Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.
Aktori i madh shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë dhe shenjat e sëmundjes iu shfaqën së tepërmi gjatë kohës që Trebicka po merrej me dramën "Një tablo absurde" në vitin 2011.
Ai për disa javë u shtrua në një klinikë të specializuar në Paris të Francës, ku mori kura kundër kancerit në mushkëri. Edhe pas atje aktori iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai s’mundi dot ta mposhte sëmundjen.
Dy muaj pas shtrimit të tij në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për financimin e kurimit të aktorit, i cili mbante titullin "Mjeshtër i madh".
Ndërsa në nëntor të vitit të kaluar Roland Trebicka, u rikthehe sërish në skenën e teatrit pas një mungesë gati dyvjeçare. Ai u kthye në dramën, “Ëndrra e Ismail Qemalit” me regji të Spiro Dunit.
Kjo vepër e Bashkim Kozelit u shpall fituese nga Ministria e Kulturës 100-vjetorin e pavarësisë. Trebicka u detyrua të tërhiqet për shkak të një sëmundje të rëndë. Në këtë dramë atij i është besuar roli i Seit Beut.
“Ky është kthimi im gradual në teatër dhe nuk di si do ta përballoj. Jam i çliruar që nuk kam ndonjë personazh të njohur”, shprehet Trebicka. Ai thotë se largimi i tij nuk ka qenë i gjatë dhe thotë se fjalë “rikthim”, mbase nuk është e përshtatshme për këtë rast.
Shumë spektatorë ndoshta me padurim kanë pritur këtë ‘rikthim’ të tij por ai me shaka thotë se ky rol nuk “i ngjan Jovan Bregut”.
Luiza Xhuvani: Lamtumirë Mik, Artist, Njeri me zemër të madhe
Aktorja Luiza Xhuvani është shprehur me shumë dhimbje për humbjen e aktorit të madh Roland Trebicka.
Ajo tha se e priste ta shihte në rolin e “Doktor Shuster”, por sëmundja nuk e lejoi. “E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për ti dhënë skenës role dhe karaktere. Tani takimet me ty do të jenë vetëm në kujtesë, në këtë memorie të shkëlqyer që na fale të gjithëve me rolet e tua. Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë dhe qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve.
Nuk kishte nevojën për t’i shkëputur personazhit “elementin narcist”. E adhuroja për këtë, heshtas e falënderoja që na e dhuronte ndjesinë e barazisë të gjithëve, larg aktorit të parë, gjatë orëve të shfaqjes. Trebicka nuk e synonte lojën aktoriale, por e harmonizonte me të gjithë aktorët, ai e fitonte duartrokitjen, pa e patur synim në vetvete. E kam parë disa herë të arrinte majën e ndjeshmërisë intelektuale dhe kompetencës estetike në skenë, mund të them se shpesh herë, me mendje e kam barazuar aktorin Trebicka me poetin. Kjo ishte forca e tij aktoriale. Ai nuk kishte kufizime. Kishte gjithçka që do të donte një artist, zërin, lëvizjen, prezencën. Sa shumë biseda, para dhe pas shfaqjes, sa diskutime, sa ide dhe dëshira për teatrin. Ai dinte të krijonte atmosferë, ai dinte të mësonte pa treguar aftësinë e më të mirit. ‘Dua të largohem me dinjitet nga skena.
E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtetë e tillë, jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena’-u shpreh ai në një nga mediat, ndoshta nga të fundit herë.....por askush nuk e mendonte largimin e tij të parakohshëm, këtë ikje pa kthim....Ti do të jesh përjetë në mendimet e mija dhe të gjithë njerëzve që adhuruan personazhet e tua, që jetuan dhe ëndërruan bashkë me ty.... Lamtumirë Mik, Artist, Njeri me zemër të madhe....të qoftë i lehtë dheu!”- deklaroi aktorja Luiza Xhuvani.
Mirush Kabashi: Një humbje e pakrahasueshme
Për aktorin Mirush Kabashi humbja e Trebickës është një humbje e pakrahasueshme për artin shqiptar.
“Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Ai mblodhi të gjitha forcat që t’i dhuronte spektatorit edhe një rol tjetër në atë dramë që i kushtohej një ngjarje të jashtëzakonshme siç është 100- vjetori i pavarësisë. Është një dhimbje e madhe, ata janë brenda nesh dhe përbëjnë një dhimbje. Jam i trishtuar” ,–deklaroi Kabashi.
Rama shpreh keqardhjen për humbjen e një njeriu të mrekullueshëm
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet familjes së aktorit të madh shqiptar Rolan Trebicka. Ai shprehet në “Facebook”, “Çfarë lajmi i keq, vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq njeri i mrekullueshëm i lehtë dheu ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit”.
Jeta e aktorit
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin "Debatik", më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar.
Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të "privilegjuar" në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët.
Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë "Pallati 176". Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek "Magjia e madhe", Zganarelit tek "Don Zhuani", Hlestakovit tek "Inspektori" ("Revizori")... tek "Një burrë me trëndafil". Në vitin 2002, për rolin e rojës tek "Mbreti po vdes", Trebicka ishte kandidat për çmimin "Aktori më i mirë mbështetës" në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden "Ëndërr për një karrige" (Vaska) dhe "Koncert në vitin 1936" (Nesti)