitetin e pronës private dhe korrupsionin pakufij në rritje të segmenteve qeveritare dhe të institucioneve shtetërore në Shqipëri. Në këtë mes mungon njëherazi urgjentisht një Vendim i Madh: Nëntoka e Durrësit antik dhe mesjetar nuk ka qenë dhe nuk është për ndërtime të reja. Të ndalohen ato pa kushte. Durrësit të ri nuk i ka munguar dhe nuk mungon toka e ndërtimeve të reja as sot, as nesër” (publikuar në Gazetën Shqiptare, Durrësi ka nevojë urgjente për zonifikim dhe rregullore të reformuar juridike, 23 shtator 2013; Me të njëjtin titull në librin Pasuria arkeologjike e Shqipërisë në rrezik, f. 278-289)”.