Shuhet ne moshen 68-vjecare koreografi i Valles dyshe Sadi Halili

Shuhet ne moshen 68-vjecare koreografi i 'Valles dyshe', Sadi Halili
Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, koreografi Sadi Halili që gjysmë shekulli nga jeta e tij ja kushtoi valles popullore, nëpërmjet së cilës përçoi vlerat e kulturës shqiptare edhe në skena prestigjize të folkut botëror.

Krijimtaria e tij identifikohet me ‘Vallen dyshe’ të Librazhdit mbi të cilën është ngritur edhe një festival që mbahet në vendin e koreografit dhe gjenezën e kësaj valleje, të cilin e ka themeluar artisti që prej shumë vitesh e ka pasur jetën të lidhur me karrocën lëvizëse pasi prej një sëmundje humbu gjymtyrët, por asgjë nuk e ndau nga krijimtaria e tij dhe as nga skena. Ai ishte kudo dhe kurdo me valltarët, pavarësisht sakrificave

Për të parën herë në skenë është njitur kur ishte veçse 8 vjeç, si një ndër valltarët e trupës së fëmijëve të qytetit, por më heret sikundër është shkruar në media, që kur ishte në djep ai ka qëndruar pas skene teksa nëna e tij valltare interpretonte në skenë dhe është rritur me tingujt e lëvizjet e valles.

Pas 2 dekadash si valltar, Sadi Halili u shndërrua në koreografin që ngriti jo pak ansamble në trevat shqiptare, në Ohër, Radolisht, Strugë, Tetovë, Goste por edhe ndër shqiptarët e Shkupit ai mundi t’i japë jetë një ansambli.

Krijimtaria e koreografit Sadi Halili ndër dekada është nderuar me një sërë trofesh, jo vetëm në vend por më së shumti në skenat ndërkombëtare ku ka marrë pjesë trupa e tij, mund të përmenden festivale në shtete si Itali, Francë, Greqi, Maqedoni, Turqi apo Gjermani. Ndërsa ndër vallet më të njohura mund të përmenden “Vallja shqiptare”, “Motive të Liqenit”, “Vallja e Radolishtit”, “Motive të Ohrit”, “Valle e Rrajcës” apo “Suitë vallesh popullore” të cilat sot janë pjesë në repertoret e ansambleve në Shqipëri. Prej janarit të vitit 2005, koreografi Sadi Halili mbante titullin ‘Mjeshtër i madh’.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama