Shuhet i madhi Lucio Dalla

Shuhet i madhi Lucio Dalla
Kantautori ndodhej në Zvicër për një turne koncertesh, ndërkohë që lajmi i vdekjes së tij hidhëroi gjithë botën e muzikës. Shfaqja e tij e fundit ka qenë në “Sanremo”. Është shuar kantautori i njohur italian, Lucio Dalla, nga një atak kardiak. Ai gjendej në Montreaux, Zvicër, për një turne koncertesh. Mesa duket, lajmi u publikua fillimisht nga murgjit e Bazilikës së San Francesco-s d’Assisi në” Twitter”, në orën 12:10, 23 minuta para njoftimit zyrtar, përmes profilit të revistës “San Francesco, mbrojtësi i Italisë”. “Vdiq Lucio Dalla: dhimbje dhe lot për humbjen e kantautorit të Zotit...”, shkruhej në mesazh.

“Ishte i lumtur se si shkoi koncerti”, bëjnë të ditur nga “Midas”, shoqëria e komunikimit në botën e muzikës dhe spektaklit, themeluar nga Michele Mondella. “Sot ishte mirë, hëngri mëngjes, bëri disa telefonata dhe iu përvesh punës”, bëjnë të ditur ndihmësit e tij. “Fola me të në darkë, ishte më i lumtur se kurrë”: është dëshmia e Roberto Serra, miku i ngushtë i Lucio Dallas. “Nuk më besohet. Është e pamundur. Më telefonoi mbrëmë në darkë, ishte mirë, i lumtur, i qetë, i kënaqur dhe në paqe me veten. Ndihej mirë edhe për shkak të një interviste që i kishin bërë dhe turneun europian që sapo e kishte nisur. Më tha se ishte i emocionuar që gjendej pikërisht në vendin ku kishte dhënë koncert para 30 vjetësh dhe publiku e kishte pritur shumë ngrohtë. Ishte në Zyrih dhe po shkonte në Montreaux”.

Në Montreaux, Dalla e përfundoi normalisht koncertin. Sipas grupit shoqërues të këngëtarit, nuk kishte asnjë lloj shenje. “Ishte mirë”, u shpreh ndihmësi i Dallas. Ai dhe Mondella (themeluesi i kompanisë “Midas Promotion”, që ndiqte veprimtarinë e artistit), kanë folur me njëri-tjetrin pas koncertit në Montreaux: “Ishte i kënaqur se si kishte shkuar koncerti. Në mëngjes u zgjua, hëngri mëngjes dhe bëri disa telefonata. Pastaj u ndje keq. Dhimbja ishte shumë e madhe. Mendoj se nuk mund të bënim asgjë”, tregon asistenti i tij. E nisi dhe e mbaroi deri në fund i qetë koncertin. Por vdekja e mori atëherë kur nuk pritej. Ka edhe nga ata që nuk munden të nxjerrin asnjë fjalë në kujtim të këngëtarit. I tillë është Ron, prej kohësh bashkëpunues i ngushtë i Lucio Dala-s. Lotët që ndjehen përmes telefonit, ndalojnë çdo përpjekje të tij për të thënë diçka. Francesco De Gregori nuk flet. Do të kishte shumë për të treguar, sepse së bashku me Dalla-n ndryshoi historinë e të kënduarit “live” në Itali me turneun që realizuan kohë më parë. Këtë eksperiencë e kishte përsëritur me Lucio Dalla-n në vitet 2010-2011, duke i mbushur plot stadiumet në të gjithë Italinë. Turneu i fundit i Lucio-s nisi më 27 shkurt në Lucerna dhe vazhdoi në një natë më pas në Zyrih. Pas koncertit në Montreaux, Dalla do të performonte në, Bernë, Gjenevë, Lugano, Paris, Dyseldorf, Hamburg, Brema, Frankfurt, Luksemburg, Mynih dhe në fund në Berlin.

Pas ikjes së tij, dalja e fundit në Festivalin e Sanremos merr një vlerë simbolike. Kantautorët e kanë parë gjithnjë me dyshim këtë aktivitet. Për më tepër, ngjitja e tij në podium për të drejtuar orkestrën gjatë këngës së Davide Carone-s, “Nanì”, ngjan sot si një lamtumirë e pavetëdijshme e një artisti të paharruar për miliona telespektatorë që ndiqnin festivalin. Një përshëndetje e hidhur. Sepse Lucio Dalla nuk u mjaftua vetëm me shfaqjen në skenën e “Sanremos”, së cilës nuk i ishte afruar për vite të tëra. I fortë ishte edhe reagimi i tij për pozicionin që Çelentano mori në këtë festival. "Nuk besoj se ka pasur ndonjë ‘Sanremo’ më të keq. Jo vetëm sepse kënga e Pierdavide Carone-s u eliminua menjëherë nga juria, por është e pazakontë që një këngëtar të marrë pozicionin e një sociologu për rreth 50 minuta në skenën e Aristonit, ndërkohë që do të bënte mirë të këndonte dhe kaq”, ka deklaruar ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

Pastaj vjen shpërthimi për jurinë: “Për cilën juri cilësore flisni? A i patë? Të gjithë rrinin mbështetur duke bërë qepaze, duke pritur me ankth të shfaqeshin në televizor. Është një juri për hesap të vet, e aftë të japë mendime për festën që u bë në sheshin e ‘Sanremos’, por jo të flasë për cilësinë e këngëve”, ka pohuar këngëtari. Për Lucio Dalla-n do të tregojnë shumë vendet e lindjes dhe vdekjes. Bolonja dhe Montreux, sinteza ekstreme të dashurisë së Lucio-s për xhazin. Bolonja, qyteti i tij i lindjes, dhe Montreux, kryeqyteti europian i "notave bluz", qendra e një prej festivaleve më të njohura ndërkombëtare dedikuar kësaj gjinie muzikore. Bolonja dhe Montreux janë dy simbole të denja për të rrëfyer udhëtimin në tokë të një artisti, i lindur për të mos ecur në rregullat strikte të muzikës, i gatshëm të improvizonte dhe eksperimentonte, i gatshëm të ndërronte lëkurë (nga një njeri i thjeshtë në një të sofistikuar).

Mbi të gjitha dinte të ishte befasues. Çfarë të thuash për këtë muaj, marsin që nga sot do të kujtojë jo vetëm lindjen e tij, por edhe vdekjen. Pikërisht në Sanremo, në prezantimin e vitit 1971, me këngën e mrekullueshme që mbante për titull vitin e tij të lindjes, “4 mars 1943”, këngë e bazuar në një tekst të poetes Paola Pallottino, arrin të marrë çmimin e tretë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama